KOSOVË- Ambasadat e SHBA në Prishtinë dhe Beograd janë në të njëjtën linjë për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ku është sulmuar me bombë patrulla e EULEX. Në një reagim kërkojnë që të çmontohen postblloqet dhe t'i jepet fund kërcënimeve me dhunë dhe frikësimit. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është tërhequr nga gjuha e ashpër pasi tha se barrikadat në veri të Kosovës nuk i vendosën serbët. Po ashtu shtoi se ndihet i zhgënjyer nga amerikanët ndërsa shton se nuk janë vendosur nga serbët barrikadat. Pas tensioneve të krijuara në ai u bëri thirrje serbëve që të mos bien pre e provokimve, ndërsa shqiptarëve që të ruajnë paqen.
Kosova ka zgjedhur paqen dhe demokracinë, për t’i dhënë zgjidhje situatës së tensionuar në veri të Kosovës. Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se Kosova është Qeveria e paqes. E pikërisht me këtë zgjedhje, Kurti shprehet se ndryshe nga Kosova, Serbia ka zgjedhur të shkuarën, me luftë e gjenocid duke u shkëputur nga ndikimi Perëndimor dhe Evropian për t’u “mbështetur” nga Kina dhe Rusia. Situata e tensionuar kulmoi me mesazhin në rrjete sociale të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç i cili me terminologjitë e luftës, shprehet se Beogradi nuk do të dorëzohet.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka ftuar qytetarët serb të reflektojnë nga dirigjimi propagandistik i presidenti serb, Vuçiç i cili nuk ka qëllim rrugën evropiane. Kurti i ftoi qytetarët serb edhe në këtë situatë kaq të brishtë, të bisedojnë, qeverisin e dialogojnë së bashku, ashtu siç do bëntë një vend demokratik.
Sa u përket tensioneve në veri, duket se situata ende nuk është e qetë, më herët mediat raportuan për një sulm me bombë në patrullën e EULEX-it. Kurti shton se është i gatshëm të dialogojë me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje finale me kusht që në qendër të bisedimeve të jetë njohja e Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur e sovran.
“Jam i gatshëm që sa më parë të kemi një marrëveshje finale, natyrisht me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes. Nervozomini i Beogradit nuk ka të bëjë gjendjen në Kosovë, ne jemi në nja shkallë përparimi pavarësisht se nuk njihemi nga Serbia. Ata dëshirojnë që nga Franca e Gjermania të shkojnë te Kina dhe Rusia. Kryeministrja e Serbisë e zgjodhi Kinën që të japë deklarata për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.”-tha kryeministri i Kosovës, Kurti.
Ecuria e Kosovës në shinat Evropiane kanë qenë shkaqet e “shpërthimit” të tensioneve nga Serbia, të cilët edhe pse nuk e njohin, Prishtina ka pasur një sukses ndërkombëtar të jashtëzakonshëm. Kryeministri i Kosovës, Kurti shprehet se dëshira e Serbisë është animi nga propozimi franko-gjerman në Kinë dhe Rusi, pasi janë pikërisht këto vende që preferojnë gjuhën e lutës dhe gjenocidit.
Pothuajse e gjithë dita e dielë ka qenë e tensionuar pas shpërthimeve të fuqishme që ndodhën në Zveçan, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh. Barrikadat e vendosura u përforcuan me makineri të rënda, sidomos në fshatin Soqanicë dhe Rudare, ndërsa janë vendosur edhe tenda për qytetarët. Të bllokuara deri në mbrëmje mbeten rrugët për në Bërnjak dhe Jarinje.
Policia e Kosovës ka vazhduar patrullimet gjatë ditës nëpër lagjet e banuara me popullatë të përzier në veri, për të garantuar rendin publik, si dhe duke ofruar siguri për të gjithë banorët pa dallim. Situata në veri të Kosovës u tensionua pas arrestimit të ish policit serb, Dejan Pantiç.
Çfarë po ndodh në veri:
Sot është sulmuar me bombë të kontrolluar patrulla e EULEX-t në veri të Kosovës. Rrugët kryesore në veri po mbahen të bllokuara nga grupe të serbëve ndërsa autoritetet u detyruan të mbyllin dy pikat kufitare me Serbinë - Jarinje dhe Bërnjak. Ditën e djeshme, në veri ka patur një situatë dramatike me bomba, sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese.
Ndërkombëtarët janë bërë bashkë, për të dënuar sulmin e paprecedentë të forcave KFOR, EULEX dhe policisë së Kosovës në veri duke shtuar se autorët duhet të thirren përpara drejtësisë për aktet e tyre.
