Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale për ''PD-ASHM'' në Burrel, kreu i PD Sali Berisha, 'shigjetoi' kryeministrin Edi Rama. Ai tha se Rama ka saraje më shume se kishte Enver Hoxha.
‘Edi Rama është sot i vetmi kryeministër që ka oborrin 8 mijë e 30 metër katror tokë të plaçkitur dhe ka saraje më të gjata se sarajet e Enver Hoshës. Këta njerëz ju nuk ekzistoni, këta ju shumëzojnë ju me zero. Ai do të përgjigjet për ato që i ka Matit dhe Shqipërisë tani do ta shoh ai. Rama gënjeu shqiptarët për 12 vite, ai premtoi shendetësi falas dhe 300 mijë vende pune dhe 24 orë ujë të pijshëm, rritje rrogash dhe pensione, në 12 vite ai varfëroi shqiptarët dhe i largoi nga vendi’, tha ai.
Berisha tha se gjatë këtyre viteve vendi është shpopulluar dhe kjo për shkak të varfërisë.
‘Të dashur kandidatë për deputet në Kuvendit Popullor, të Kuvendit të Shqipërisë. Fushata mbyllet për 3 -4 ditë dhe fitorja historike e shqiptarve mbi të keqen do të triumfojë. Çdo njeri që ndjen se ka ende gjak shqiptari duhet që të ndjejë një dhimbje të madhe për këtë shkretëtim të kombit dhe të vendit, për të shpëtuar vendin. Partia e të gjithë shqiptarve duhet që të jetë Shqipëria. Pse po ndodh kjo, pse shqiptarët po e braktisin këtë vend, pse matjanët po largohen nga ky vend. Nuk largohen se nuk e duan Matin dhe Shqipërinë, por largohen nga skamja dhe nga shpresa e vrarë dhe nga papunësia. Largohen sepse prindërit e tyre dhe gjyshërit e tyre nuk kanë më që të mbushin për të gjithë familjen’, tha ai.
Berisha tha se më 11 maj, matjanët do të ndahen nga një regjim që në 10 vite i varfëroi ata.
'Në me 11 Maj, matjanet dhe matjanët, shqiptaret dhe shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri dhe jashtë vendit, ndahen nga e keqe e dytë e madhe që u ra në 34 vite si asnjë kombi tjetër në Europë dhe në botë. Ndahen nga regjimi i krimit, i drogës dhe vjedhjes së tyre. Ndahen nga një regjim që i shkretoi ata më shumë se çdo pushtim tjetër në historinë tonë. Ndahen nga një regjim që në 10 vite i varfëroi ata në mënyrën më të frikshme. Ndahen nga një regjim që në 10 vite bëri që Mati të ketë në një vit vetëm 13 lindje, ndërkohë që qindra zogj të Matit të bëjnë foletë në dherat e tjera', tha ai.
Nga Burreli, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një pushtetar që kërkon të shpëtojë nga drejtësia përmes mandatit të ri.
Berisha theksoi se Rama është shpallur nga forcat më të mëdha politike europiane si "armik i votës së lirë".
‘Zgjohuni shqiptarë! Çfarë e do Edi Rama mandatin? Edi Rama mandatin e do për të shpëtuar nga krimet e tij monstruoze që ka kryer ndaj shqiptarëve. Po unë jam këtu, unë jam Sali Berisha. Dhe unë u jap fjalën ju, u jap fjalën matjanëve dhe shqiptarëve se ai kurrë nuk do shpëtojë. Ai do përgjigjet një më një për atë që u ka bërë Matit dhe Shqipërisë. Ai e bëri provën, tani është radha ime. Tani do e shohë ai! Vij këtu tek ju pasi është futur në rreth të kuq. Jo për hakmarrje personale ndaj meje. Kurrë, kurrë se në politikë ajo nuk të ndihmon kurrë, por për atë që u ka bërë ju. Jam i kënaqur, nuk e mohoj, pasi ai është futur në rrethin e kuq. Ky njeri që me mafien ndërkombëtare, me Xhorxh Sorosin dhe të tjerë, për këtë njeri 6 muajt e fundit janë katër rezoluta botërore, të cilat e damkosin fjalë për fjalë me ato që i kemi thënë ne. Dhe u garantoj se ata kurrë nuk do votonin fjalët tona po të mos ishin 100 përqind të vërteta.
Edi Rama, këtu nga Mati i burrave, e di vetë ti! Të garantoj se shpallja jote në Valencia nga 82 parti politike më të fuqishmet e Europës, nga udhëheqja politike kryesore e Europës, partia e kancelarit Merz, e presidentes Von der Leyen, e 14 kryeministrave, shpallja jote si armik i votës së lirë të shqiptarëve, shpallja jote si njeri që kërkon të shtypësh pluralizmin dhe opozitën, shpallja jote si pushtetar që qeveris me krimin, nuk do të ndahen kurrë në jetën tënde’, tha ai.
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike Xhelal Mziu, nga Burreli kritikoi Irena Gjokën, një gjyqtare sipas tij, të lidhur me qeverinë, duke përmendur dënimin e saj në Greqi dhe bashkëpunimin e saj me qeverinë e Rilindjes.
Ai ka thënë se data 12 maj do të jetë data kur Sali Berisha do të bëhet kryeministër i Shqipërisë.
‘Sali Berisha do jetë kryeministër më 12 maj. Mati sot është i sëmurë nga varfëria dhe emigracioni. Duhet t’i themi “Jo” kësaj qeverie krimi dhe korrupsioni. Qeveria ka lënë pas pensionistët. PD ka në qendër të saj familjen. Ju e patë Irena Gjokën se ishte dënuar në Greqi dhe zbaton urdhrat e Rilindjes. Ne do e rrëzojmë këtë qeveri të korruptuar. PD ka në krah Donald Trump, ka në krah Partitë Popullore Europiane’, tha ai.
Komente
