Të shtunën (nesër) më 11 tetor në orën 20:45, kombëtarja shqiptare e futbollit luan 'një finale' kundër Serbisë në Leskovac, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
Në një intervistë ekskluzive për Report TV me gazetarin Andi Kapxhiu, ish-trajneri i Kombëtares, italo-shqiptari Gianni De Biasi tha se serbët kanë më shumë shanse për të dalë te tri pikët, por ekipi kuqezi duhet të tregojë aftësitë në fushë pasi nuk është e pamundur që nga Serbia të dilet me tri pikë.
Pjesë e kombëtares shqiptare nga 2011 deri në qershorin e vitit 2017, 69-vjeçari e drejtoi ekipin në 51 ndeshje dhe për herë të parë ia doli që ta dërgonte në finalet e një Evropiani, 'Francë 2016'.
De Biasi ishte në stol edhe në datën 14 tetor 2014, kur futbollistët kuqezinj u dhunuan në Beograd nga huliganët serbë dhe ndeshja u anulua, për t'u fituar 0-3 në CAS. 'E arkivuar si përvojë që të rrit', kështu thotë De Biasi për atë ngjarje.
"-Përshëndetje mister, si jeni?
Përshëndetje të gjithëve, jam mirë dhe shpresoj që edhe ju të jeni të gjithë mirë.
-Mirë, një përqafim i ngrohtë nga Tirana. Nëser luhet ndeshja kualifikuese e Botërorit 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë, çfarë ndeshje prisni mbi të gjitha nga Kombëtarja jonë ?
Pres një ndeshje të ekuilibruar nga dy skuadra që janë në të njëjtin nivel sa i takon cilësisë së lojtarëve. Do jëtë ndeshje e vështirë ndaj një skuadre që ka vlera, ka cilësi dhe ka lojtarë të mirë. Fakti që luhet jashtë Beogradit mund të jetë një avantazh për ne sa i përket atmosferës dhe tifozëve që do të jenë në stadium.
-Si mendoni se do të sillet në fushë skuadra jonë dhe a mund ta fitojë Shqipëria këtë ndeshje që është si një finale?
Nuk është një ndeshje e pamundur për t’u fituar, nëse luajmë në mënyrë inteligjente dhe të shfrytëzojmë rastet është një ndeshje që do të na jap rezultat pozitiv. Nëse më duhet ta them me përqindje mendoj se shanset janë 60 me 40 për Serbinë, por ne duhet të luajmë në atë përqindjen tonë të mundësive. Të luajmë me kurajo, me vendosmëri dhe duke besuar shumë se mund t’ia dalim.
-Si po luan Kombëtarja jonë, të pëlqen dhe a ka diçka që mendoni se duhet bërë patjetër në ndeshjen e nesërme?
E kam parë Shqipërinë nga afër në sfidën ndaj Anglisë dhe në ndeshjet e Ligës së Kombeve. Është paraqitur me oshilacione pasi ka bërë ndeshje të mira dhe kur ka pasur përballë skuadra më të forta dhe me fizik ka hasur vështirësi, por kjo është normale se kur ke përballë Anglinë nuk është e thjehstë të luash.
-Mister, kemi një ëndërr dhe një objektiv po ashtu që të shkojmë për herë të parë në Botëror, sa është e mundur kjo sipas jush, do të vendoset gjithçka nga ndeshja me Serbinë apo duhet të shohim edhe cfarë do të ndodhë në ndeshjet me Andorrën dhe Anglinë?
Sfida e vështirë është nesër pasi është një përballje direkte mes dy skuadrave që luftojnë për vendin e dytë dhe nga kjo ndeshje besoj se do të dalë skuadra që do të shkojë në play-off. Shqipëria ndeshjen e fundit do e luajë ndaj Anglisë që do jetë e kualifikuar dhe ata mund të mos jenë të përqëndruar në maksimum, por duhet t'ju them edhe se kjo nuk është në stilin e anglezëve. Por ne duhet të fokusohemi tek Serbia pasi gjithçka është e mundur, edhe kur unë e drejtoja Shqipërinë fituam në Portugali që dukej e pamundur apo mundëm edhe Francën në Elbasan.
-Nesër prisni që futbolli të mbizotërojë apo aspektet jashtë fushës?
Nuk pres të ndodhë diçka jashtë fushe, ajo që unë pres është që ndeshja të jetë e luftuar në fushë dhe korrekte. Jashtë fushe pres që gjithçka të jetë nën kontroll pasi enkas është spostuar jashtë Beogradit që gjithçka të jetë më shumë nën kontroll. Shpresojmë që nesër gjithçka të jetë normale dhe mbi të gjitha që në fushë të luhet një ndeshje e vërtetë dhe që Shqipëria të dalë me një rezultat më shumë se pozitiv.
-Dhe pyetja e fundit, tani që flasim si e kujtoni atë ndeshje të 14 tetorit të vitit 2014 në Beograd?
Kanë kaluar 11 vite nga ajo ndeshje, patjetër që mund të kujtosh gjithçka por më e rëndësishme është të kujtosh gjërat pozitive sesa ato gjëra që është më mirë të mos i kujtosh në futboll. E lëmë atje atë ndeshje, e arkivojmë në episode të jetës që të kanë shërbyer për të bërë eksperiencë.
-Faleminderit mister, e ju uroj çdo të mirë .
Faleminderit ju dhe Forca Shqipëria", tha De Biasi.
SIGURIA DHE MASAT NGA FIFA
Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët serbë dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.
6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit. Në bazë të një marrëveshjeje mes dy federatave, në ndeshjet Serbi - Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë kundërshtarë.
Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.
Komente