Një reagim tjetër erdhi edhe nga Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç. Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është “i vetmi që dëshiron konflikte dhe luftë” dhe se “Beogradi dhe populli serb dëshirojnë paqe dhe gjithmonë insistojnë në paqe”.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë, janë “krejtësisht të papranushme”. Në një postim në Twitter, Baerbock tha se Kosova uli tensionet me shtyrjen e zgjedhjeve, por Serbia po bën të kundërtën.
“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm. Kështu janë edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it. E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga Lajçak”, shkroi Ministrja gjermane.
Në përfundim të seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se u kërkon shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë që të ruajnë paqen. Po ashtu bën thirrje që serbët të mos bien pre e provokimeve. Sipas tij janë marrë masat për mbrojtjen e Serbisë, por nuk dha detaje kokrete.
“U bëj thirrje serbëve në veri të Kosovës që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve. Janë marrë masat e duhura për mbrojtjen e atdheut tonë”, tha ai pas një takimi të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.
Duke iu referuar reagimit të ambasadës së SHBA në Prishtinë dhe Beograd, Vuçiç tha se “është i tronditur me deklaratat e disa zyrtarëve evropianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”.
“Askush prej Beogradit nuk i ka urdhëruar barrikadat. E kuptova shumë mirë atë mesazh dhe e prisja, megjithëse jam i zhgënjyer. Ata kanë fëmijën e tyre dhe po e mbrojnë. Fëmijën shqiptar e krijuan 20 vjet më parë, tani thonë se barrikadat janë problem”, tha ai.
Presidenti i Serbisë tha se për të kjo është dita më e vështirë që kur ka qenë president apo kryeministër dhe se nata më e vështirë është përpara.
Vuçiç porositi serbët në veri se sulmet mbi misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe atë të BE-së, EULEX, “nuk guxojnë të ndodhin”.
Në një deklaratë të përbashkët për media, ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd ka reaguar lidhur me tensionet në Veriun e Kosovës. SHBA ashtu kërkon heqjen e barrikadave dhe përmbajtje të palëve që të shmangin çdo përshkallëzim.
SHBA-ja dënon të gjitha sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Në deklaratë e përbashkët thuhet se arrestimi i të personit të dyshuar se autoritetet kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor (referuar Dejan Pantiç) po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.
“Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës. Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.
Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t'i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t'i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim vlerësimin dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.
I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese.”, thuhet në deklaratë.
Pas sulmit të patrullave të EULEX-it në Kosovë, mediat serbe shkruajnë se sonte pritet të ndodhë një aksion i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, në veri, të cilin po e konsiderojnë si “fillim të një lufte”.
Media serbe ‘Novosti’ shkruan se “Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur të fillojë një luftë”.
Sipas një lajmi të publikuar pak më herët, thuhet se “Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ka kontaktuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it”.
Po ashtu pretendon se përfaqësuesit e QUINT-it janë informuar nga Kurti se do ta dërgojë Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës në veri, për t’i larguar të gjitha barrikadat.
Sipas ‘Novostit’, kryeministri i Kosovës ka informuar përfaqësuesit e QUINT-it se ka urdhëruar policinë që të qëndrojë në gatishmëri për “aksionin e mbrëmjes së sotme”.
Ndërkohë Vucic ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe bnë orën 19:30 flet për “vendimet e fundit”.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka reaguar ndaj shefit të diplomacisë së BE, Josep Borrell duke thënë se duhet të dënonte të shtënat me armë ndaj policisë së Kosovës ashtu si sulmin ndaj patrullës të EULEX-it.
“Çdo jetë ka rëndësi. Borrell gjithashtu duhet t’i dënojë të shtënat ndaj Policisë së Kosovës duke përmbushur detyrën e saj dhe duke i mbrojtur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nga sulmet e bandave kriminale. Deklaratat që nuk e dënojnë Vuçiqin për agresionin e tij të hapur inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, shkroi Gërvalla në Twitter.
Kosova planifikon të paraqesë zyrtarisht një aplikim për t'u bashkuar në BE gjatë ditëve në vijim – një përpjekje për t’i treguar kryeqyteteve evropiane se është serioze për reformat dhe për t'iu afruar bllokut.
“Ne jemi të gatshëm ta vendosim Kosovën në trajektoren e re”, tha në një intervistë për POLITICO-n, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës i ngarkuar për integrimet evropiane.
