Politikë

Skeda/ Tirana, ‘zemra dhe ëndrra’ e të gjithëve, lufta për 37 mandate në ‘hambarin e votave’ të Shqipërisë

12 Maj, 03:13| Përditesimi: 12 Maj, 03:24

  • Share

Tirana, zemra e Shqipërisë dhe hambari i votave, ku të gjithë shpresojnë të marrin mandate, këtë vit do të dërgojë në Kuvend një deputet më shumë. 

Rritja e popullsisë e bën Tiranën me 37 mandate, duke i hequr një deputet Korçës. 

Pavarësisht numrit të lartë të votuesve dhe përzierjes demografike, kryeqendra ju ka dhënë gjithmonë socialistëve një epërsi, edhe pse hera herës, diferenca ka qenë mjaft e ngushtë. 

Në parlamentaret e fundit, socialistët siguruan gjysmën e mandateve në dispozicion, ndërsa opozita mori 17 deputetë, të ndarë 15 për PD dhe dy për LSI-në. Mandati i 36-të i shkoi Tom Doshit, me PSD-në. 

4 vjet më pas, gara për Tiranën është më e fortë. Dy partitë tradicionale duhet të mundin dhimbjet e plagëve të brendshme, për të ruajtur terrenin, i cili po sulmohet nga të paktën 5 parti të reja që aspirojnë të fitojnë mandate pikërisht në qarkun më të madh të vendit. 

Socialistët hyn në këto zgjedhje në Tiranë, nën efektet e goditjes së Erion Veliajt, i arrestuar në muajin shkurt. Një situatë që detyroi Edi Ramën të përfshihet në vetë të parë në këtë qark, ku punët janë ndarë mes Ogerta Manastirliut për kryeqytetin, dhe Elisa Spiropalin për 4 bashkitë e tjera të qarkut, Kamzë, Vorë, Rrogozhinë e Kavajë. 

Demokratët nuk kanë zgjedhur një drejtues politik në nivel qarku, por e kanë copëzuar përgjegjësinë e kandidatëve në disa zona zgjedhore. 

Si Edi Rama dhe Sali Berisha e udhëheqin vetë listën e kandidatëve për Tiranën, të dy në pjesën e sigurt, krahas 11 emrave të tjerë.

Lista e mbyllur e Ramës ruan një pjesë të deputetëve aktualë dhe  gjysma tjetër hyjnë për herë të parë në parlament. Lista e hapur ka një sërë ministrash, senatorësh socialistë dhe deputetësh aktualë. Përballë vetëm një grushti mandatesh në dispozicion, lufta e bërrylave mes tyre ishte jo pak e egër. Një përplasje për të cilën Rama nuk u duk i shqetësuar, përsa kohë, do të ndihmonte të mbushte thesin e votave të PS.

Lista e demokratëve në Tiranë, ju jep siguri aleatëve, me 4 vende të rezervuara për ta, 2 për LSI, 1 PR dhe 1 PDIU. Figurat historike e besnike të Berishës kanë pozicione të garantuara, ndërsa të moderuarit si Jorida Tabaku apo Ilir Alimehmeti janë në listë të hapur. Ata konkurrohen në këtë terren edhe nga Ilir Meta i cili garon në listë të hapur nga burgu. Një mandat i fituar, do të transformohej dhe në çelësin që do t’i hapte derën e qelisë. Shpëtim Idrizi, po ashtu kërkon mandat për të dokumentuar fuqinë e PDIU-së. 

Por për Tiranën, beteja është më e gjerë, me sondazhet që kanë treguar se këtë herë, kanë shpresë për mandate dhe partitë e reja në garë.

Shqipëria Bëhet, e Adriatik Lapajt, që për herë të parë testohet në këto zgjedhje, më pak se 2 vjet nga themelimi i saj, duket e favorizuar.

Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë po ashtu pretendon të fitojë mandat në këtë qark, pasi në vitin 2023, mori në zgjedhjet bashkiake 14 mijë vota vetëm në Tiranë. 

Katër ish deputetë të Partisë Demokratike, që i ndanë përfundimisht rrugët me Sali Berishën, kërkojnë të ruajnë karriget parlamentare, shpërndarë në 3 parti: 

Agron Shehaj, me partinë Mundësia, Lulzim Basha me Koalicionin Euroatlantik, dhe Enkelejd Alibeaj e Dashamir Shehi që garojnë në koalicionin Djathtas për Zhvillim. 

-Numri i votuesve të qarkut Tiranë është 913 415
-Tirana pret po ashtu edhe numrin më të lartë të votave nga diaspora. 
-52,428 zgjedhës nga ky qark janë regjistruar në KQZ për të votuar nga jashtë. 
-Pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2021 në qarkun Tiranë ishte 53.24 %.
Lista e mbyllur PS Tiranë:
Edi Rama
Ogerta Manastirliu
Elisa Spiropali
Lindita Nikolla
Taulant Balla
Adea Pirdeni
Albana Kociu
Igli Hasani
Delina Ibrahimaj
Ilva Gjuzi
Iris Luarasi
Erjon Malaj
Lista e mbyllur PD Tiranë: 
Sali Berisha
Belind Kelliçi
Albana Vokshi
Flamur Noka
Fatmir Mediu
Jozefina Topalli
Edi Paloka
Ted Blushi
Klevis Balliu
Besart Xhaferri
Erisa Xhixho
Mesila Doda 
Liderë të rinj që garojnë në Tiranë:
Adriatik Lapaj                 Shqipëria Bëhet
Arlind Qori                          Lëvizja Bashkë
Agron Shehaj                 Mundësia
Lulzim Basha                 Koalicioni Euroatlantik
Enkelejd Alibeaj + Dashamir Shehi     Djathtas për Zhvillim

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?