Zilja e shkollës ra dhe nxënësit mbushën klasat.
“Jam 5 vjeç. Në 13 tetor mbush 6. Jam e lumtur që kam nisur shkollën. Prindërit me kane treguar se këtu do të mësoj shumë gjëra.”
Dea është rasti, ku për herë të parë edhe fëmijët 5 vjeç me kushtin që të mbushin 6 vjeç brenda vitit kalendarik janë pranuar në klasë të pare.
Për nxënësit e arsimit parauniversitar e hëna e 11 shtatorit shënon ditën e parë të shkollës dhe rrjedhimisht dhe fillimin e vitit shkollor 2023-2024. Janë rreth 29 mijë nxënës të klasave të para dhe rreth 27 mijë nxënës të klasave të dhjeta të regjistruar këtë vit.
Edhe këtë vit mësimi parauniversitar në disa shkolla është organizuar me turne Ulja e numrit të nxënësve për klasë nga 35 në 30 ka shtuar numrin e klasave në shkolla dhe disa prej tyre nuk kanë kapacitetet e duhura pritëse për të gjithë me qellim zhvillim të mësimit vetëm paradite. KA prindër të shqetësuar për këtë gjë.
Por figura e policit sot në ditën e parë, ishte prezente kudo. Ata ndihmonin të vegjlit dhe qytetarët të kalojnë të sigurt në vijat e bardha dhe pranë kryqëzimeve.
Pas pushimeve në shkollë, jo të gjithë nxënësit duken mirë. Ka prej tyre që ditën e parë e nisën me përtesë. Sikurse shumë nga ta, iu bashkuan atmosferës festive..
200 laboratorë të rinj do t’u shtohen shkollave kurse numri i klasave burimore për nxënësit me aftësi ndryshe do të shkojë në 279 nga 120 të tilla vitin e shkuar . Këtë vit janë kthyer edhe mësuesit në dispozicion për të lehtësuar procesin mësimor.
Siç e do tradita, nxënësit kënduan himnin kombëtar, një video me momente të përzgjedhura të cilën e shpërndau edhe Evis Kushi që do ta dorëzojë detyrën tek pasardhësja, ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Në ditën e parë të shkollës, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi u uroi të gjithë fëmijëve dhe të rinjve anë e mbanë, një vit të suksesshëm dhe të mbarë shkollor.
“Suksese dhe mbarësi për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë!”, tha Muzhaqi duke shtuar se Programi i Kodimit në shkolla do të vijojë të jetë pjesë e përditshmërisë së fëmijëve të klasave të para.
Ndër të tjera, ministrja Muzhaqi shprehet se tashmë edhe shkollat jopublike do mund të përfshihen në Programin e Kodimit në Shkolla, duke filluar me klasën e parë, realizuar kjo falë mbështetjes së Qeverisë Shqiptare dhe AADF, e cila do t’u sigurojë të gjitha shkollave jopublike që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij programi, akses në platformë, trajnim për mësuesit dhe kurrikulën për t’u bashkuar në këtë program.
Kryeministri Edi Rama ka uruar nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor.
‘Sot, kur dyert e shkollës janë çelur dhe një rrugëtim i ri i dijes sapo ka nisur me himnin kombëtar, u dërgoj një urim të përzemërt për sa më shumë sukses e mbarësi të gjithë fëmijëve, nxënësve, mësuesve e prindërve të gjithë Shqipërisë.’- shkruan Rama në rrjetet sociale.
Me fillimin e vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjithë masat për të rritur sigurinë e nxënësve. Punonjës të Policisë Bashkiake janë sot përpara çdo shkolle, në të gjitha njësitë administrative për të ndihmuar të vegjlit dhe qytetarët që të kalojnë të sigurtë në vijat e bardha në rrugë dhe pranë kryqëzimeve.
Ndërkaq, trafiku ne Tirane është paraqitur normal, ndërsa shumë qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të lëvizur me biçiklete ose në këmbë e që transportojnë mallra gjatë orarit të ndaluar.
Policia Bashkiake ka marrë masa në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit, për të ndaluar, apo ndëshkuar me masa administrative, automjetet që shkelin urdhrin e entit pronar të rrugës (Bashkia Tiranë), për kufizimet e lëvizjes së automjeteve në oraret e ndaluara, që janë 07:00-09:00 për automjetet për transport të përzier (mallrash), si dhe atyre mbi 3.5 ton që ndalohet të hyjnë nga ora 07:00-20:00, në brendësi të unazës së mesme e të vogël të qytetit.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka uruar nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
‘Ju uroj nga zemra mbarësi të gjithë nxënësve dhe mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor. Urime për prindërit shqiptarë, që me punë e sakrifica ushqejnë ëndrrat për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe dashurinë për dijen.’- shkruan Basha.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur sot nxënësit e arsimit parauniversitar, me rastin e ditës së parë të shkallës për vitin shkollor2023-2024. Balla ka ndjekur nga afër zbatimin e masave të “paketës së sigurisë në shkolla”, duke pare nga afër punën e Policisë Rrugore në perimetrin e sigurisë pranë disa shkollave në kryeqytet.
Ministri gjithashtu u ka uruar suksese nxënësve dhe mësuesve për këtë vit shkollor, përmes një postimi të rrjetet sociale.
“Mirëmëngjes dhe shumë suksese nxënësve dhe mësuesve në këtë vit të ri shkollor. Policia e Shtetit do të bëjë gjithçka për të garantuar siguri e qetësi pranë mjediseve shkollore,” – shkruan Balla në profilin e tij në Facebook.
Presidenti Bajram Begaj ka uruar nxënësit për vitin e ri shkollor.
‘Suksese në vitin e ri shkollor për çdo nxënës, mësues dhe prind në Shqipëri, e në veçanti për të gjithë ata nxënës që hyjnë në klasë të parë! Puna dhe përkushtimi juaj i sotëm, ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes.’- shkruan Begaj.