Megjithatë, procesi i pranimit në BE është jashtëzakonisht i gjerë, duke kërkuar vite ndryshimesh në rregulla, si dhe reforma ekonomike dhe gjyqësore. Dhe rasti i Kosovës është veçanërisht i ngarkuar për BE-në. Pesë anëtarë të BE-së – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Bislimi tha se e dinte se do të duhej kohë derisa Kosova të ishte gati për anëtarësim, por ai përmendi vitin 2030 si objektiv fillestar. BE-ja, tha ai , “nuk do të jetë kurrë e plotë pa Ballkanin Perëndimor”.
Aplikimi vjen në një moment udhëkryqi për BE-në. Për vite të tëra, zgjerimi ka ngecur, por lufta e Rusisë në Ukrainë ka krijuar një shtysë të re për të mbrojtur ndikimin gjeopolitik të Brukselit, me kryeqytetet e BE-së që shqetësohen gjithnjë e më shumë për humbjen e fqinjëve të tyre nga ndikimi i Moskës. Në muajt e fundit, BE-ja është fokusuar veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, duke e vendosur rajonin në një të ardhme më të integruar me BE-në – dhe duke premtuar të ringjallë aspiratat e anëtarësimit gjysmë të fjetur.
Një avantazh për Kosovën, tha Bislimi, është popullsia e saj e re, e cila është “më entuziastja për t'u bashkuar”. Zëvendëskryeministri - një ekonomist dhe akademik me profesion - shprehu gjithashtu optimizëm se vendi i tij do të jetë në gjendje të zbatojë shpejt ndryshimet ekonomike.
“Për mendimin tim, bollëku i frymës ndërmarrëse që shihni në Kosovë, deri diku do t'i lehtësonte këto reforma ekonomike për ne,” tha ai
Por ai gjithashtu pranoi sfidat e konsiderueshme, veçanërisht miratimin e standardeve të sundimit të ligjit të BE-së. Sa i përket çështjes kontestuese të njohjes, Bislimi argumentoi se mosmirëjohësit aktualë të BE-së përfundimisht nuk do të paraqesin pengesë për ofertën e anëtarësimit të Kosovës.
“Duke qenë se anëtarësimi është një proces afatgjatë. Ne besojmë se deri atëherë do të jemi të gatshëm të zgjidhim të gjitha ato mosmarrëveshje që i kanë penguar këto vende të njohin Kosovën dhe pastaj ta bëjnë këtë çështje të panevojshme”, tha ai.
Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, por të dy vendet mbeten në një bllokim të tensionuar që herë pas here ndizet. BE-ja ka udhëhequr një dialog midis dy vendeve që ka prodhuar pak progres gjatë viteve të fundit. Por zëvendëskryeministri tha se ka një rrugë përpara pasi Brukseli së fundmi paraqiti një propozim të përditësuar.
“Shpresojmë që shumë shpejt të fillojmë këtë proces të rëndësishëm dhe intensiv të normalizimit të ndërmjetëm. Ne do ta quajmë këtë një traktat bazë – një traktat që mund të sjellë zgjidhje për shumicën e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por jo domosdoshmërisht do të thotë normalizim i plotë”, tha Bislimi.
Edhe një marrëveshje e pjesshme me Beogradin mund të ndihmojë në hapjen e rrugës për Kosovën për t'u afruar me BE-në dhe për të rritur shanset për normalizim të plotë poshtë vijës, sipas zëvendëskryeministrit.
“Unë mendoj se vetë ideja për të pasur këtë hap të ndërmjetëm mund të jetë e mjaftueshme,” tha Bislimi, “për të treguar përkushtimin e palëve ndaj atyre vendeve skeptike – dhe për t'i çuar ato në rrugën e njohjes”.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka reaguar pas deklaratave të zyrtarëve serb, për “kërkesën” e tyre për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Me anë të një postimi në facebook ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim me kryeministrin Kurti dhe gjithë zyrtarët e tjerë që kanë reaguar për këtë situatë të tensionuar duke thënë se çdo gjë që po ndodh është e papranueshme. Mehaj ka reagur kundër mbështetjes që politika serbe i ka dhënë grupeve kriminale, kjo sipas mendimit të tij dhe thotë se është fundi i periudhës së shantazheve dhe kërcënimeve nga ana e Vuçiç.
“Periudhës së shantazheve dhe kërcënimit, i ka ardhur fundi. Në Republikën e Kosovës nuk do të lejohet më veprimi i grupeve kriminale serbe që udhëhiqen nga Beogradi, e asnjë formë e ilegalitetit që pengon integrimin e komunitetit serb në veri të vendit, dhe që ka për qëllim sabotimin e institucioneve”, shkroi ai në Facebook.
