Bota

SKEDA/ Sulmi amerikan, pse janë kaq të rëndësishme tri objektivat bërthamore iraniane, Natanz, Isfahan dhe Fordow?

22 Qershor, 14:51| Përditesimi: 22 Qershor, 15:40

  • Share

Uzina e Natanzit u ndërtua në fshehtësi të madhe. Ajo u zbulua zyrtarisht në vitin 2002. Është një objekt i aftë të pasurojë uranium në një nivel pastërtie deri 60%. Besohet se këtu prodhohet pjesa më e madhe e uraniumit të Iranit, të një cilësie thuajse të gatshme për përdorim ushtarak.

Vendndodhja e uzinës është mbi 160 km në jug të Teheranit. Një pjesë e strukturës së saj është në sipërfaqe dhe pjesa tjetër nën tokë. Në vitin 2010, ajo ishte në qendër të një sulmi kibernetik me virusin "Stuxnet" që sabotoi centrifugat e saj. Në vitet 2020 dhe 2021, dy shpërthime i shkaktuan disa dëme.

Uzina e Isfahanit, gjendet mes një numri objektesh të rëndësishme ushtarake, duke përfshirë centrale bërthamore, një bazë të madhe ajrore dhe disa fabrika të lidhura me prodhimin e dronëve. E ndërtuar në jugperëndim të Teheranit, uzina shërben për të konvertuar uraniumin natyrori cili më pas futet në centrifugat e Natanzit dhe Fordow-t. Impianti, i cili filloi të ndërtohej në vitin 1999, ka tre reaktorë të vegjël kërkimorë të furnizuar nga Kina, përveçse prodhon dhe lëndë djegëse dhe materiale të tjera që shërbejnë për energjinë bërthamore civile të Iranit.

Fordow, është një kompleks bërthamor, i ndërtuar pranë qytetit të shenjtë të Qomit, 150 km në jug të Teheranit. Masa të larta sigurie, shërbejnë për ruajtjen e tij. Dy zonat kryesore të termocentralit ndodhen nën tokë, në një thellësi të vlerësuar prej 80-90 metrash. Fordow, sipas ekspertëve, përfaqëson një lloj "xhevahiri të fshehur" të programit bërthamor iranian, pikërisht sepse është një nga vendet kryesore të pasurimit të uraniumit të Republikës Islamike, dhe sigurisht më i padepërtueshmi.

Sipas ekspertëve, uzina kryente një funksion të rëndësishëm në ciklin bërthamor. Në veçanti, aty ndodheshin centrifuga që pasuronin uraniumin me një proces të veçantë ndarjeje të izotopit të uraniumit-235, i përdorshëm për armë bërthamore, nga uraniumi-238 i zakonshëm që gjendet në natyrë dhe që padyshim përdoret edhe për qëllime civile.

Ndërtimi i tij, plotësisht në fshehtësi, mendohet të ketë nisur në fillim të vitit 2000. Por, për herë të parë, objekti u bë publik në vitin 2009, kur Teherani ia zbuloi ekzistencën e tij Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, pasi më herët shërbimet perëndimore të inteligjencës kishin rënë në gjurmët e tij. Që atëherë, uzina në Fordow nuk ka pushuar kurrë së qeni në qendër të vëmendjes së IAEA-s dhe fuqive perëndimore.

SI.E./E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?