TIRANË- Prej orës 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” po numërohen votat për të gjithë qarkun e Tiranës. Bëhet fjalë për 1 282 kuti votimi dhe po rinumërohen votat për partitë si edhe për kandidatët. Nga ky proces përjashtohen kutitë e diasporës, Rinumërimit nuk i nënshtrohen as Vora dhe Njësia numër 10, pasi në zgjedhjet e 11 majit u aplikua votimi elektronik.
Deri në orën 12:00 janë hapur 14 Qendrat e para të votimit, të cilat kanë treguar pasaktësi të vogla si në votën mes subjekteve politike, ashtu edhe mes kandidatëve.
Kandidatët demokratë, Asllan Dogjani dhe Ilir Alimehmeti, i dyti më i votuari nga PD, po ndjekin nga afër procesin, si edhe kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj me deputetin e zgjedhur Erald Kapri. Kandidatët socialistë deri më tani kanë zgjedhur që të mos e ndjekin nga afër procesin.
Rinumërimi për Tiranën pritet të zgjasë rreth 10 ditë ndërsa më pas do të vijohet me rinumërimin e të gjithë qarkut të Fierit (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës, 85 prej të cilave janë të diasporës.
Në dispozicion janë vendosur 24 grupe dhe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore, 48 numërues dhe 15 zëvendësues. Procesi është parashikuar që të kushtojë 21 milionë lekë të rinj dhe nuk do të ketë nevojë për buxhet shtesë pasi do të mbulohet nga kursimet e 11 majit.
Një ditë më parë, u hapën 94 kuti të Gramshit dhe Peqinit, por nuk u gjetën shkelje të rënda siç pretendoi PD. KAS do t’i vendosë kapak javën tjetër rezultatit për Elbasanin.
A mund të ndryshojë diçka? Cilat janë diferencat?
TIRANË
Në qarkun Tiranë, i vetmi mandat që mund të vihet në dyshim, është deputeti i dytë i partisë “Mundësia”, i cili nëse e humbet i kalon PD-së, dhe bëhet me 14 deputetë. Që kjo të ndodhë, duhet që nga rinumërimi i votave, të dalin 1200 vota në favor të PD-së ose 117 vota më pak për partinë e Agron Shehajt. Nëse këto vota 'gjenden', në parlament nuk hyn Erald Kapri, por Ilir Alimehmeti. Që Mundësia ta ruaje mandatin në kurriz të PS, kjo e fundit duhet të humbasë rreth 4500 vota.
Kandidatët
Diferenca më e ngushtë e kandidatëve demokratë në Tiranë, është ajo e Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit. Deputetja aktuale ka një avantazh prej 2400 votash, që zor se thyhet.
Mes socialistëve, diferenca më e ngushtë dhe me risk për tu përmbysur, është ajo mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylamentit. Ish-ministrja ka një avantazh të lehtë prej 140 votash. Nga ana tjetër, Xhemal Qefalia është 500 vota larg Ornaldo Rakipit, i cili doli fitues.
Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit në kohë reale
Kurse nga rinumërimi i 11 kutive të para për kandidatët brenda partive, në PS rezulton se deri në orën 13:00, Blerina Gjylametit deri tani nuk i ka ndryshuar rezultati, kurse Olta Xhaçka dhe Fatmir Xhafaj dalin me 1 dhe 7 vota tepër.
Orlando Rakipit dhe Blendi Gonxhes rezulton se u janë hequr respektivisht 2 dhe 1 votë. Teksa Kejsi Elezi me 2 vota të shtuara, ministrja Anila denaj me 3 vota dhe ministri Ervin Hoxha me 1 votë të shtuar.
Në PD konfirmohet edhe një herë devijimi masiv i votës preferenciale brenda partisë, teksa në 11 kuti të rinumëruara Jorida Tabakut i janë hequr 6 vota në numërimin e parë dhe i janë shtuar në tabelë aktualisht. Po kështu Asllan Dogjanit i janë hequr në numërimin e parë në këto 7 kuti plotë 11 vota dhe Mhill gecajt 19 vota, që duket se kanë shkuar te kandidatët e tjerë.
Edhe Elton Roshi, kushëriri i ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, ka dël i fituar nga numërimi i parë në këto 11 kuti, pasi ka fituar 2 vota më shumë, sikurse edhe Sali Shehu me 4 vota.
Tabela momentale e rinumërimit për Tiranën në 11 kutitë e para
Ka nisur procesi i rinumërimit të 1282 kutive të qarkut të Tiranës, vendim i marrë me iniciativë nga dy anëtarët e PD-së në KAS.
Nga rinumërimi i 13 kutive të para, deri në orën 12:30 të ditës së sotme (18 qershor) rezulton se Partisë Demokratike nuk i janë llogaritur 4 vota gjatë procesit të numërimit më 11 maj dhe pas këtij rinumërimi i janë shtuar në tabelën e rezultateve. Nga 2254 vota që kishin këto 13 kuti në numërimin e parë, tani PD-së i njihen 2258, ose 4 më shumë.
Ajo që ka dalë më e fituar deri tani duket se është PS, teksa në 13 kutitë e para rezulton se ka përfituar 17 vota më shumë, të cilat pas rinumërimit që po bën KQZ te pallati “Farie Hoti” në kryeqytet, i janë zbritur nga tabela e parë.
Edhe Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës rezulton se i janë hequr 3 vota padrejtësisht në numërimin e parë, të cilat iu shtuan në rinumërim pas 13 kutive të para. Edhe Mundësisë së Agron Shehajt dhe Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit, gjithashtu i janë shtuar nga një votë secilës nga ky rinumërim.
Në momentet e para, kur procesi kishte 7 kuti të rinumëruara, ra në sy fakti se të gjitha këto parti më sipër, përfshi edhe PS-në, ishin ‘vjedhur’ nga komisionerët, që praktikisht dukej si një gabim njerëzor. Ajo që vihet re në këtë rinumërim është fakti se ka qartë gabime komisionerësh në të gjitha krahët.
Në pallatin e sportit “Farie Hoti” po rinumërohen votat për të gjithë qarkun e Tiranës. Disa prej kandidatëve po ndjekin nga afër procesin, si Asllan Dogjani, Ilir Alimehmeti një prej më të votuarve nga PD në këtë qark, por që nuk e fitoi mandatin, si edhe kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj e kandidati i tij Erald Kapri. Deri më tani, nuk ka asnjë kandidat nga PS që të ndjekë procesin.
Komente