Ministri i mbrojtjes në Kosovë ka folur për kërcenimet duke shprehur edhe atdhetarizmin, që sipas tij popullit të Kosovës nuk i ka munguar asnjëherë dhe nuk do mungoj as këtë herë.
“Nuk do të ndodhin problemë ngase nuk do të lejohen asnjëherë. Shteti i Republikës së Kosovës në gjithë gjatësinë e vet territoriale ka burra e gra, pjesëtarë të Policisë e të Ushtrisë, që i dalin për zot në çdo kohë, që e duan atdheun e mbrojnë qytetarët e vet”, ka thënë Mehaj.
Policia e Kosovës informon se janë të pavërteta pretendimet e disa mediave serbe, përfshirë edhe deklaratën e drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili thotë se policia e Kosovës ka sulmuar një punjosës serb. Ai ka thënë se njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë ndaluar dhe një qytetar/punonjës serb dhe e kanë sulmuar atë duke i grisur flamurin dhe duke i marrë çelësat.
“Ia morën çelësat rojës, grisën flamujt. BE-ja duhet ta frenojë ngacmuesin dhe uzurpatorin Kurtin nga veprimet e tij të njëanshme dhe të armatosura me të cilat dëshiron të shkaktojë luftë!” – shkroi Petkoviç.
"Nuk kemi keqtrajtuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm kanë kontrolluar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë vendndodhje është shoqëruar nga policia për kontroll e më pas është liruar pa asnjë problem", ka deklaru\ar Policia e Kosovës.
Në një reagim dërguar mediave, Policia e Kosovës informon se “Policia e Kosovës me njësitet e saja është vendosur në rrugën kryesore në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut, nuk është vendosur në ndonjë objekt të caktuar si dhe nuk ka goditur apo lënduar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media.
Mediat serbe raportojnë se presidenti Aleksandër Vuçiç, ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
Mësohet se kjo mbledhje është thirrur pas raportimeve se “do të sulmohen serbët në barrikada në veri sonte”. Takimi parashikohet të nisë në orën 19:00, pas kësaj Vuçiç do të ketë një komunikim për mediat.
Ali Ahmeti ka reaguar në lidhje më situatën tensionuese në veri të Kosovës. Me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook ai e dënon sulmin që vjen nga grupet terroriste dhe thotë se sulmet mbi policinë e Kosovës janë krejtësisht të papranueshme.
“Situata në veri dhe sulmet mbi forcat e EULEX dhe të policisë së Kosovës nga grupe kriminale të mbështetura politikisht janë të papranueshme. Gjendja në veri të Kosovës bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu, sepse rajonit nuk i duhen konflikte në kulmin e krizës në të cilin gjendet kontinenti evropian.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim e mbyll postimin e tij në facebook duke thënë se duhet të ndalojnë menjëherë këto sulme dhe të dyja palët të ulen për bisedime, madje i quan akte të inskenuara.
“Vini fund këtyre akteve të insekenuar për të nxitur dhunë dhe konflikt dhe përfundoni dialogun menjëherë me finalizimin e marrëveshjes që do të sjellë njohje të ndërsjelltë mes dy vendeve, hap ky që do të sjelle paqe dhe prosperitet në gjithë vendin.
Kryeministri Albin Kurti tha se është i shqetësuar për shpërthimet dhe të dhënat me armë në veri të Kosovës që sipas tj kanë zbuluar qëllimin e Serbisë.
Në një konferencë për mediat u shpreh se targat e automjeteve dhe zgjedhjet nuk mund të përdoren si pretekst nga Serbia. Po ashtu u shpreh se bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi do të shpikin diçka për ta zbatuar planin e tyre. Megjithatë supozon se dorëheqja e serbëve nga uniformat e policisë u bë për të qëlluar bandat kriminale.
“Ajo që po më brengos më së shumti është që po del qëllimi i vërtetë i dorëheqjeve të policëve që u urdhëruan nga Beogradi. E ky është që në Kosovë të mos ketë uniforma me të cilat janë serbët. Rrjedhimisht, bandat kriminale të mund të qëllojnë mbi uniforma në Kosovë, sepse ato janë ose Policia e Kosovës me shqiptarë, boshnjakë, romë, ashkali, egjiptianë, goranë e turq, ose janë uniformat e EULEX-it me ndërkombëtarë e europianë… Pra, në njëfarë mënyre, po del që urdhri i Beogradit që të dorëhiqen serbët nga uniformat në Kosovë është që këto banda kriminale ta kenë sigurinë e plotë që kur të qëllojnë te njerëzit e uniformuar, ata janë të sigurtë që aty nuk ka serbë. Kjo tregon çfarë mendësie etnike ekskluzive kanë ata”, tha shefi i Qeverisë.
