Derbi Partizani vs Tirana

Sport

Sot derbi i 206-të mes Partizanit dhe Tiranës, 89 trofe zbresin në fushë! Tifozët braktisin stadiumin

3 Tetor, 15:40| Përditesimi: 3 Tetor, 16:08

  • Share

Partizani dhe Tirana do përballen këtë të premte në orën 19:00 për raundin e gjashtë në Superligë. E gjithë vëmendja sot do jetë në 'Air Albania', ndërsa tifozët duket se kanë braktisur derbin.

Me dy skuadrat që i kanë bërë nisjen më të keqe të mundshme sezonit dhe ndodhen në zonën e mbijetesës, në stadium nuk priten më shumë se 5 500 tifozë. Fakti që alarmon me nivelin e futbollit në Shqipëri lidhet me uljen e tifozëve nga një derbi në tjetrin.

Sa i takon anës sportive, Partizani me katër pikë (një fitore) mban vendin e tetë, ndërsa Tirana me vetëm dy pikë (asnjë fitore), ndodhet në vendin e fundit (10).

Veç formës aktuale, gjithmonë në një derbi rëndësi kanë edhe statistikat dhe përballjet mes klubeve. Në total, në kampionat dhe Kupë dy skuadrat janë përballur 205 herë, me 81 fitore të Partizanit, 60 fitore të Tiranës dhe 64 barazime. Në total Tirana i ka shënuar 222 herë Partizanit, ndërsa të kuqtë janë përgjigjur me 268 gola, pra 46 më shumë.

Sa i takon kampionatit, skuadrat janë përballur 177 herë. Në këto takime 73 fitore janë të Partizanit, 47 të Tiranës dhe 57 sfida janë mbyllur në barazim. Ndeshja e parë mes dy skuadrave në histori është zhvilluar në vitin e largët 1947, me Partizanin që fitonte 2-4.

Ndërkohë, sfida e fundit në sezonin e shkuar u mbyll 3-0 në favor të Tiranës me golat e Zharmuni (dopietë) dhe Ernest.

Në total sot në fushë do zbresin 89 trofe. Tirana ka fituar 53, ndërsa 36 kanë shkuar për Partizanin. Vetëm këto shifra na bëjnë të kuptojmë se ky duel është më shumë se një ndeshje që zgjat 90 minuta, por një duel i 'peshave të rënda'.

Tirana koleksionon: 26 trofe të kampionatit, 16 Kupa të Shqipërisë dhe 11 trofe të Superkupës.Në total 53 trofe të fituar

Partizani ka fituar: 17 trofe të kampionatit, 15 Kupa të Shqipërisë, 3 Superkupa dhe 1 trofe Ballkanik. 36 trofe të fituar

Në total të dyja klubet kanë fituar 89 trofe në histori.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?