Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) ka sqaruar rrethanat e shpërthimit të ndodhur dje në hotelin 3 katësh të familjes Gjoka në Velipojë, ku mbetën plagosur me djegie të rënda pronarja e hotelit Alketa Gjoka 40 vjeç dhe fëmijët e saj, Klarisa Gjoka 15 vjeç, Danjela Gjoka 18 vjeç, Enriko Gjoka 19 vjeç, të cilët ndodhen në QSUT në Tiranë.
Sipas ISHTI-t, shpërthimi dhe zjarri dyshohet të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit G L N nga një nga bombolat e cila mund të jetë harruar e hapur gjatë natës. Sasia e gazit të rrjedhur dhe ambienti i mbyllur sipas ISHTI-t ka krijuar kushte për shpërthim dhe zjarr në prezencë të faktoreve të jashtëm si ndezja e dritave në këtë ambient ose përdorimi i burimeve të tjera të zjarrit nga pakujdesi njerëzore.
Shpërthimi dhe zjarri kanë ndodhur në katin e parë të hotelit në pjesen jugore të tij në një ambient të mbyllur që dyshohet se ka shërbyer si magazinë ose ambient shërbimi për familjarët. “Në pjesën e jashme të objektit janë gjetur 6 bombola gazi kampingu 3 – 5 kg të destinuara për përdorim në ambient të jashtëm dhe të hapur, me të dhëna të pa identifikueshme si pasojë e mbetjeve të zjarrit dhe blozës”, nënvizon ISHTI.
Bombolat nuk kanë pësuar shpërthim dhe nuk kanë dëmtime, por vetëm efekte të jashtme të shkaktuara nga shtresat e tymit dhe blozës. 6 bombolat janë gjetur në ambientet e brendshme dhe janë nxjerrë jashtë. Gjithashtu në pjesën e jashtme të objektit pranë murit rrethues në pjesën e pasme, gjendet një rezervuar gazi me kapacitet 1000 Litra i cili është i mbyllur dhe bosh. Dyshohet se ky rezervuar është përdorur për vënien në punë të kaldajave të ujit të ngrohtë në dhomat e hotelit gjatë sezonit të verës së kaluar.
4 anëtarët e familjes Gjoka kanë pësuar djegie të rënda në trup, 80 deri në 90%. Aktualisht janë duke u trajtuar me mjekim intensiv dhe në ndjekje të vazhdueshme nga stafi mjekësor në QSUT. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, pasi i gjithë kati i parë i hotelit është shkrumbuar dhe orenditë e këtij objekti kanë fluturuar jashtë.. Fatmirësisht, Forcat zjarrfikëse dhe policia kanë bërë të mundur nxjerrjen e bombolave të pa plasura, duke shmangur pasoja edhe më tragjike të kësaj ngjarje.
Njoftimi i ISHTI-t mbi ngjarjen:
Në zbatim të Ligjit 10 433 datë 16.06.2011, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit 32/2016 “Për Garantimin e Sigurisë së Punës të Pajisjeve dhe Instalimeve Nën Presion”, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Pulaj, rrugës hyrëse Sektor- Vilun, Velipojë, Shkodër, ju informojmë:
Më dt 04.07.2021 rreth orës 08.00 të mëngjesit është marrë informacioni se në Hotel “Enriko” me pronar Arben Gjoka me adresë në fshatin Pulaj, rruga hyrëse Sektor-Vilun, Velipojë, Shkodër ka pasur shpërthim dhe zjarr me pasoja dhe dëmtime të rënda të objektit si dhe familjarëve që kanë në pronësi objektin.
Grupi i punës i përbërë nga inspektorët e sektorit Verior të Drejtorisë së Inspektimit të Enëve nën Presion pranë ISHTI është paraqitur në vendngjarje dhe kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në një objekt me 3 kate që ka shërbyer si hotel sezonal per periudhën e verës.
Shpërthimi dhe zjarri kanë ndodhur në katin e parë të objektit në pjesen jugore të tij në një ambient të mbyllur që dyshohet se ka shërbyer si magazinë ose ambient shërbimi për familjarët. Në pjesën e jashme të objektit janë gjetur 6 bombola gazi kampingu 3 – 5 kg të destinuara për përdorim në ambient të jashtëm dhe të hapur, me të dhëna të pa identifikueshme si pasojë e mbetjeve të zjarrit dhe blozës.
