Evropa nuk ka asnjë ekuivok, mbrojtja e interesave të Ukrainës do të jetë prioritare në bisedimet për paqe. Përpara samitit midis Vladimir Putin dhe Donald Trump në Alaska më 15 gusht, Evropa dhe Ukraina po mobilizohen për të bllokuar çdo mundësi të një marrëveshjeje paqeje midis SHBA-së dhe Rusisë që do të përfshinte transferimin e territorit ukrainas pa përfshirjen e Kievit.
Teksa e kanë përshëndetur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u takuar me presidentin rus për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, udhëheqësit evropianë theksojnë fort nevojën për ta vazhduar trysninë mbi Moskën dhe për t’i mbrojtur interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës.
Marrëveshja mund të kërkojë që Ukraina t’i dorëzojë pjesë të mëdha të tokës së vet, gjë që sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatëve të tij evropianë, vetëm sa do ta nxiste agresionin rus.
"Negociata kuptimplotë mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose një reduktimi të armiqësive. Rruga drejt paqes nuk mund të vendoset pa Ukrainën. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimit që kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me force. Ne nënvizojmë angazhimin tonë të palëkundur ndaj sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Kjo u shkrua nga presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri polak Donald Tusk, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti finlandez Alexander Stubb, si edhe nga kryeministri britanik Keir Starmer.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance u takua të shtunën në Londër me ministrin e Jashtëm britanik, David Lammy, dhe përfaqësues të Ukrainës dhe aleatëve evropianë për të diskutuar për përpjekjet e Trumpit për paqe.
Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e ftesës së Volodymyr Zelensky në Alaska, ku Donald Trump do të takohet me Vladimir Putin javën e ardhshme. Ky opsion po shqyrtohet, megjithëse ende nuk janë finalizuar plane. Putin deri tani e ka përjashtuar mundësinë e një takimi me Zelenskyn, i cili ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime të tilla të drejtpërdrejta.
Nga ana e tij, Zelensky shprehu menjëherë se Kievi “vlerëson dhe mbështet plotësisht” deklaratën e përbashkët të udhëheqësve evropianë për arritjen e paqes në Ukrainë, duke mbrojtur interesat ukrainase dhe evropiane.”
Trumpi do të takohet me Putinin në Alaskë të premten, për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje që mund ta zgjidhë konfliktin gati katërvjeçar. Hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme nuk janë bërë ende të ditura, përvecc paralajmërimit të Trumpi që tha se ajo do të përfshinte “disa shkëmbime territoresh për përfitimin e të dyja palëve”.
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, deklaroi se një marrëveshje e mundshme mes Rusisë dhe Ukrainës “në fund nuk do të kënaqë as njërën, as tjetrën palë”. Në një intervistë për Fox Neës, ai u shpreh skeptik për një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky para samitit të planifikuar midis Donald Trump dhe Putin, që pritet të mbahet në Alaskë më 15 gusht.
“Sipas meje, një takim i tillë nuk do të ishte shumë produktiv,” tha Vance, duke theksuar se SHBA “natyrisht, e dënon pushtimin” dhe “nuk i pëlqen që gjërat kanë shkuar kështu”, por “duhet bërë paqe”.
Ai konfirmoi gjithashtu se Uashingtoni po punon për të realizuar një takim mes dy liderëve të vendeve në luftë.
Zëvendëssekretari i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev ka ironizuar liderët evropianë pas deklaratës së përbashkët për Ukrainën.
Në një postim në Telegram, ai i cilëson liderët si 'euro idiotë' që po përpiqen të bllokojnë përpjekjet e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ndërsa euro-idiotët po përpiqen të bllokojnë përpjekjet amerikane për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, regjimi i shqetësuar ukrainas po krijon panik dhe po rekruton në front llumin më të ndyrë të njerëzimit.", shkroi ai në Telegram.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka përshëndetur deklaratën e përbashkët me evropianët para samitit të Donald Trump dhe Vladimir Putin, që do të mbahet më 15 gusht në Alaskë.
"Fundi i luftës duhet të jetë i drejtë dhe jam mirënjohës për të gjithë ata që tani qëndrojnë me Ukrainën dhe popullin tonë për paqen në Ukrainë, e cila mbron interesat jetësore të sigurisë së popujve tanë evropianë.
Ukraina vlerëson dhe mbështet plotësisht deklaratën e Presidentit Macron (Francë), Kryeministres Meloni (Itali), Kancelarit Merz (Gjermani), Kryeministrit Tusk (Poloni), Kryeministrit Starmer (Mbretëria e Bashkuar), Presidentes Ursula von der Leyen (Komisioni i BE-së) dhe Presidentit Stubb (Finlandë) për paqen për Ukrainën.", thuhet në reagimin e Zelenskyt.
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova e ka cilësuar deklaratën e përbashkët të udhëheqësve evropiane mbi negociatat në Ukrainë si "një tjetër fletëpalosje naziste".
Komenti i saj vjen pas publikimit të deklaratës së përbashkët nga udhëheqësit e disa vendeve të BE-së dhe Ursula von der Leyen, duke bërë thirrje për një armëpushim.
"Një tjetër fletëpalosje naziste pretendon se suksesi në arritjen e paqes në Ukrainë mund të arrihet vetëm duke ushtruar presion mbi Rusinë dhe duke mbështetur Kievin”, deklaroi ajo.
