Politikë

Shqipëria e Kosova pjesë e ceremonisë së lamtumirës për Papa Françeskun! Begaj krah Mattarellas dhe Steinmeier, Osmani shtrëngon duart me Trump (VIDEO)

26 Prill, 15:43| Përditesimi: 26 Prill, 16:42

  • Share

Krahas udhëheqësve botërore, në meshën e shenjtë për Papa Françeskun përpara Bazilikës në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan u përfaqësua edhe Shqipëria.

Kreu i shtetit Bajram Begaj, kryesoi delegacionin zyrtar, i shoqëruar nga Zonja e Parë, ministri i Jashtëm Igli Hasani, Adea Pirdeni ministre e shtetit për administratën Publike dhe ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan Majlinda Frangaj.

Krerët e besimeve fetare në vendin tonë dhanë edhe një herë mesazhin e harmonisë unike fetare. Krah njëri-tjetrit në Vatikan, kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joani dëshmuan vëllazërinë mes besimeve, të cilën Papa Françesku e ka çmuar edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Begaj, Osmani, kardinali Ernest Troshani dhe krerët e besimeve fetare homazhe për Papa Françeskun, 25 prill 2025

I ulur mes kardinalëve katolikë nga gjithë bota edhe Ernest Troshani. Sakrifica për të ruajtur besimin gjatë viteve të vështira të komunizmit e përloti Papën gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, aq sa 3 vite më vonë e emëroi kardinalin e parë shqiptar në historinë e katolicizmit.

Kardinali shqiptar Ernest Troshani

Në Vatikan si pjesë e delegacionit të Kosovës udhëtoi Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti. Ata ishin në Vatikan që prej së premtes ku zhvilluan edhe homazhe përpara arkivolit të atit të shenjtë. Osmani gjatë vizitës në Vatikan zhvilloi edhe një takim të shkurtër me presidentin amerikan Donald Trump, fotot e së cilës i shpërndau në rrjetet e saj sociale.

Vjosa Osmani shtërngon duart me Trump 

Qeveria shqiptare e nderoi Atin e Shenjtë duke shpallur 26 prillin, ditën e varrimit të tij, ditë zie kombëtare. Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, ndërpreu fushatën duke shtyrë takimet elektorale të planifikuara këtë të shtunë në qarkun e Fierit duke respektuar zinë kombëtare, teksa ndau në rrjetet sociale një video të Papës së jashtëzakonshëm siç e cilësoi.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha vijoi fushatën por respektoi zinë pa muzikë dhe me 1 minutë heshtje në çdo takim.

Papa Françesku e vizitoi Shqipërinë në shtator të vitit 2014, ndërsa dy vite më vonë, më 4 shtator 2016, shpalli Shenjtore Nënë Terezën.

Delegacioni shqiptar në ceremoninë mortore për Papa Françeskun, Malinda Frangaj, Begaj me bashkëshorten, Hasani dhe Pirdenji, 26 prill 2025

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Karriera: 26/04/2025 19:07

    Presidenti Begaj mori pjese ne dy ngjarje historike madhore ne Kurorezimin Charles IV mbret I Anglise dhe ne ceremonine e Papes se shenjte ne Vatikan! Akrualisht mbetet presidenti me me shume karriere dhe foto historike , rrekord qe zor se e thyen nje president tjeter ne te ardhmen!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?