Qeveria shkarkoi sot Erion Veliajn nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, një ditë pasi Prefekti i Tiranës Afrim Qendro, i njoftoi zyrtarisht për propozimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak.
Por, për avokatin Idajet Beqiri, nëse Veliaj e çon çështjen për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, atëherë s’do të ketë zgjedhje për Tiranën.
I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, Beqiri tha se Veliaj duhej që të ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe duhej që të dëgjohej.
‘Unë e kam thënë që ai duhet që të jepte vet dorëheqjen para se të fillonte kjo do ta shkarkojmë ose jo. Me dorëheqjen ai mund të thoshte unë s’jam më kryetar bashkie dhe provat s’kam si i prish dhe më jepni masë sigurimi më të butë. Dhe fakti që ai se bëri një gjë të tillë, Këshilli para se të bëjë propozimin për shkarkim duhet që ta dëgjonte atë dhe është i detyruar ta dëgjojë dhe këta nuk e thirrën fare. Duhet që ta zbatonin këtë procedurë. Edhe sot këshilli i ministrave e mori vendimin në mungesë dhe kjo është antikushtetuese. Nëse ai e çon në GJK, gjykata moszbatimin e procedurës së rregullt për ta shkarkuar e cilëson antikushtetuese. Dhe nëse Veliaj e çon në Kushtetuese, s’ka zgjedhje për Tiranë’, tha ai.
Analisti Mentor Kikia, tha se Veliaj ka qenë i suksesshëm në PS dhe të gjithë e shihnin edhe si pasues të kryeministrit Edi Rama.
‘Edhe pse Veliaj ishte në arrest, ai ishte i angazhuar në rrjetet sociale për punë që bëheshin apo ishin bërë kur ai ishte në krye të bashkisë me shpresën se hetimi do të vijonte në gjendje të lirë, por kur shkojë në gjykatë, duket se ai i është dorëzuar këtij realiteti dhe pse s’ka pasur një pohim nëse do ta ankimojë ose jo vendimin për shkarkimin. Kur Rana mblodhi deputetët dhe ministrat e Tiranës ishte në të njëjtën linjë, ai nuk e hodhi dhe se goditi Veliajn, Rama dhe anëtarët e këshillit të PS thanë ka punuar mirë, nuk jemi duke e shkarkuar se s’ka punuar mirë, por sepse ka një vendim gjykate.
Po Veliaj është aktivist, në moshë të re është rritur në një lëvizje të afërt me Ramën. Velian ka qenë i suksesshëm në PS dhe nëse Rama do të humbte zgjedhjet, ose do të largohej, të gjithë shihnin si pasues të tij Veliajn. Është viktimë politike e Ramës’ tha ai.
Për Rezart Kthupin, nga ‘Djathtas 1912’, Veliaj nuk do ta vijoi ‘luftën’ për shkarkimin e tij. Sipas tij, Veliaj s'do të bëjë ankimim në Gjykatën Kushtetuese.
‘Beteja mes Veliajt dhe Ramës ka përfunduar muaj më para, për mua tani Veliaj do të pranojë faktin e kryer. Unë gjykoj se data e zgjedhjeve do të caktohet, ka ose jo ankimim dhe jam kurioz të shoh tekstin e dekretit që hyn në fuqi menjëherë apo pas 15 ditësh. Nëse vendimi hyn në fuqi në momentin që publikohet në fletore dhe shkon në presidencë, po u dekretua data e zgjedhjeve do të hyjmë në një ngërç ligjor’, tha ai.
Në të njëjtën linjë me Kthupin ishte edhe avokati Edmond Petraj. Ai tha se Veliaj nuk do të bëjë ankimim për vendimin e marr nga qeveria për shkarkimin e tij.
‘Unë them se Veliaj s’do të bëjë asnjë lloj ankimi, ai nuk rikthehet dot më në atë integritetin e vet politikë. Ai do të heshtë, por nëse do të kemi ankim do të kemi në Gjykatën Administrative sepse VKM shfuqizohet vetëm atje. Po në kushtet që ai është nuk ka çfarë bënë më, ai duhet që të përballet me akuzat që rëndojnë ndaj tij’, tha ai.
Avokati Spartak Ngjela, ka komentuar shkarkimin e sotëm nga qeveria të Erion Veliajt nga posti i kryebashkaikut të Tiranës.
Në një lidhje skype për emisionin ‘Frontline’, Ngjela tha se Bashkia Tiranë ka nevojë për një drejtues të ri.
‘Ai është i arrestuar, gjithçka e ka në dorë prokuroria se ka askush tjetër. Hetuesi thotë nuk e lëshoj nga burgu sepse më prish provat. Nuk arreston njeri pa prova kryetarin e bashkisë. PS-së ja kërkon ligji dhe s’mund të rrijë kryeqyteti pa kryetar. Ai bëri gabim që nuk dha dorëheqjen, ai është nën akuzë. Prokurori e di që ka forcë që të manipulojë provat. Nëse ai e hedh në proces gjyqësor dhe fiton gjyqin problem tjetër’, tha ai.
Ngjela ngriti pyetjen se çfarë mund të ndodh nëse Veliaj do të shpallet i pafajshëm.
‘Rama ka të drejtë që ta pushojë dhe ai ka të drejtë që ti drejtohet një gjykate. Shkarkimi i tij është domosdoshmëri se është në akuzë penale. Ai mund të marr edhe pafajësi, çfarë do të ndodh pastaj? Kush do të përgjigjet. Kështu ka një lloj nxitimi. Ata e kanë arrestuar sepse e ai mund të devijoi provat’, tha ai.
Komente
