Me superlativa për atmosferën e tifozëve në ndeshjen e barazuar 0-0 në Tiranë, kështu e nisi konferencën për mediet trajneri i Serbisë, Dragan Stojkovic. Nesër në orën 20:45 në Leskovac Serbia dhe Shqipëria do takohen sërish për Grupin K kualifikues në Kupën e Botës 2026. Dueli është si një finale për fatet e skuadrave drejt play-off, për të luftuar drejt Botërorit që verën e ardhshme zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Përpara medieve, Stojkovic tha se tifozët shqiptarë mbrëmjen e 7 qershorit sollën një atmosferë argjentinase, duke e krahasuar me atë të derbit River Plate - Boca Juniors.
"Nuk është e njëjta ndeshje, atmosfera atje ishte argjentinase, sikur të luanin Boca dhe River. Dhe ishte vërtet mirë të luanim, megjithëse dikush e përcolli në një mënyrë negative. Por ne u ngritëm mbi situatën edhe atje, ishim të qetë, nuk kishte tension, ishim të përqendruar, të qetë, e kontrolluam lojën.
U dhamë një penallti për shkakun tonë, një gabim. Por kjo është gjithashtu një pjesë integrale e lojës, Gorge na shpëtoi. Kjo ndeshje nuk është e njëjtë sepse ata janë jashtë, nuk kanë mbështetje nga tribunat dhe ne jemi vendasit dhe duam të konfirmojmë cilësinë tonë duke luajtur një ndeshje konkurruese.
Mendoj se që të arrijmë atje, duhet të jemi të duruar. Do të jetë një ndeshje me shumë intensitet, është e pamundur që një ndeshje si kjo të jetë e mërzitshme", tha fillimisht Stojkovic.
Trajneri i Serbisë u ndal edhe te Shqipëria, teksa la të kuptohet se e di si do luajë Sylvinho në fushë.
"Nuk mendoj se do ta ndryshojnë shumë formacionin, ndoshta dy ndryshime për shkak të lëndimeve, por sistemi mbetet i njëjtë, me katër në mbrojtje dhe për mua si trajner ai sistem është më i rëndësishmi.
Ajo linjë mbrojtëse është e tyre. Kur dy ekipe takohen në një ndeshje me rëndësi të madhe, të gjithë kërkojnë të vërtetojnë cilësinë e tyre dhe ta kthejnë atë avantazh. Por kurrë nuk e di çfarë mund të ndodhë, është një lojë e gjallë, një karton i kuq... Pastaj gjithçka shembet.
Do të duket se jemi të mirë në sulm, të rafinuar në mbrojtje dhe në stërvitje kemi punuar për të mos pësuar katër nga pesë golat si kundër Anglisë nga goditjet standarde. Kjo është pak shqetësuese, por le të themi se ishte një kombinim rrethanash, një rënie përqendrimi. Duhet të jemi të kujdesshëm aty. Lojtarët janë të vetëdijshëm për këtë. Nëse shqiptarët janë më të mirë se ne, do t'i përgëzojmë, por unë nuk besoj në këtë, mendoj se ata do të jenë ata që do të na përgëzojnë", tha Stojkovic.
Në fund ai u pyet edhe për presionin, duke thënë se janë shumë të qetë.
"Presion? Nuk e ndiej fare. As dje, as sot dhe sidomos as nesër. Jam plotësisht i qetë dhe e di që nesër djemtë do ta bëjnë punën siç duhet", tha trajneri i Serbisë.
SIGURIA DHE MASAT NGA FIFA
Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët serbë dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.
6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit. Në bazë të një marrëveshjeje mes dy federatave, në ndeshjet Serbi - Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë kundërshtarë.
Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.
Ekipi kombëtar i futbollit të Serbisë ndodhet në Nish në pritje të ndeshjes kundër Shqipërisë, e cila luhet nesër në orën 20:45. Në mesditë përpara medieve doli trajneri serb, Dragan Stojkovic.
Një detaj i veçantë është mësuar në lidhje me përgatitjet e Serbisë, pasi rivalët tanë kanë zgjedhur për stërvitjen gjenerale stadiumin e Nishit dhe jo atë të Leskovacit, ku do luhet ndeshja.
Duket se Serbia nuk do të udhëtojë për 45 kilometra nga Nishi drejt Leskovacit dhe në 18:30 do stërvitet në stadiumin 'Çair' të Nishit. Ndërkohë që stërvitja e kombëtares shqiptare do jetë në orën 17:30, teksa në orën 16:30 Sylvinho do dalë para medieve nga 'Duboçica', Leskovac.
Komente