Bombolat nuk kanë pësuar shpërthim dhe nuk kanë dëmtime në trupin e tyre por vetëm efekte të jashtme të shkaktuara nga shtresat e tymit dhe blozës. Personeli PMNZSH Shkodër ka sqaruar se 6 bombolat janë gjetur në ambientet e brendshme dhe janë nxjerrë jashtë nga ana e tyre. Gjithashtu në pjesën e jashtme të objektit pranë murit rrethues në pjesën e pasme, gjendet një rezervuar gazi me kapacitet 1000 Litra i cili është i mbyllur dhe bosh. Dyshohet se ky rezervuar është përdorur për vënien në punë të kaldajave të ujit të ngrohtë në dhomat e hotelit gjatë sezonit të verës së kaluar.
Nisur nga kontrolli i objektit në fjalë dhe deklarimet e PMNZSH Shkodër, shpërthimi dhe zjarri dyshohet të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit G L N nga një nga bombolat e kampingut e cila mund të jetë lënë e hapur gjatë natës si pasojë e një gabimi njerezor. Sasia e gazit të rrjedhur dhe hermeticiteti i ambientit ka krijuar kushte për shpërthim dhe zjarr në prezencë të faktoreve të jashtëm si ndezja e dritave në këtë ambient ose përdorimi i burimeve të tjera të zjarrit nga pakujdesi njerëzore.
Në prezencë të Inspektoreve të ISHTI është përgatitur nga ana PMNZSH Shkodër akti i konstatimit nga ky Institucion si dhe nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë së rrethit Shkodër është përgatitur Procesverbali i këqyrjes të vendit të ngjarjes.
Për gjendjen e 4 anëtarëve të familjes Gjoka, të cilët u dogjën pas shpërthimit të bombolave të gazit në Velipojë. Nëna e njërës prej të plagosurve, Alketa Gjokës 40 vjeç, shprehet për mediat jashtë QSUT-së se vajza ka qenë duke bërë kafen dhe sa ka ndezur shkrepësen ka marrë flakë. Ndërkohë që fëmijët kanë qenë në gjumë.
"Na thanë që kemi dhimbje trupi. Kanë qenë duke fjetur, vajza ka qenë duke bërë kafen, sa ka ndezur shkrepësen, ka marrë flakë aty. Fëmijët kanë qenë duke fjetur, vetëm kur iu ka shkuar flaka te shtrati. Vetëm zoti e di dhe doktori. E ka në dorë doktori", tha ndër të tjera nëna.
Drejtori i zjarrfikësve Shkodër Agron Dibra ka dhënë detaje rreth shpërthimit që ka ndodhur në hotelin e familjes Gjoka në Velipojë, si pasojë e rrjedhjes së gazit. Ai deklaron se familjarët nuk kanë mundur të japin dëshmi për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen.
Sipas tij bombolat e kapingut janë shumë të rrezikshme sepse qëndrojnë gjatë pa u përdorur. Ai i ka cilësuar ato si “kanceri” dhe theksoi se nuk duhen perdorur gjithmonë. Ndërkaq theksoi se bombolat kanë qenë të kolauduara.
“Informacioni eshte marrë rreth ores 6:50 dhe është dërguar mjeti në Velipojë. Ngjarja ka ardhur nga rrjedhja e gazit, është rrjedhje që në moment në mëngjes kanë dashur që të bejë një kafe dhe ka eksploduar. Gazi ka një specifikë të veçantë se kur është në një ambient të mbyllur nuk arrin me e përceptu se është i hapur. Nga një ambient i jashtëm në një ambient të brendshëm do ta kishte vënë re dikush.
Kur eshte ne mjedis te mbyllur gazin nuk e kupton se ka rrjedhje. Afër zonës së hotelit sezoni fillon më vonë se në ranën e hedhun. Familjarët skanë mundur të japin dëshmi. Pavarësisht apeleve qe kam bërë ato bombola jane jashtezakonisht te rrezikshme sidomos në Velipojë që qëndrojnë me nga 10 muaj pa u përdorur, gominat forcohen dhe kur i merr me i vënë në punë krijojne rrjedhje. Ata përdoren më shumë në ambiente të hapura.
Bombolat e kapingut jane gangrena ose kanceri i pjesës së përdorimit të gazit në ambiente familjare ose në kabina. Nuk duhen perdorur gjithmone. Hoteli ka qenë i ndarë në 2 pjesë, kati i parë i shkëputur nga kati i dytë dhe i 3 me anë të shkallëve. Këta janë bombola të kolauduara. Bombolat e kampingut qe i shohim duke u furnizuar ne karburante eshte rreptesisht e ndaluar. Bombola e kampingut e rrezikshme”, tha ai.