Homazhet për regjisorin Piro Milkani

Kultura

I jepet lamtumira regjisorit Piro Milkani! I biri për Report TV: E ndjente veten të realizuar, provoi skenarin dhe aktrimin

25 Maj, 10:54| Përditesimi: 25 Maj, 15:21

  • Share

Nën tingujt e muzikës çeke të viteve ‘50, melodi e filmit “Trishtimi i Zonjës Shnajder” të regjisorit Piro Milkani iu dha lamtumira e fundit kolosit të kinematografisë shqiptare.

Në një ceremoni private të afërm, kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq nderuan me homazhe regjisorin e mirënjohur, kontributi i të cilit është i jashtëzakonshëm dhe i paharrueshëm në artin shqiptar.

Mjeshtri i filmit mbylli sytë përgjithmonë në moshën 86-vjeçare, teksa prej kohësh ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, së fundi edhe me probleme me mushkëritë. I biri, Eno Milkani tregon se i Madhi Piro Milkani e ndjente veten të realizuar se provoi aktrimin dhe skenarin.

"E ndjente veten shumë të realizuar, sepse e thoshte e provoi skenari dhe aktrimin. Gjatë kësaj periudhe kishte ulje të rezistencës të organeve jetësore, por nuk e humbiste besimin thoshte do shërohem dhe kështu do të inkurajonim njëri-tjetrin.”, tha Eno Milkani.

Bashkëpunëtorët me të cilët regjisori ideoi dhe krijoi role janë të panumërta. Nik Xhelilaj tregon për filmin e parë që regjisori i besoi.

"Ishalla Piro vazhdon me na frymëzuar nga atje lart me atë që kemi dashur. Energjia e tij është diku me ne”, u shpreh poeti Skënder Sherifi.

"Do t’i flasë brezave se në qëllimin final të tij, artisti nuk është i lidhur me jetën fizike.", theksoi regjisori Kujtim Çashku.

Karriera e tij në kinematografi përfshin regjinë e mbi 20 filmave artistikë dhe dokumentarë, duke përfshirë tituj të njohur si “Kur zbardhi një ditë” (1971), “Zonja nga qyteti” (1976), “Ballë për ballë” (1979), “Militanti” (1984). Pa harruar më tej “Besa e kuqe”, “Pranvera nuk erdhi vetëm”, “Gjenerali i ushtrisë së  vdekur”, së bashku me regjisorin italian Luciano Tovoli, për të finalizuar me “Ngjyrat e moshës” në kapërcim të dy epokave historike të vendit (1990), apo "Lamerica" më 1994 dhe “Trishtimi i zonjës Shnajder” më 2008, ku filmografia e tij u pasurua edhe më shumë, pavarësisht tranzicionit të vendit.

Ora 13:10
Lamtumira për Piro Milkanin, regjisori Kujtim Çashku: La një pasuri që do të ‘frymojë’ në breza

Regjisori Kujtim Çashku, teksa bëri homazhe për Piro Milkanin, foli edhe për Report TV. Ai deklaroi se pasuria e Milkanit do të "frymojë" për breza. 

“Analiza është vetëm vlerësim i një natyre për të thënë se Milkani la pasuri që do të frymojë. Do t’i flasë brezave se në qëllimin final të tij, artisti nuk është i lidhur me jetën fizike. Do të frymoj në breza, vepra e Piros ka qenë vepër e lidhur me një lloj përpjekje për ta pasuruar jetën e shqiptarit, për ta qytetëruar atë dhe zbutur agresivitetin prej të cilit nuk jemi akoma të shëruar totalisht. “, u shpreh ai.

Ora 11:27
Ndarja nga jeta e Piro Milkanit, i biri për Report Tv: Babai nuk e humbi besimin, thoshte do shërohem dhe inkurajonim njëri-tjetrin

Piro Milkani, regjisori i njohur në kinematografinë shqiptare ndërroi jetë një ditë më parë. Në një intervistë ekskluzive për Report Tv i biri, Eno Milkani i pikëlluar shprehet se i ati thoshte se ishte një njeri i realizuar pasi kishte provuar edhe skenarin edhe aktrimin.

 “Piro ka folur me filmat e tij  në 60 vjet. E ndjente veten shumë të realizuar, sepse e thoshte e provoi skenari dhe aktrimin. Gjatë kësaj periudhe kishte ulje të rezistencës të organeve jetësore, por nuk e humbiste besimin thoshte do shërohem dhe kështu do të inkurajonim njëri-tjetrin. Në tre ditët e fundit reagonte shumë pak, derisa u shua dje. 'Zonja nga Qyteti' ka qenë një nga filmat e tij të preferuar. Mendonte që edhe të rinjve duhet tu jepet mundësi për të bërë filma, sepse vetëm duke e kultivuar mund ta mbash gjallë kinematografinë", tha Eno Milkani.

Ora 11:24
Homazhet për Piro Milkanin, poeti Skënder Sherifi: Kemi humbur një pioner të artit shqiptar

Poeti Skënder Sherifi ka bërë homazhe në nderim të Piro Milkanit. Në një prononcim për mediat, ai thotë se kemi humbur një pioner të artit shqiptar.

“Janë persona që kanë hyrë në jetën time shpirtërisht dhe më kujtohen në flashback, të gjithë ato kujtime që kam ndarë me të dy dhe me djalin e tij Enon. Ngushëllimet e mia gjithë familjes dhe shqiptarëve që kanë humbur një pioner të madh. Anagnosti dhe Milkani janë dy monumentet e filmit shqiptar. Ishalla Piro vazhdon me na frymëzuar nga atje lart me atë që kemi dashur. Energjia e tij është diku me ne”, u shpreh ai.

