155 shqiptarë të riatdhesuar nga Roma e Stambolli! Dezinfektim e ulje vetëm në sedilje, transport nga Rinasi në karantinën në Durrës

18 Prill 2020, 07:39| Përditesimi: 18 Prill 2020, 23:25

  • Share

TIRANE-Sot rinisën fluturimet nga Roma dhe Stambolli për të rikthyer në atdhe shqiptarët që mbetën jashtë për shkak të mbylljes së kufijve si rezultat i masave të forta që u morën për të parandaluar përhapjen e epidemisë së koronavirusit. Grupi i parë i shqiptarëve erdhi nga Stambolli. 45 persona, pjesa më e madhe studentë mbërritën në orën 09:25 në aeroportin e Rinasit, ndërsa pasdite në orën 19:00 mbërriti dhe grupi i dytë i shqiptarëve nga Roma, konkretisht 111 shtetas të bllokuar në Itali pas mbylljes së kufijve si pasojë e COVID-19.

Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sot datë18 prill do të kryhen udhëtimet Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa nesër në datën 19 prill, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë. Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurti, Parisi dhe Londra, ndërkohë që ministrja Balluku tha mbrëmë në emisionin 'Pa Protokoll' në Report Tv se po vlerësohen edhe destinacione të tjera.

Por si do të funksionojë paketa? "Paketa do të jetë 100 € për fluturimin që do të paguhen nga personi dhe 21 € në ditë për akomodimin 14-ditor në hotel, prej të cilave 14 € do të mbulohen nga qeveria për fjetjen e shërbimin me standardet anticovid 19, ndërsa vetëm 7 € do të paguhen nga personi për ushqimin" tha Rama. Karantina do të bëhet në dy hotele në Durrës që do të ruhen nga ushtria, ndërsa kamerat do të monitorohen nga policia e shtetit.

Po gjatë intervistës mbrëmë në Report Tv ministrja sqaroi edhe problemin me dhomat teke, ndërsa këshilloi shqiptarët që të mos aplikojnë në hotele pa dalë data e fluturimit. Lexo këtu të gjithë hapat si të bëni prenotimin. Deri tani, tha Balluku janë 10 mijë shqiptarë që kanë shprehur interesim për t'u kthyer në atdhe nga disa vende në Europë.

Fluturimet e parashikuara per diten e sotme

 


 

Ora 22:05
Erdhi nga Roma në karrige me rrota, qytetari: Kam ngelur jashtë, nuk kam si të hipi në autobus

Një qytetar i cili kishte shkuar në Itali për vizitë mjekësore pasi vuante nga këmba dhe ishte në karrige me rrota tha se tani nuk di se çfarë do të bëjë. Ai kishte ngelur jashtë pasi nuk po gjenin një mënyrë se si ta sistemonin në autobus pasi ishte në karrige me rrota.

"Kemi ardhur që andej po këtu nuk dinë ku të na çojnë. Jam këtu dhe sdi si do hipi. Erdha vet i dyti me bashkëshorten. Ishim andej, qëndruam 13 ditë atje dhe na zuri kjo. Shkova për vizitë mjekësore dhe këtu nuk merret vesh, do na çojnë në hotel në këtë orë unë jam edhe kështu (probleme me këmbët). Atje ishte më e përqendruar dhe e zgjidhur situata", tha qytetari.

Ora 20:21
'Çmimet janë të përballueshme', qytetarja: Faleminderit që na sollën në atdhe

Një tjetër shqiptare e riatdhesuar pasditen e sotme nga Roma, tha se është e lumtur që qeveria i mundësoi kthimin në shtëpi, ndërsa në lidhje me çmimin e paguar për karantinë  dhe biletën tha se ishin të [përballueshme.

"Kam qëndruar 49 ditë në Itali dhe falenderoj autoritete që bën të mundur riatdhesimin. Ne do të paguajmë vetëm 7 euro në ditë për ushqimin dhe 14 euro paguhen nga shteti, janë të përballueshme", tha qytetarja nga Rinasi.

Ora 20:04
Shqiptari riatdhesuar: Kush vjen nga jashtë duhet t'i bëhet testi! Në Itali na u bë skaneri

Një shqiptarë i riatdhesuar nga Roma shprehu shqetësimin se të gjithë të ardhurve duhet t'u bëhet testi dhe tamponi nga qeveria në mënyrë që të gjithë të jenë të qetë kur të shkojnë në familjet e tyre pas karantinës. Ai tha se në Itali iu bë dhe skaneri dhe të gjithë në avion rezultuan të pa infektuar, megjithatë sipas tij rreziku ekziston.

"Qeveria do bënte mirë që të gjithë personat e ardhurve nga jashtë t'u bënin tamponin për të qenë të sigurt. Në Itali na kanë bërë skanerin dhe matur temperaturën dhe fatmirësisht të gjithë pasagjerët ën avion dolën në rregull. Por duhet të bëhet dhe tamponi nga qeveria këtu për të larguar rrezikun", tha qytetari

Ora 19:41
Qytetari i ardhur nga Roma: Në avion qëndronim ngjitur, do doja të respektohej distanca

Një qytetar i ardhur nga Roma drejt Rinasit, tha për Report Tv se udhëtimi shkoi mirë, por do të donte që të respektohej distanca që nga radha për të hyrë në avion deri tek qëndrimi gjatë udhëtimit, ku ai shprehet se 3 veta uleshin ngjitur pa asnjë lloj distance.

'Nuk u respektuar distanca si gjatë marrjes së vulës dhe hyrjes në avion. Por as në avion ishim ngjitur 3 persona" tha një pasagjer,  i cili do i nënshtrohet karantinës së detyruar për 14 ditë në Durrës.