Zëdhënësja e NATO-s,Oana Lungescu ka reaguar lidhur me sulmin me bombë mbrëmjen e djeshme ndaj patrullës së EULEX-it në Rudarë, Veriun e Kosovës. Lungescu dënon sulmin dhe e konsideron si të papranueshëm dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi.
“Ne bashkohemi me Aleatët e NATO-s dhe BE- në për të dënuar fuqishëm sulmin me granatë ndaj patrullës së EULEX-it mbrëmë. Çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.”, tha Lungescu në Twitter.
Zëdhënësja shkruan se NATO është plotësisht të aftë të përmbushim mandatin e saj në Kosovë
“Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të kryer mandatin që ka. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet dhe retorikën provokuese dhe të kontribuojnë për qetësinë dhe stabilitetin”, shtoi ajo.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas bombws qw u hodh mbrëmjen e 10 dhjetorit ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it në veri të Kosovës.
“EULEX-i kontribuon në ofrimin e sigurisë dhe sigurisë për të gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet tani”, tha ai.
Kurti në konferencën që u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, deklaroi se Serbia po e kërcënon Kosovën me luftë.
“Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe rikthim të trupave të saj ushtarake, të cilët patën kryer gjenocid në Kosovë. Beogradi po flet dhe sillet si para 23 viteve, dhe udhëhiqet nga një kastë e njëjtë politikanësh, ish-ministri dhe ish-zëdhënësi i partisë së Millosheviqit. Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë, pra kërkon të vazhdojë luftën që e humbi dhe kapitullimin e pranoi asokohe në Kumanovë, më 9 qershor 1999.”
Kosova dëshiron dialog dhe është e kthyer katërcipërisht nga demokracia dhe Perëndimi. Ky ishte mesazhi i kryeministrit Albin Kurti në një kohë kur situata e veriut të Kosovës është mjaft e tensionuar.
Kurti u bën thirrje partnerëve dhe qytetarëve serbë në Kosovë të qeverisin, të kuvendojnë së bashku, në rrugën me evropiane të mundshme. Kurti theksoi disa herë qëndrimin e Kosovës ndaj çdo agresioni të mundshëm, duke e cilësuar Republikën e Kosovës “Qeveria e Paqes”
“Ajo që na vinte si normalizim ishte propaganda e bandave të Beogradit. Me kriminle si Raodviçi bëheshin marrëveshje për të blerë sigurinë e vendit. Një situatë e tillë është e papranueshme për një shtet demokratik, evropian e prosperues siç është Republika e Kosovës.
Sundimi i ligjit në Kosovë është i padiskutueshëm. Qeveria e Kosovës është në bashkëpunim për dialog me vendet si Serbia. Jemi vendi më demokratik. Duam të veprojmë me kujdes duke parë situatën. Për shkak të brishtësie së situatës atje dhe partneritetit kemi toleruar shtyrjen e afateve tona. Por edhe atyre i vjen skadenca. Paligjshmëria nuk do të tolerohet e as do të tolerohet në asnjë pjesë të vendit tonë. Ftoj gjithë serbët në Kosovë, të punojnë, të qeverisin dhe të kuvendojmë bashkë me ne. Serbia dëshiron gjenocidin dhe të rikthejë luftën ne duam rrugën evropiane. Qytetarët e Serbisë duhet të kthehen drejt rrugës evropiane. Ne jemi qeveri e paqes e cila dëshiron ta ruajë stabilitetin.”- tha Kurti në konferencë për media.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, bëri thirrje për qetësi dhe durim.
"Të gjitha protestat duhet të jenë paqësore dhe demokratike. Ne duhet të mbrojmë gjënë e vetme më të rëndësishme për të gjithë: paqen", shkroi ajo në Twitter.
Bërnabiq tha se “atë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e percepton si kërcënim janë thirrjet tona të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet, dialog të hapur dhe të ndershëm, respektim dhe zbatim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani".
Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do t'i tolerojë sulmet ndaj EULEX-it.
“BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it apo përdorimin e dhunës, dhe akteve kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të kthehet. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë veprimet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Gjithë akterët duhet të evitojnë përshkallëzimin”, ka shkruar Borrell në Tëitter.
