Samiti në Shkup

Kosova & Rajoni

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, diskutohet Plani i Rritjes! Kos: Me Shqipërinë, festojmë në vjeshtë hapjen e grupkapitullit të fundit

1 Korrik, 08:04| Përditesimi: 1 Korrik, 12:19

  • Share

Në Shkup po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku marrin pjesë liderët e rajonit, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama. Në fokus të diskutimeve është vlerësimi i Planit të Rritjes, propozimet për iniciativa të reja, dhe bashkëpunimi ekonomik përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.

Fjala hapëse u mbajt nga kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski dhe komisionerja për Zgjerim Marta Kos. Mickoski tha se si fqinjë dhe partnerë duhet punuar së bashku për të pasur një rajon më të fortë. Ndërsa Kos, teksa theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së, vlerësoi edhe përparimin e Shqipërisë në negociata. Komisionerja u shpreh se në vjeshtë pritet që të hapet edhe grupkapitulli i fundit me Shqipërinë.

“Shqipëria ka hapur tre grupkapituj gjatë 6 muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë kështu mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.”, u shpreh Kos.

Kryeministri Edi Rama, në nisje të samitit foli shkurt për mediat, ku vlerësoi Planin e Rritjes, i cili sipas tij, po e afron rajonin më pranë BE. Kreu i qeverisë u shpreh krenar për pikat që kanë zbatuar deri më tani.

"Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh ai. 

Fokusi kryesor i bisedimeve është vlerësimi i Planit të Rritjes, propozimet për iniciativa të reja dhe bashkëpunimin ekonomik përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, të konceptuara në dy paneleve diskutimi. Paneli i parë: “Plani i Rritjes: Vlerësimi, hapat e ardhshëm dhe komunikimi”, ku bëhet vlerësimi i Planit të Rritjes në të gjitha shtyllat e tij, si dhe diskutohet mbi iniciativat e propozuara në Shtyllën 1 (Turizmi, mbrojtja e konsumatorit dhe “Autostrada” e Tregut të Përbashkët) dhe lidhjet me Tregun e Përbashkët Rajonal.

Ndërsa paneli i dytë “Thellimi në Shtyllat e Planit të Rritjes” do të bëjë bashkë Ministrat për Çështjet e BE-së, përfaqësues të BE-së, organizatave rajonale dhe partnerë zbatues. Gjatë takimit, Komisioni Evropian do të propozojë një paketë të investimeve në vlerë prej 87.7 milionë eurosh nën Kornizën ekzistuese të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), e cila pritet të tërheqë pothuajse gjysmë miliardi euro në investime private për projekte të energjisë së pastër në mbarë rajonin, u tha në njoftim.

Lajm në përditësim...

Ora 11:51
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Mickoski: E ardhmja jonë është e përbashkët, duhet të punojmë si fqinjë dhe partnerë për një rajon më të fortë

1751363582_micko780x4701.png

Në fjalën hapëse të samitit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se Ballkani Perëndimor po ecën drejt një të ardhmes evropiane dhe se sipas tij nuk është më një “dhomë pritjeje” por një rajon në zhvillim.  Ai shtoi se është një rajon me potencial, por vuri në dukje tentativat për përçarje.

“Ballkani Perëndimor është një rajon i pasur me potencial dhe ambicie, megjithëse shumë shpesh ka narrativa përçarjeje. Por kur shikoj përreth, mund të shoh se ka një histori tjetër. Rajoni përcaktohet nga fryma e tij dhe refuzon të lihet pas dore. Ky Samit i kushtohet një vizioni të përbashkët, një vizioni ku investimet lulëzojnë dhe inovacioni ofron mundësi për të gjithë. Një vizion ku Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon që është në zhvillim”, tha Mickoski.

Duke u ndalur te Plani i Rritjes, kryeministri maqedonas shtoi se duhet punuar bashkërisht për të ndërtuar një rajon më të fortë.

"Ne të gjithë kemi një të ardhme të përbashkët dhe për të siguruar unitet dhe stabilitet, duhet të punojmë së bashku si fqinjë, si partnerë, si rajon. Së bashku mund të ndërtojmë një rajon të fortë dhe të lidhur që është i begatë, gjithëpërfshirës dhe evropian”, tha Mickoski.

Mes të tjerash, ai shtoi se “Forca jonë qëndron në unitetin dhe stabilitetin përmes forcimit të marrëdhënieve me fqinjët tanë dhe Bashkimin Evropian, përmes hapjes së tregjeve të reja, vendeve të reja të punës, miqësive të reja, heqjes së barrierave në tregti, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e investimeve”.

Ora 10:31
Samiti në Shkup/ Kos: Ka konsensus për zgjerim, por dritarja s’mund të jetë e hapur gjithmonë! Në vjeshtë, me Shqipërinë hapim grupkapitullin e fundit

1751359405_martakos.JPG

Komisionerja për Zgjerim e BE, Marta Kos theksoi sot në samitin që po mbahet në Shkup se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Ajo shtoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, gjë që nuk ka qenë e njëjtë në të kaluarën, por "dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë".

Kos tha se me Shqipërinë do festojnë hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.

“Për herë të parë në historinë e Evropës, nëse e bëjmë siç duhet procesin e zgjerimit, mund të arrijmë bashkimin e Evropës tonë. Dhe një Evropë nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Dua të jem e qartë: Sot ekzisto një konsensus i qartë në favor të zgjerimit, kjo nuk ka qenë kështu në të kaluarën. Por dritarja e mundësisë mund të mos jetë aty gjithmonë. Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm. Shqipëria ka hapur tre grupkapituj gjatë 6 muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë kështu mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.”, u shpreh Kos.

Kos tha se Plani i Rritjes është plotësisht në duar të vendeve të rajonit.

“Ky është një mjet për t’ju ndihmuar me reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe për t’ju përgatitur për anëtarësim. Njëkohësisht, ky plan ju mundëson që qytetarët dhe bizneset tuaja të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Dhe kjo, tani – jo në një të ardhme të largët”, theksoi ajo.

Ajo shtoi se vendet kanë bërë shumë, por tani është koha të intensifikohet faza e zbatimit.

“Thënë thjesht, kjo do të thotë që një sipërmarrës i ri, për shembull këtu në Shkup apo në Tiranë, mund të pranojë pagesa nga e gjithë Evropa po aq lehtë sa edhe një biznes në Vjenë apo Madrid”, tha Kos.

Ora 10:29
Samiti në Shkup, Rama: Plani i rritjes po na afron me BE, do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona

1751362424_RamaShkupSamit.jpg

Kryeministri Edi Rama, në një prononcim të shkurtër për mediat në nisje të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Shkup, tha se janë më afër së kurrë realizimit të aspiratës për anëtarësim në BE.

Kreu i qeverisë tha se Plani i Rritjes po na afron më pranë BE, duke shtuar se janë krenarë që kanë përmbushur pikat e kërkuara.

"Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët që lidhet me zbatimin e planit të ri të rritjes, një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron përditë e më shumë me BE. Jemi krenarë se kemi përmbushur deri tani të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit. Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona siç kemi paraparë afatet me KE dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh kryeministri Rama.

I pyetur se çfarë pret për Shqipërinë nga Plani i Rritjes, kryeministri shtoi:

"Plani i rritjes është i qartë. Ne duhet të japim rezultate. Ata nga ana tjetër po ashtu. Ne po bëjmë pjesën tonë dhe ata të tyren. Kemi një mjet shtesë që ka të bëjë me atë që është quajtur integrim gradual dhe po zbatohet. Për Shqipërinë po ecën shumë shumë mirë.”

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?