Ora 19:12
Riatdhesimet, mbërrin avioni me 110 shqiptarët nga Roma (VIDEO)

110 persona kanë prekur tokën shqiptare pas riatdhesimit nga Roma. Avioni i "Air Albania" ka mbërritur në Rinas, ku në pistë janë duke pritur edhe autobusët që do të bëjnë shoqërimin e tyre drejt hoteleve karantinë në Durrës.

Në pistën e avionit por dhe në terminal është bërë dezinfektimi i ambienteve para se të mbërrinte avioni me 110 shqiptarët e riatdhesuar nga Roma.

Avioni "Air Albania" u nis drejt Romës me orën 15:00 me 88 qytetarë shqiptarë dhe të huaj me leje qëndrimi të rregullt në vendin fqinj, ndërsa mbërriti në Rinas në orën 19:00 me grupin e dytë të shqiptarëve të riatdhesuar.

Shqiptarët kanë paguar biletën 100 euro si dhe 7 euro në ditë për ushqimin e tyre. Qeveria ka mbuluar shpenzimet e fjetjes për 14 ditët e karantinës në hotel. 

Shqiptarët e riatdhesuar i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore si matja e temperaturës, ndërsa me tyre ka edhe të moshuar dhe fëmijë. Të riatdhesuarit përmes autobusit apostafat për ata, të dezinfektuar ku dhe pajisjen qytetarët me maska e doreza, do i drejtohen qytetit të Durrësit, ku janë përcaktuar edhe 2 hotele karantinë. Qytetarët e akomoduar në autobus do të jetë vetëm gjysma e kapacitetit që mund të transportohen për të respketuar distancën.

Në sistemin e TIA-s ishin regjistruar 132 pasagjer që dëshironin të ktheheshin, por kanë mbërritur vetëm 110 prej tyre. Sipas TIA këta qytetarë mund të kenë pasur probleme me dokumentacionin apo mund të mos kenë kapur dot në kohë fluturimin.

Ora 12:10
'Air Albania' s'do të fluturojë bosh drejt Romës, 30 të huaj ikën drejt Italisë paradite


Në orën 15:00 avioni i 'Air Albania' do të niset nga Tirana për në Romë, për t'u kthyer në 18:55 me grupin e dytë të shqiptarëve që do të riatdhesojë. Por 'Air Albania' nuk do të fluturojë bosh drejt Romës, pasi do të udhëtojnë 80 pasagjerë, mes tyre pjesa më e madhe shqiptarë me leje qëndrimi të rregullt në vendin fqinj. Ata do të paguajnë 100 euro biletën. Ndërkohë që paraditen e sotme u larguan nga Shqipëria duke udhëtuar drejt Romës me një tjetër kompani shqiptare mbi 30 qytetarë të huaj, mes të cilëve italianë dhe amerikanë.

Ora 11:59
Arrin në karantinë në Durrës grupi i parë i shqiptarëve të riatdhesuar

Nga Rinasi janë transportuar me autobus në hotel në Durrës 45 shqiptarët që u riatdhesuan nga Stambolli. Grupi i parë u vendos te hotelet te Shkëmbi i Kavajës. Hotelet janë dezinfektuar dhe është instruktuar personeli për mënyrën e sjelljes.

Ora 10:15
Dezinfektim dhe ulje vetëm në sedilje! Si u bë transporti nga Rinasi në karantinë në Durrës

Pasi zbritën nga avioni, shqiptarët u transportuan me autobus drejt dy hoteleve në Durrës nën masa të rrepta të distancimit social. Përpara se të futeshin me maska dhe doreza, u dezinfektuan, ndërsa në autobus, punonjësi i kompanisë shpjegoi për Report Tv se në cdo sedilje dyshe do të ulet vetëm një person dhe jo dy, pra duke ruajtur distancën. "Autobusi ka 36 vende, por çdo sedilje dyshe do të ketë një pasagjer jo dy. Deri tani janë 60-70 persona. Asnjë pasagjerë nuk do të lejohet pa masat mbrojtëse. U bë dezinfektimi i të gjithëve" tha ai.

1587197423_PROCEDURA.jpg
1587197392_PIPA.jpg

Ora 10:10
Riatdhesimi, vjen grupi i parë i shqiptarëve nga Stambolli: Ishte shumë kollaj, tani 14 ditë në hotel

Sot në mëngjes në orën 09:25 ka mbërritur grupi i parë i shqiptarëve nga Stambolli. Pas riatdhesimit shqiptarët, të pajisur me maska dhe doreza u kontrolluan nga mjekët dhe infermierët në aeroport për të parë nëse kanë simptoma të koronavirusit, ndërsa më pas u drejtuan me autobus për në dy hotelet e Durrësit për të qëndruar 14 ditë në karantinë. 

Në prononcimet për Report Tv, disa nga pasagjerët, mes tyre pjesa kryesore studentë u shprehën se kanë qëndruar për gati dy muaj në pritje të riatdhesimit. "Dy muaj qëndruam në pritje. Erdha nga Stambolli" tha njëri prej tyre.  "Ishte shumë kollaj, nuk kishte pengesa, do të rrimë në hotel" tha një tjetër. "Falenderoj qeverinë që na ktheu" tha një grua.

Një nga pasagjerët shpjegoi edhe kontrollin mjekësor. "Na kontrolluan për temperaturën. Qëndrova një muaj në pritje. Do të qëndrojmë në hotel në Durrës. Udhëtimi shkoi shumë mirë". Referuar procedurës së aplikimit. "Procedurat ishin pak të vështira por më ndihmuan nga Shqipëria". "Isha në shkollë u bë një muaj e ca në karantinë dhe doja të kthesa. Për biletën pagova 100 euro ndërsa cdo ditë veç 7 euro" tha një student.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?