Albin Kurti duke votuar

Kosova & Rajoni

Zgjedhjet lokale në Kosovë, qytetarë votojnë për të zgjedhur kryetarët e rinj të 38 komunave

12 Tetor, 07:14| Përditesimi: 12 Tetor, 13:09

  • Share

Kosova sot zhvillon zgjedhjet lokale. Kjo është hera e dytë që qytetarët e Kosovës i drejtohen kutive të votimit pas zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara më shkurt.

Kësaj here, 2.025.105 votues do të votojnë për të zgjedhur kryetarët dhe anëtarët e 38 komunave të vendit. Numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.

Të gjitha qendrat e votimeve janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. KQZ ka nisur që ditën e djeshme shpërndarjen e materialeve zgjedhore në Qendrat Komunale të Numërimit. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar institucionet si Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje është 93, nga të cilat 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht. Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.

Procesi zgjedhor zhvillohet për të zgjedhur 38 kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e Kuvendeve Komunale.

 

/Lajmi në përditësim...

Ora 12:50
Zgjedhjet vendore në Kosovë, reagon Vuçiç: Pjesëmarrje e lartë e serbëve, shqiptarët janë nervozë. Sonte të festojmë për një çështje më të rëndësishme se topi

1760266314_presidentiserbvui.jpg

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka reaguar për votimet në Kosovë në lidhje me zgjedhjet vendore.

Duke folur për gazetarët e vendit të tij, Vuçiç tha se ka një pjesëmarrje të lartë në votime të serbëve në Kosovë, e sipas tij, ky fakt i ka bërë nervozë shqiptarët.

Vuçiç u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë Listën Serbe.

“Shpresoj se ata do të jenë në gjendje të marrin përsëri një pjesë të pushtetit. Shpresoj që sonte të festojmë për një çështje më të rëndësishme sesa shkelmimi i një topi”, u shpreh Vuçiç, duke u munduar të harrojë edhe mbrëmjen e hidhur kur Serbia u mund 1 me 0 nga Shqipëria në ndeshjen për eliminatoret e Botërorit 2026.

Ora 11:54
Zgjedhjet lokale në Kosovë, KQZ: Deri në orën 11 kanë votuar 7.84% qytetarë! S'ka raportime për parregullsi

1760263262_kosove.avif

Foto: Qendër votimi në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 7.84 për qind.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se nuk është raportuar për ndonjë parregullsi që mund të rrezikonte votimin ose mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 94 për qind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejt vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 158 mijë e 619 votues apo 7.84 për qind nga dy milionë e 25 mijë e 105 votues”, tha ai.

Për krahasim, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, pjesëmarrja deri në të njëjtën orë ishte 8.2 për qind.

Ora 11:40
Ish-kryeministri i Serbisë, thirrje qytetarëve të tij: Votoni, është çështje e mbijetesës sonë në Kosovë

1760262278_milloshvuevi.avif

Foto:Millosh Vuçeviç

Ish-kryeministri i Serbisë dhe kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Millosh Vuçeviç, deklaroi se pret pjesëmarrje të lartë të serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke vlerësuar se ky veprim “nuk është thjesht votim për ndonjë opsion politik, por çështje e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.

Duke folur për televizionin serb Prva, Vuçeviç tha se, për shkak të rrethanave specifike, disa parti politike janë bashkuar nën Listën Serbe, dhe për këtë arsye Partia Përparimtare Serbe dhe të tjerat nuk veprojnë ndaras në Kosovë.

Ai shtoi se periudha gjatë së cilës serbët qëndruan jashtë institucioneve në Kosovë, ka qenë e vështirë dhe se populli nuk ka marrë mbështetjen e duhur nga bashkësia ndërkombëtare.

Ora 10:31
Voton presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani: Sa më e lartë pjesëmarrja, aq më e fortë demokracia jonë

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka votuar në Fakultetin Teknik në Prishtinë për zgjedhjet lokale që po zhvillohen në vend.

Osmani i bën thirrje të gjithë qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje, si një pasqyrim i demokracisë së një shteti.

“Sa më e madhe pjesëmarrja dhe sa më i rregullt procesi, aq më e fortë është demokracia jonë. Pres që ky të jetë një proces me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Osmani.

Ora 09:33
Zgjedhjet vendore në Kosovë/ Hedh votën Albin Kurti, fton qytetarët të dalin në votime

 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në Prishtinë për zgjedhjet vendore.

Pas votimit, Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të dalin për të votuar.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona, për çerdhen, për shkollën, për ujin, për shëndetin, për shërbimet dhe për infrastrukturat në lagjet e qyteteve dhe fshatrave ku jetojmë. Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Prandaj ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, që ta përdorin mundësinë, ta shfrytëzojnë të drejtën për t’u bërë hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë për të plotësuar nevojat e tyre”, u shpreh Albin Kurti.

Këtë mesazh ai e dha edhe në gjuhën serbe e angleze.

Ora 09:09
Pakicat serbe në Mitrovicën e Veriut shkojnë për të votuar në grup, i prin kryetari i Listës Serbe (VIDEO)

 

Lista Serbe, parti në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka organizuar paikat serbe në komunat e Mitrovicës së Veriut duke iu drejtuar kutive të votimit në kolektiv. Kjo turmë është udhëhequr nga kryetari i kësaj partitë, Zlatan Elek.

Lista Serbe ka drejtuar Mitrovicën e Veriut dhe 3 komunat me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq deri në vitin 2022.

Ora 09:03
Voton ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Sot është dita për të marrë vendime

 

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht drejtues i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me familjen e tij, ka ushtruar të drejtën e votës në Gjollan për zgjedhjen e kryetarit të komunës.

“E shfrytëzova të drejtën time dhe votova bashkë me nënën. Një pjesë e familje tonë votuam në Gllogjan. Anita dhe Gjini në Prishtinë. Ftoj të gjithë të dalin dhe të votojnë. Këto zgjedhje kanë shumë rëndësi. Sot është dita me i marrë vendimet, votoni dhe vendosni”, tha Haradinaj për mediat.

K.B/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ali: 12/10/2025 12:22

    Duhet pare mire rasti i kosoves

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?