Ferragosto në Alaska. Këtu do të takohen të premten presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu rus, Vladimir Putin, për një samit në nivelin më të lartë ku do të diskutohet e ardhmja e konfliktit në Ukrainë. Dhe në Shtetet e Bashkuara ka nisur tashmë polemika: "Vendi i vetëm më i mirë për Putinin do të kishte qenë Moska", shpërthen duke folur pa pushim në të gjitha televizionet John Bolton, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i Trumpit, duke e paraqitur takimin si një fitore të rusëve.
Të pakënaqur janë edhe partnerët europianë: të cilët kanë kërkuar tre herë nga Steve Witkoff shpjegime të qarta se në çfarë konsistojnë realisht propozimet e Putinit për të arritur një armëpushim. Sepse fillimisht i dërguari special kishte folur për një Moskë të gatshme të tërhiqej nga zona në jug të Zaporizhias dhe Khersonit në këmbim të kontrollit të plotë të Donetskut. Më pas, ai kishte thënë se në fakt do të ngrinin thjesht vijën e frontit. Por, me sa duket, nuk e kishte kuptuar mirë: në fund doli se e vetmja ofertë në tryezë ishte tërheqja e njëanshme e Ukrainës nga Donetsku. Dhe kështu, çështja e territoreve mbetet nyja më kritike për t’u zgjidhur. Aq më tepër pasi vetë Trump ka sugjeruar "një farë shkëmbimi në terren", duke sinjalizuar gatishmërinë e SHBA-së për të mbështetur kërkesat ruse.
Plani u hodh menjëherë poshtë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Europianët, dje, punuan për një kundërpropozim, duke konfirmuar "mbështetjen e plotë për Kievin".
Megjithatë, mbeten ende detaje të komplikuara: nga garancitë e sigurisë për Ukrainën te e ardhmja e aseteve ruse të ngrira. Së bashku me çështjen Zelensky: Putini nuk e dëshiron. Por, të paktën për këtë, “The Donald” i ka qetësuar aleatët, duke thënë se dëshiron ta takojë menjëherë pas samitit.
Sipas NBC, presidenti po shqyrton gjithashtu mundësinë për ta ftuar megjithatë homologun ukrainas në Alaska, duke mbetur "i hapur për një takim trepalësh". Moska e hedh poshtë kritikat europiane dhe paralajmëron: "Vendet e interesuara për të vazhduar konfliktin do të bëjnë përpjekje titanike – provokime dhe dezinformata – për të minuar takimin e planifikuar", ka akuzuar kreu i negociatorëve rusë për rifillimin e marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në, Kirill Dmitriev.
Vendndodhjen amerikane të samitit e njoftoi vetë Trump, të enjten në mbrëmje, me një postim në rrjetin e tij social Truth, pa ofruar megjithatë detaje të tjera. Një rast historik, padyshim. Takimi i parë ballë për ballë mes liderëve të dy vendeve që prej qershorit 2021, kur ishte Joe Biden që takoi Putinin, në një vend neutral në Gjenevë. Mbi të gjitha, rikthimi i rusit në Amerikë që prej shtatorit 2015, kur, në kohën e Barack Obamës, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Alaska ka qenë tashmë skenë e takimeve në nivel shumë të lartë. Po në vitin 2021, Biden priti në Anchorage – qyteti më i populluar i atij territori të mbuluar me akull për pjesën më të madhe të vitit – presidentin kinez Xi Jinping. Vendi i takimit mund të jetë i njëjti. Por mund të zgjidhet edhe kryeqyteti Juneau ose ndonjë vendpushim i largët.
Duke folur për median katolike EWTN, Sekretari i Shtetit Marco Rubio – dikur mbështetës i madh i Kievit – ka shpjeguar se amerikanët në një farë mënyre "e kuptojnë se çfarë duan rusët për ta ndalur luftën. Nëse ne e mbushim hendekun mes ukrainasve dhe rusëve, presidenti mund të marrë pjesë në çdo lloj takimi dhe ndoshta ta afrojë marrëveshjen". Edhe senatori Lindsey Graham, republikani nga Karolina e Jugut, mik i madh i Trumpit (dhe gjithmonë pro-Ukrainës), ka mbrojtur ftesën amerikane: "Atyre që e kritikojnë atë për gatishmërinë për t’u takuar me Putinin tek ne, vetëm e vetëm për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë, i kujtoj se Reagan u takua me Gorbaçovin për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë". Duke u shprehur i bindur: "Nëse Putini do të këmbëngulë për një marrëveshje të papërshtatshme, Trump do të largohet. Ashtu siç bëri Reagan"./ La Repubblica
Komente

Nuk e kuptoj cfare kerkon unioni i deshtuar europian ne kete mes. Ka dy vjet qe mban situaten ne stanjacion dhe tani tenton te vendose rregullat. Macroni ben mire te rrije aty bashke me burrin e vet se tani situata do zgjidhet ashtu sic thote amerika, dhe as mos bejne gafe ta kundershtojne edhe sikur ukroina te dale nga kjo mesele vetem me kievin.
PërgjigjuEvropisnet, o toç, kërkojne që; Per shitjen e shtëpisé tende te pytesh ti i pari. Jo hajduti dhe komshite,