Situata ekonomike në vend, ministrja e Financave: Kemi ngadalësim të ritmit të rritjes së çmimeve! Po diskutojmë 2 strategjitë e taksimit për profesionet e lira

20 Maj 2022, 10:19| Përditesimi: 20 Maj 2022, 11:27

  • Share

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri një analizë për sektorin e ekonomisë për 4 mujorin e parë të vitit 2022 duke thënë se ka ngadalësim të rritjes së çmimeve. Sa i përket taksimit të profesioneve të lira, bëri me dije se së shpejti del drafti i ri dhe se po diskutohen 2 strategjitë, por vëmendje më të madhe do të marrë pasi të dalë akti normativ.

Sa i përket mbështetjes për ndërtuesit, tha do të subvencionohen me 30% për çmimet e lëndëve të para. Edhe kategoritë në nevojë do të marrin paketën e Rezistencës Sociale dhe muajin qershor ndërsa më pas do të analizohet ecuria e çmimeve.

Gjithashtu ministrja shtoi se gjatë 4 mujorit të parë të vitit 2022 ka një rënie të importeve me 1%, ndërkohë që eksportet kanë pësuar rritje.

"Për 2022 presim rritje 3.2% bazuar në treguesit e deritanishëm.  Inflacioni për 4 mujorin e parë të vitit ka pasur normë mesatare rritje me 4.9% ndërsa në muajin prill rezultoi 6.2%. Për rritjen e inflacionit mujor nga marsi në prill kemi pasur reduktim të ritmit të rritjes së inflacionit. Në mars, inflacioni mujor është rritur me 3.9% ndërsa në prill rritja është me 1.1%. Pra kemi ngadalësim të ritmit të rritjes së çmimeve që jep një sinjal pozitiv për pritshmëritë për inflacionin.

Në eksporte kemi pasur rritje në vëllim dhe vlerë në të gjithë sektorët. Për të ardhurat në 4 mujorin e parë, janë realizuar në nivelin 187 miliardë lekë ose 34.7 miliardë më shumë sesa vitin e kaluar. Importet kanë rënë me 1% në katërmujorin e parë të vitit, dhe shkak ka qenë rënia në vëllim e importeve të plehrave kimike, pasi merren direkt nga Ukraina", tha Ibrahimaj.

Ora 10:57
Paketa e Rezistencës Sociale, ministrja e Financave: Do të analizojmë ecurinë e çmimeve!

1653037493_ii.JPG

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj shpjegoi se paketa e rezistencës socialie do të vijojë edhe për muajin qershor për kategoritë në nevojë ndërsa në vijim do të analizohet ecuria e çmimeve për të marrë vendime të duhura.

"Paketa e rezistencës është në mes të disbursimit të saj, ishin parashikuar 3 muaj ndërkohë që sot jemi në mes të majit. Pra dhe në muajin qershor për kategoritë e targetuara do të merret përfitimi i parashikuar. Ne jemi duke analizuar me kujdes ecurinë e normave të inflacionit, të cilat ndikojnë më shumë në kategorinë e shtresave në nevojë që nuk përballojnë rritjen e çmimeve.

Normat e inflacionit mujor kanë ardhur duke u reduktuar. Ne urojmë që për shumë elementë të tjerë që kjo tendencë të vijojë. Do të jemi të kujdesshëm që të analizojmë ecurinë e çmimeve dhe të marrim vendime të duhura", tha Ibrahimaj.

Ora 10:49
Ndërtuesit do subvencionohen me 30% për çmimet e rritura të lëndëve të para! Ibrahimaj: Po diskutojmë 2 strategjitë e taksimit për profesionet e lira

 

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dha detaje për taksimin e profesioneve të lira duke thënë se po diskutohen 2 strategjitë, por vëmendje më të madhe do të marrë pasi të dalë akti normativ.

"Ka disa forma taksimi të parashikuara, një formë është në mënyrë progresive, një formë tjetër është biznesi mund të zgjedh formën e taksimit. Do ketë vëmendjen e duhur pasi të dalë akti normativ", tha Ibrahimaj.

Gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku e pyeti edhe për mbështetjen e ndërtuesve për çmimet e rritura dhe ministrja shpjegoi se do të subvencionohen me 30% për çmimet e lëndëve të para.

"Akti normativ ka kaluar në mbledhjen e qeverisë, parashikon kompensim për rritjen e çmimeve deri në 30%. Parashikon që autoritetet kontraktuese të marrin në analizë, çmimet e çimentos, hekurit, bitumit, bakrin etje.. që janë shtrenjtuar, do analizojmë çmimet dhe faturat duhet të njihet 30% rritja e çmimeve. Fondi i kompensimit do të përcaktohet në varësi të kërkesave", tha Ibrahimaj.

Ora 10:36
Taksimi mbi të ardhurat për të vetëpunësuarit, ministrja: Drafti i ri publikohet së shpejti! Duam të vendosim barazi në taksim

1653034342_delinda.jpg

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj foli në konferencën për media për tatimin e profesioneve të lira duke treguar se së shpejti do të publikohet drafti i ri për taksimin mbi të ardhurat të të vetëpunësuarit.  Ministrja shpjegoi se qëllimi është të vendoset barazi në taksim dhe mori shembull një avokat të punësuar që paguan tatim mbi pagat ndërsa një tjetër që ofron shërbim nuk paguan taksa.

"Procesi i konsultimit publik për ligjin e tatimit mbi të ardhurat do të fillojë më 1 qershor. Është revolucion për deklarimin e të ardhurave. Drafti i ri për të ardhurat personale për tatimin e të vetpunësuarve do të publikohet për pak ditë. Do të ketë disa elementë të shtuar në deklarimin e të ardhurave, ligj i plotë që vjen në kohën e duhur.

Kur u ndërmor iniciativa e rritjes së tavanit, i drejtohej bizneseve të vogla dhe zhvillimit të tyre. Kjo politikë do të vijojë të mbështetet pasi përbën kategori të madhe. Është vënë re që pasi u rritën tavanet, ka disa kategori profesionesh që përfitojnë duke qenë të punësuar dhe duke ofruar shërbime për punëdhënësit. Këto kategori do të adresohen, pra janë individë ose profesione që kanë regjistruar aktivitet biznesi dhe ofrojnë shërbimet për bizneset e tjera. Nuk mendojmë se është padrejtësi për këto subjekte. Përshembull, një avokat i punësuar, paguan tatim mbi pagat, ndërsa një avokat që ofron shërbim por paguhet por nuk paguan asnjë takse. Ne duam të vendosim barazi në taksim", tha Ibrahimaj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?