KOSOVË- Dy ditë pas shpërthimit me eksploziv në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se po punohet me dedikim për të garantuar furnizimin me energji elektrike. Shqipëria ka ofruar furnizimin me energji për Kosovën deri ditën kur nuk do të ketë më nevojë.
“Institucionet dhe ndërmarrjet publike të Republikës së Kosovës janë duke punuar me dedikim për të garantuar siguri të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët”, shkruan Kurti.
Ndërkohë për pjesën më të madhe të banorëve të prekur është rikthyer furnizimi me ujë nga Liqeni i Ujmanit në veri të vendit. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se ka filluar furnizimi me ujë në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan. Shumë shpejt pritet të normalizohet furnizimi me ujë edhe në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq.
“Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet! Mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Sot, uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furnizimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit!”, shkruan ministrja.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin e 29 nëntorit në kanalin e liqenit të Ujmanit. Të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Po ashtu, janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, 3 granata dore, dy armë automatike AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, helmeta ushtarake, maska, thika. Në fotot e publikuara nga autoritetet në Kosovë, pikasen edhe stema serbe e ruse.
Pas operacionit në 10 lokacione, veriu i Kosovës me vendim të këshillit të sigurisë u blindua me masa shtesë nga polici, ku njësitë speciale vazhdojnë kontrollet në Zubin Potok për identifikimin dhe arrestimin e të tjerë personave. Akuzat si organizatorë të këtij akti terrorist Kosova ia adreson dy organizatave serbe që i ka shpallur terroriste, “Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ dhe sipas policisë disa prej armatimeve ishin pjesë e arsenalit të ngjarjes së Banjskës ku u vra rreshteri Afrim Bunajku. Mes të arrestuarve është edhe Dushan Milanoviç themelues i një portali. Sulmi u dënua nga të gjithë liderët e vendeve perëndimore duke kërkuar zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, në një postim në rrjetin social “X” thotë se DASH dënon sulmin e 29 shtatorit në ujësjellësin e Kosovës dhe mbështet përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit
“Dënojmë sulmin e 29 shtatorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjitha ofertat e mbështetjes për këtë përpjekje. Falë punonjësve të urgjencës dhe të tjerëve, përfshirë KFOR-in për rivendosjen e furnizimeve thelbësore”, shkruan Matthew Miller.
Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë ka dënuar fuqishëm aktin terrorist ndaj infrastrukturës jetike në veri të Kosovës.
Në një postim në X, thuhet se Italia dënon sulmin e neveritshëm në kanalin ujor në Zubin Potok, një infrastrukturë e rëndësishme kritike e vendit.
“Italia dënon sulmin e neveritshëm në kanalin ujor të Zubin Potokut, një infrastrukturë e rëndësishme kritike e vendit. Mirëpresim ndihmën e shpejtë të ofruar nga KFOR-i dhe EULEX-i autoriteteve dhe popullit të Kosovës, të cilëve u shprehim solidaritetin tonë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Italisë.
Foto: Xhelal Sveçla
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla është deklaruar sot serish në lidhje me sulmin terrorist në kanalin e ujit “Ibër-Lepenci” dhe aksionin e ri policor në veri.
Ai gjatë ditës së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë qëndruar në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku janë informuar për së afërmi nga ekspertët e fushës në lidhje me gjendjen aktuale në kanalin e Ibër-Lepencit.
Sveçla ka folur mbi aksionin policor në lokacione të ndryshme drejt ndriçimit të rastit, identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, në lidhje me sulmet e fundit në veri, përfshirë edhe sulmin në kanalin e ujit.
“Nuk jam në ngjarje dhe detaje se çfarë është duke ndodhur. Unë e di që policia po e vazhdon punën e saj. Realisht, ky është sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike. Nëse dikush mendon se ne do ta lëmë me kaq, e ka shumë gabim. Institucionet e sigurisë dhe hetimet do të zbulojnë krejt çka ka ndodhur dhe kush e ka kryer këtë, patjetër se përgjegjësit do t’i vë para drejtësisë, kurse përgjegjësit apo urdhërdhënësit e tyre patjetër që do të marrin barrën politike”, ka thënë Sveçla.
Njësitë e Policisë së Kosovës po vazhdojnë me bastisje nëpër lokacione të ndryshme. Mësohet se aktualisht ata janë duke zhvilluar bastisje në Varagë të Zubin Potokut, përkatësisht në disa lokacione përreth vendit të incidentit./KosovaPress/
Stemat ruse dhe serbe që u gjetën në veri të Kosovës
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dha detaje ditën e djeshme (30 nëntor 2024) se çfarë është gjetur gjatë basitjeve që u zhvilluan në veri të Kosovës pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër – Lepëncit.
Hoxha tha se në 10 lokacionet që u kryen kontrollet blic të policisë së Kosovës janë gjetur mbi 200 uniforma ushtarake, tri granata dore, dy armë automatike AK-47, një revole, municione të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në euro dhe në dinarë dhe pajisje të tjera.
Në fotot e publikuara nga autoritetet në Kosovë, pikasen edhe simbole dhe emblema serbe e ruse.
Viktor Orban
Sulmin e ndodhur të shtunën e 29 nëtorit në Zubin Potok e ka dënuar edhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban.
Përmes një reagimi në “X” ai thotë se duhet hetim gjithëpërfshirës dhe i paanshëm, pasi vetëm në këtë mënyrë do parandalohen tensionet në rajon.
“Dënojmë sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në Zubin Potok. Në vend të akuzave të njëanshme, ne bëjmë thirrje për një hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës. Përmbajtja është e domosdoshme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon”, ka shkruar Orban.
We condemn the attack against #Kosovo's critical infrastructure in Zubin Potok. Instead of biased accusations, we call for an impartial and comprehensive investigation. Restraint is imperative in order to avoid further escalation in the region.
— Orbán Viktor (@PM_ViktorOrban) November 30, 2024
Ministri britanik për Evropën, Stephen Doughty e ka quajtur të tmerrshëm sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës. Ai ka kërkuar hetim të plotë për këtë ngjarje.
“Sulmi i tmerrshëm ndaj ujësjellësit të Ibër Lepencit kishte për qëllim të prishte jetën në të gjithë Kosovën. Përpjekjet e suksesshme të punonjësve të emergjencës për të kufizuar dëmet kanë rikthyer infrastrukturën jetike. Duhet të bëhet një hetim i plotë dhe i menjëhershëm. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi", shkruan ai.