Ora 22:51
Kujtimet e Regjisorit Piro Milkani për 'Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur'! Intervista e dhënë për 'Esencë' në Report Tv

Regjisori i ndjerë Piro Milkani, që u nda nga jeta sot (24 maj), ka rrëfyer në emisionin Esencë, më 22 Dhjetor 2023, edhe për historinë e filmit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, tentativën e një prodhimi të huaj që do të realizohej edhe në Shqipëri me shqiptarët dhe Report Tv e Shqiptarja.com po e risjellin.

Botimi në Francë në vitin 1970 i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pati një pritje shumë të mirë, jo vetëm nga publiku dhe kritika franceze, por edhe nga shtëpitë e mëdha kinematografike atje. Ky interes bëri që të paraqiteshin disa oferta për ekranizimin e këtij romani të Ismail Kadaresë.

Në fillim, një grup skenaristësh të lidhur me shtëpinë botuese Albin Michel në Ambasadën shqiptare në Paris paraqitën ofertën e tyre, por peripecitë mes tyre vazhduan për vite me akuza e kundërakuza, derisa në skenë u shfaq regjisori dhe drejtori i fotografisë italian Luciano Tovoli.

Milkani tregon se Tovoli, i cili kishte punuar me regjisorë të njohur si Mikelanxhelo Antonioni dhe Etore Skola, e kishte dëgjuar një këshillë të rëndësishme nga Sergej Leone, regjisori i famshëm i filmave Western:

“Ai më tha se nëse dua të marr çmimin Oscar si regjisor, duhet të realizoj një roman të shkëlqyer të Ismail Kadaresë.” Kjo fjali e la pa mend Tovolin dhe kështu filloi gjithë aventura.

Tovoli u bashkua me aktorin e shquar francez Michel Piccoli dhe pasi organizuan montazhin financiar, filluan përgatitjet për të angazhuar emra të njohur të kinemasë europiane. Marcelo Mastrojani u dakordua të luante rolin e gjeneralit, Michel Piccoli rolin e priftit, ndërsa aktorë të tjerë si Anuk Eme dhe Serxhio Kasteliti u përfshinë në kastin e filmit.

Në këtë periudhë, Piro Milkani kishte transkriptuar “Gjeneralin” dhe e kishte vendosur me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa Vladimir Prifti kishte realizuar një film televiziv me të njëjtët aktorë në vitin 1978.

Midis viteve 1979 dhe 1982, Luciano Tovoli dhe Michel Piccoli bënë disa udhëtime në Shqipëri për të përcaktuar vendet dhe kalendarin e xhirimeve. Milkani kujton një nga këto udhëtime në Korçë dhe Dardhë, ku për shkak të dëborës rruga ishte e bllokuar dhe ata u detyruan të vazhdonin në këmbë, duke ngjitur një lartësi prej 1600 metrash. Ai veçoi habinë dhe përkushtimin e Piccolit, i cili ishte më i moshuar dhe me shëndet të dobët, por nuk u ankua.

Kur Piccoli pyeti nëse ushtritë gjermane dhe italiane kishin arritur deri në atë humbëtirë, Milkani i konfirmoi dhe aktori u shpreh: “O Zot, sa botë e çmendur!”

Por, kur gjithçka dukej gati për të nisur xhirimet, erdhi një urdhër i papritur nga Komiteti Qendror i Partisë që ndaloi realizimin e filmit në Shqipëri. Kjo gjë shkaktoi habi dhe turp te të gjithë ata që kishin punuar për tre vjet në këtë projekt. Për shkak të kësaj ndalese, producentët duhej të paguanin dëmshpërblime dhe filmi u zhvendos me ngut në Itali. Aty u realizuan xhirimet në periferi të Romës dhe në Kalabri, duke humbur kështu atmosferën autentike shqiptare që ishte pjesë thelbësore e rrëfimit.

“Në atë kohë kishte një entuziazëm të madh, sepse kinemaja franceze po kthehej drejt nesh dhe do të trajtonte një temë shqiptare,” shtoi ai.

Por, fatkeqësisht, marrëveshja me kinostudion “Shqipëria e Re” për xhirimin e filmit në Shqipëri u prish, kjo u shkaktua nga dyshimet që lidhen me vdekjen misterioze të kryeministrit Mehmet Shehu.

“Një marrëveshje ishte nënshkruar më parë midis kinostudios shqiptare dhe palës franceze, që parashikonte xhirime të pjesshme në Shqipëri me pjesëmarrjen e disa artistëve tanë. U anulua çdo marrëveshje dhe artistëve francezë iu refuzua ardhja në Shqipëri dhe lejet për filmime në territorin tonë.”

Megjithatë, filmi u realizua, pavarësisht këtyre pengesave dhe arsyeve absurde që sollën prishjen e kontratës për xhirimet në Shqipëri.

Ky rrëfim i Piro Milkanit tregon qartë jo vetëm entuziazmin e madh dhe përkushtimin e aktorëve dhe kineastëve europianë për të sjellë këtë film në jetë, por edhe pengesat politike dhe burokratike që penguan realizimin e plotë të këtij projekti të rëndësishëm kulturor në vendin e origjinës së tij.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • abc: 25/05/2025 12:05

    FILMAT E TIJ ,,DHE VEPRAT E TIJ JANE TE PAVDEKSHME...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?