Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë orëve të fundit janë evidentuar 13 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive. Aktualisht, vatrat aktive ndodhen në qarqet Vlorë, Fier, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Tiranë. Në qarkun e Vlorës, në fshatin Navaricë, zjarri është spostuar drejt malit mbi fshat, ndërsa në fshatin Leshnicë e Poshtme, pas ndërhyrjes nga ajri, është shmangur rreziku për banesat. Në operacion morën pjesë një helikopter i Forcës Ajrore dhe dy avionë Fireboss nga Suedia, të cilët kryen 44 hedhje uji.
Po në Vlorë, në fshatin Tragjas, zjarri përhapet në një zonë me bimësi të ulët dhe shkurre, por pa rrezik për banesat, ndërkohë që forcat zjarrfikëse dhe ato të Shërbimit Pyjor janë në terren.
Në qarkun Fier, në fshatin Lofkënd të bashkisë Mallakastër, zjarri është izoluar pjesërisht, por mbetet aktiv në dy vatra ku ndërhyrja nga toka është e pamundur. Për këtë arsye, po ndërhyhet nga ajri me avionin kanadez Canadair.
Në qarkun Lezhë, në fshatin Malaj Epërm të bashkisë Mirditë, zjarri vijon në një sipërfaqe pyjore me bimësi të dendur në një terren të vështirë. Pavarësisht vështirësive, 33 forca operacionale po punojnë në krijimin e brezave ndarës për të frenuar përhapjen e zjarrit. Deri tani janë përfshirë rreth 10 hektarë.
Në Dibrën, në zonën e quajtur “Mali i Allushit”, në fshatin Plan i Bardhë, është riaktivizuar një vatër e mëparshme, por është vënë nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Në Elbasan, në fshatin Lleshaj të bashkisë Gramsh, zjarri në një sipërfaqe me dushqe është izoluar pas punës intensive dhe aktualisht mbahet në monitorim për të shmangur riaktivizimet.
Në qarkun Tiranë, në malin e Bërzhitës, zjarri po digjet në një zonë me bimësi të dendur dhe po punohet për shuarjen nga 15 forca të MZSH-së. Asnjëra nga këto vatra nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara.
Lajmi kryesor:
8 zjarre aktive në disa qarqe të vendit, vijojnë flakët në Tragjas të Vlorës, Mallakastër, Bërzhitë e Gjirokastër! Ndihmuan tre avionë nga Suedia e Kroacia
Xh.D/ReportTv.al
