TIRANË - Sahit Prizreni, presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes foli në Report TV me gazetarin Andi Kapxhiu. Ai u ndal te dy medaljet që Shqipëria sigurori në Kampionatin Evropian të Bratislavës, të artën e Chermen Valiev dhe të bronztën e Zelimkhan Abakarov.
Më pas Prizreni sqaroi edhe skandalin në momentin e dorëzimit të medaljeve, kur kreu i Federatës Ruse të Mundjes, Mikhail Mamiashvili sulmoi dhe i tha tradhtar mundësit ruso-shqiptar, Valiev.
Prizreni ka zbuluar se ka qenë vetë Mikhail Mamiashvili, njëherazi edhe zv.presidenti i Federatës Botërore të Mundjes që ka firmosur lejen që Valiev të kalonte nga Rusia te Shqipëria. Prizreni tregoi se Mikhail Mamiashvili është një mik i tij dhe pas incidentit rusi e përqafoi; dhe në një farë mënyre ishte bërë "pishman" për protagonizmin e tepruar.
"Pritshmëritë - Më shumë se kaq nuk mund të ndodhte. Zelimkhan mori medaljen e parë, humbëm me armenin në gjysmëfinale. Na duhej ajo medalje e artë si Kampion Evrope, e ka mundësinë.
Sa i takon Chermen Valiev, sfida ka qenë ndryshe. Ai u përball me mundësin që nga 2018 nuk njeh humbje dhe është më i miri në Rusi (Zaurbek Sidakov). Valiev ka humbur katër herë më parë me të dhe fitorja ishte e duhura për ne. Islam Dudaev nuk mori pjesë për shkak të problemeve shëndetësore.
Si mbahet rezultati - Me përulje dhe punë, këtë po e bëjmë me përpikmëri. Në sport janë rezultatet që flasin dhe jo fjalët. Ne dimë të sjellim medalje Olimpike dhe ajo çka vjen është kampionati Botëror në muajin shtator në Kroaci.
Skandali me kreun e Federatës Ruse - Unë kam qenë shumë afër, komunikova dhe më dëgjoi edhe Valiev për atë që ndodhi. Mikhail Mamiashvili është ai që firmosi lejen që Valiev të vinte me ne. Duhet ta falenderoja. Pritshmëritë e rusëve kanë qenë që të dominonin ndeshjen, ka qenë një moment emocional që as ai nuk është krenar.
Askush nuk e pret mirë kur të thonë tradhtar. Të gjithë sportistët kanë dhënë shumë me shtetet e tyre derisa nuk u vlerësua. Erdhi këtu te ne dhe u shpërblye.
Ai është mik i imi (Mikhail Mamiashvili), i Federatës sonë dhe mundjes. Ai më përqafoi dhe ishte pishman për atë që ndodhi. Ka qenë një moment emocional nga ana e tij", tha Sahit Prizreni në Report TV.
Komente
