Automjetet ku u gjetën paratë, trjaleri me të cilin u transportuan dhe administratori i kompanisë Edi Lika

3.4 mln € në 'Toyota', Policia: U informuam pas deklaratës së Bashës, Burime: Ia tha SHISH

25 Qershor 2018, 15:53| Përditesimi: 28 Qershor 2018, 12:22

  • Share

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas sekuestrimit të rreth 3.4 milionë euro në dy automjete të mbërritur me një trajler në Portin e Durrësit nga Gjermania, pasditen e djeshme. 

Policia saktëson se ka marrë informacione lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani, në ora 17.00 të datës 21 qershor, pra 5 orë pas dekonspirimit të këtij informacioni tepër sekret nga ana e Lulzim Bashës në Kuvend:

Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani.  Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.

Deklarata e Policisë së Shtetit

Policia sqaron se bëhet fjalë për sekuestrimin e 3.366.800 euro, gjithashtu janë sekuestruar 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara dhe 80,000 franga zvicerane. Policia thotë se janë arrestuar 4 persona ndërsa janë shpallur në kërkim dy të rinj nga Peshkopia por me banim në Tiranë të cilët dyshohet se ishin porositësit e ngarkesës së sekuestruar e cila ishte nisur nga Gjermania, përmes linjës së trageteve Ancona-Bari.

Të arrestuarit 
Dy nga të ndaluarit janë Edi dhe Klevis Lika, babë e bir. Mësohet se Edi Lika ka në pronësi një servis në autostradën Tiranë- Durrës, ndërsa së fundmi e ka zgjeruar aktivitetin e tij në transport ndërkombëtar mjetesh. I biri, Klevis Lika kishte nisur punë si shofer shoqërues. Ndërsa Agim Ceka 61-vjeç ishte shoferi kryesor i mjetit  ‘Bizark’. Alban Mollaymeri është pronari i një servisi në periferi të Tiranës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara

Thuhet në njoftimin e policisë së shtetit

Në pranga:

• Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
• Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
• Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
• Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve:
• Alfred Vladi 33 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë; 
• Elvis Vladi 38 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë.  

Nga hetimet paraprake, Policia e Shtetit ka të dhëna të besueshme se ngarkesa e sekuestruar ishte e porosituar nga shtetasit E.V. dhe A.V., tashmë të shpallur në kërkim. 

Vijon njoftimi i policisë

Policia sqaron se makinat me para kanë qenë të porositura nga shtetasit Elvis Vladi dhe Alfred Vladi të dy nga Peshkopia. Sipas policisë të dy këta persona janë arratisur menjëherë pas deklaratës së Lulzim Bashës nga foltorja e Kuvendit. Ndërkohë, një burim për Report Tv pranë grupit hetimor saktësoi se ka qenë një agjent i SHISH ai i cili ka dekonspiruar operacionin te kryetari i PD, Lulzim Basha. 

Fjala e Bashës në Kuvend ka bërë që operacioni i policisë i nisur zyrtarisht që më 20 qershor 2018 të finalizohet i paplotë, pasi porositësit e 7 autoveturave "Toyota" shtetasit Alfred Vladi dhe Elvis Vladi nuk janë paraqitur për t’i marrë ato në port duke shmangur arrestimin e më pas të arratisen. Ndërsa pas mbërritjes së karroatrecit me këto mjete policia ka prangosur Agim Cekën shofer, Klevi Lika Canin shofer, Edi Lika Canin pronar të karroatrecit dhe Alban Mollaymerin importuesin nga Gjermania të mjeteve

Një burim pranë grupit hetimor tha për Report Tv se operacioni për sekuestrimin e 3.4 milionë euro në automjetet e mbërritura nga Gjermania në Portin e Durrësit, është dekonspiruar nga një punonjësi i SHISH i cili ka vënë në dijeni kryetarin e PD, Lulzim Basha. “SHISH i tregoi Lulzim Bashës për operacionin. Ka qenë një agjent i SHISH i cili i ka kaluar informacionin kryetarit të PD, Lulzim Basha”, ka thënë i njëjti burim për Report Tv. Pas marrjes deklaratës së Bashës në Kuvend, dy porositësit e automjeteve, Alfred dhe Elvis Vladi u larguan. Basha dhe punonjësi i SHISH mund të vihen nën hetim për dekonspirimin e operacionit.

Njoftim për shtyp – Policia e Shtetit

Policia e Shtetit është vënë në dijeni nga burimet e saj vendase, në datën 20 Qershor 2018, ditën e mërkurë, për një karroatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit.

Me marrjen e këtij informacioni, iu është dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese. 

Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani. 

Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.

Në datë 24 Qershor 2018, në Portin e Durrësit në orën 07:30, mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Policia Kufitare, mbi bazën e porosisë së marrë në datë 20 Qershor, ka bërë identifikimin dhe ndalimin e mjetit. 

Policia e Shtetit ka njoftuar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila po drejton hetimet. 

Më tej, specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës në bashkëpunim me efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin dhe kryen veprimet proceduriale. 

Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit:
• Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
• Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
• Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
• Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve:
• A.V. 33 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë; 
• E.V. 38 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambiente të tjera të personave të dyshuar. 

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
• 3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara;
• 80,000 franga zvicerane.
• 10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.
• 1 armë kallashnikov me 2 krehëra fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;
• 1 radio policie;
• 7 telefona celularë.

Nga hetimet paraprake, Policia e Shtetit ka të dhëna të besueshme se ngarkesa e sekuestruar ishte e porosituar nga shtetasit E.V. dhe A.V., tashmë të shpallur në kërkim. 

Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e personave të tjerë të implikuar. 

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale e kryer në bashkëpunim”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe ”Falsifikimi i monedhave”.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tonini nga Luzi I vogel ,: 25/06/2018 22:58

    Kavaja dhe Tirana me ndarjen e re qenkan ne veri ☠️☠️☠️☠️☠️☠️☠️☠️

    Përgjigju
  • Toni Tirana: 25/06/2018 19:18

    Te gjithe veriore qenkan keta. Late nam

    Përgjigju
  • Jan: 25/06/2018 19:03

    Akoma kopilat dhe spiunet e Sali qenit qe e informojne perpara se te rapojtojne tek eproret e tyre,duhey nje pastrim total i ketyreve anti shqiptareve.

    Përgjigju
  • Kafsha: 25/06/2018 16:51

    Ne vende me agjensi sekrete të zhvilluar, kryetari i një partie është një “hiç me bisht” kur bëhet fjalë për gjëra të tilla.. Vetëm në vende si Shqipëria (gjithnjë nqse kanë agjensi sekrete), ndodh që një kryetar partie të influencojë mbi shërbimin sekret duke dhënë gjoja informacion.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?