Sport

'Serbia me probleme, na duhet një mesfushor-sulmues', Altin Rraklli për Report TV: Kombëtarja do fitojë 0-2

8 Tetor, 14:25| Përditesimi: 8 Tetor, 14:42

  • Share

Altin Rraklli, ish-sulmuesi që ka qenë pjesë e Kombëtares për 13 vite analizoi sfidën mes Serbisë dhe Shqipërisë. Më 11 tetor në Leskovac dy skuadrat do përballen në një 'finale' që vlen shumë për fatet e Grupit K kualifikues të Botërorit 2026. Me gazetarin Andi Kapxhiu në Report TV, Rraklli kërkon që ekipi mos rrijë pas, por të kërkojë shfrytëzimin e shanseve në sulm.

Sipas tij, Serbia nuk është ajo e viteve të kaluara kur kishte futbollistë shumë të mirë dhe shanset që tanët të dalin me tri pikë janë të mëdha. Rraklli ka besim se ekipi ynë do fitojë 0-2.

"Si po e prisni këtë ndeshje?

Po e presim me interes dhe shpresë të madhe. Këtu nuk ka vetëm futboll, në lojë futet edhe historia, ndaj ky duel është edhe më shumë interesant dhe të vështirë. Ne duhet të përqëndrohemi në fushë, te ana sportive. Them se do zgjidhet nga ana sportive, në fushën e lojës. Them se nuk do ketë faktorë të jashtëm në këtë duel. Forma fizike, këtë uroj ta kemi mirë. Kemi lexuar që Serbia ka disa mungesa dhe duhet ta shfrytëzojmë. Për objektivat tona na bën punë vetëm fitorja, nuk na duhet barazimi. Të jemi më të rrezikshëm në sulm.

Mënyra sesi duhet të luajmë dhe emrat që duhen në fushë?

Këtu ka të bëjë edhe forma. Sado i mirë të jetë, por nëse një lojtar nuk ka minuta dhe praktikë loje, është e vështirë. Trajneri i sheh nga afër, i ka aty gjithë këtë kohë lojtarët. Ne kemi një modul loje, e dimë që do luajë me 4-3-3 ose 4-5-1 në mbrojtje. Në anën tonë sulmuese na duhet të bëjmë më shumë. Broja në krah punoi shumë pas në ndeshjen e fundit, ato energji i harxhoi nëse donte të dilte në sulm. Na duhet të dimë sesi do menaxhohet. Na duhen tre sulmues. Futbollistëve duhet t'u kërkojmë më shumë orientim në fazën sulmuese. Në mesfushë, Shehu, Laçi dhe Asllani kanë të njëjtat cilësi. Na duhet një mesfushor me tipare sulmuese. Serbia ka një ekip të gjatë, jo shumë të shpejt dhe duhet ta shfrytëzojmë.

A mund të fitojmë në Leskovac?

Po, patjetër që kemi shanse. E pamë edhe në ndeshjen e parë në Tiranë. Faktori fushë do i 'rrëmbejë' ata dhe do na sulmojnë. Them se nuk do mblidhen pas, por Serbia do na sulmojë. Kjo Serbi e sotme është me defekte. Duhet të futemi në fushë me zemër, pa pikë frike dhe emocioni. Mos harrojmë të mbrohemi mirë dhe të shfrytëzojmë sulmet tona. Nëse ne shënojmë të parët, ata do e kenë të vështirë të na kthejnë ndeshjen.

A donit të ishin përballur vetë me Serbinë në një ndeshje të tillë?

Kam qenë për 13 vite me ekipin kombëtar, por nuk më ka qëlluar ta kem si rival. Vetëm kundër Greqisë kam luajtur nga Ballkani. Na duhet fitorja dhe besoj se do e marrim. Do fitojmë 2-0", tha Rraklli.

Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.

6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit.

Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.

S.Dh/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • lali: 08/10/2025 17:14

    UNE JAM KUNDER RRAKLLIT..SHQIPERIA HUMBET 3-0....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush, kush duhet ta garantojë sigurinë në Gjykata?