Lista Serbe ka reagur për situanën e tensionuar në veri të Kosovës. Në një njoftim për mediat, ajo i kërkon qytetarëve që mos jenë agresivë dhe të lejojnë KFOR-in dhe EULEC-in që të lëvizin në atë zonë, duke i kujtuar të gjithëve se prania e tyre atje është në përputhje të rregullt me marrëveshjet ndërkombëtare që janë miratuar vite më parë.
Sulmin me bombë ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një postimi në Tëitter. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.
“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier në Tëitter.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar në veri të vendit. Sipas Kurtit, po punojnë me KFOR që të adresojnë situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore. Kurti akuzon Vuçiçin se ka kërcënuar me agresion ushtarak duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin e tyre, ndërsa shton se nuk kërkojnë konflikt, por dialog dhe paqe.
‘Presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet - me forcë dhe vendosmëri. Me zgjidhjen e çështjes së targave dhe vonesën e zgjedhjeve, bandave kriminale në veri të Kosovës u mungon edhe preteksti më i dobët për barrikada dhe sulme të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim me NATO dhe KFOR, ne po punojmë për të adresuar situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore.’- shkruan Kurti.
Një bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e dhjetorit, në afërsi të Rudares, njofton ky mision.
"Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale", thuhet në njoftimin për media të 11 dhjetorit.
KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën në veri të vendit.
Njoftimi i EULEX:
Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar.
EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet.
Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”, duke shtuar se ata janë “detyruar [t’i ngrisin] barrikadat”.
“Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi ai në Instagram më 11 dhjetor.
Vuçiq shtoi se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën për paqe me të gjitha mjetet ligjore”.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është “i vetmi që dëshiron konflikte dhe luftë” dhe se “Beogradi dhe populli serb dëshirojnë paqe dhe gjithmonë insistojnë në paqe”.
“Populli serb me ngopur me terrorin e Kurtit dhe nuk do të durojmë më, populli serb do të përgjigjet me gjithë çka ka kundër agresionit”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka quajtur propagandues presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Sveçla përmes një shkrimi në Facebook, të cilit edhe i ka bashkangjitur disa foto ku thotë se Vuçiç gënjeu se zyrtari policor Ekrem Neziri është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut.
“Aleksandër Vuçiq, ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit.
Një nga gënjeshtrat e tij të shumta ka të bëjë
me plagosjen e zyrtarit policor Ekrem Neziri se kinse është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut.
Sulmet ndaj zyreve të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë.
Këto të pavërteta dhe shumë të tjera janë përpjekje të dështuara të Vuçiq, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale. Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t'i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë.
Propaganda e tij më nuk gjenë adresë, askund.
Ne do të vazhdojmë dhe do të qëndrojmë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm.”- shkruan Sveçla.
Terrorizmi dhe ekstremizmi serb duhet te ndalohen me cdo kusht.
PërgjigjuPo Basha qenka zgjuar heret sot
PërgjigjuSerbet e dijne mire se nga eshte origjina e tyre dhe jane te vetedijshem qe nuk kane asnje milimeter toke ne gadishilin ilirik.te kthehen ne karpatet e tyre.
PërgjigjuNje pjese nga ju njihni mire serbet,se i kishit miq,apo kishit bashkepunim te "sinqert". sepse kishit perfitime te mira materiale.Thjeshte ishin sherbim te tyre.
PërgjigjuKurti eshte ne pozite te veshtire, perderisa edhe qeveria shqiptare nuk e mbeshtet, perkundrazi e denigron nepermjet sahanlepiresave si Mero Baze. Rama mbeshtet haptazi Vuqiq…e kam shok thote. Po edhe Berisha, shokun me te ngushte e ka serb…fazlliqin…Shqiptaria spaska qene kurr e mencur politikisht…vetem per argate paskemi qene dhe per jenicere.
PërgjigjuPo trupat e EUOEX-it ku jane? Nga ana tjeter, nuk mendoj qe dy udheheqesit e tanishem Kurti, Osman jane te duhurit per zgjidhjen e kesaj ceshtejeje. E shihja kete Osmanin ne samitin e Tiranes dhe më dukej acaruese me veshtrimet e saja kundrejt Vucicit. Kosoves i duhen lidere, qe te kene cilesi diplomatike. Ajo ne ate takim, duhej te bente nje perpjekje dhe ti jepte doren Vucicit dhe jo te hidhte ne ate takim deklarata shpertheyese.
Përgjigju