Juristi Kreshnik Spahiu tha sot për emisionin “Frontline” në Report Tv se pretendimi i PD-së për “Trenin Bullgar” janë një lojë politike dhe alibi që nuk qëndron dhe nuk shkon me realitetin.
Kjo sepse vetë PD-ja kishte numërues dhe komisionerë në çdo qendër e qark dhe është e pashpjegueshme sesi asnjë prej tyre nuk e kapën me prova këtë “lokomotivë’ në 300 mijë vota diferencë me PS-në.
“Parimisht dua të them dhe tërheq vëmendjen publikut që të mos kompleksohet dhe shpërqëndrohet nga ky teatër pasi PD dhe Sali Berisha do i njohë zgjedhjet pavarësisht se çfarë thonë. Ata në shtator do të jenë në Kuvend dhe do legjitimojnë zgjedhjet sapo të hyjnë dhe betohen në Parlament. Pra nëse shkon atje bashkë me shpurën e tij, ai automatikisht i njeh zgjedhjet. Kjo është lojë dhe rezultat i paracaktuar”, u shpreh ai për ‘Frontline’ të moderatores Marsela Karapanço.
Por juristi e sheh më shumë si një rezultat të paracaktuar mes dy liderëve të partive, në marrëveshje para zgjedhjeve.
“Rama mori sa deputetë deshi, Berishës i dha aq sa deshi. Futën në lojë ata që deshën në lista dhe si deputetë dhe nxorën ata që nuk u bënin punë. Shkrinë Ilir Metën me PL që kishte 19 deputetë dikur, shkrin Lulzim Bashën që mandatin e fundit pati 65 deputetë dhe Shpëtim Idrizin”, vijoi Spahiu.
Por çfarë mendon ai për pretendimet e PD-së për ‘trenin bullgar’ dhe a qëndrojnë ato si akuza që kanë deformuar rezultatin.
“Partitë e reja nuk kanë numërues apo komisioner. Kurse PD kishte detyrimin ligjor të zbulonte trenin bullgar dhe ta kapte. Pra fleta e votimit është mbi një metër dhe të organizosh palosjen dhe ndërrimin e saj në të gjithë këtë proces. Tani në mes këtyre 300 mijë votave në trenin bullgar, këta të Berishës nuk kapën dot asnjë nga pasagjerët e trenit bullgar? Ose treni bullgar nuk ka ndodhur, ose komisionerët e Berishës kanë mbyllur sytë. Budallenj mos të na bëjnë, mos të na fyejnë inteligjencën. Ka pasur parregullsi? Sigurisht ka pasur. Sepse listat e hapura kanë qenë fiktive, kryetarët e partive kanë orientuar votat tek kandidatë të caktuar”, argumentoi Spahiu për Report Tv.
Kurse në lidhje me premtimet e qeverisë apo faljen e gjobave, ai solli si argument edhe premtimet e opozitës që bënte për taksën e sheshtë, pasi Sipas Kodit Penal edhe ai që premton duhet të hetohet penalisht.
“Është e vështirë të provosh që një nga organet kolegjiale, në këtë rast Qeveria, të devijojë votën dhe të fali gjobat. Ai mund të thotë se unë mendova se do largohesha nga pushteti dhe doja të realizoja premtimin që kisha dhënë më parë. Pra, pyetja është premtimi që ti jep për blerjen e votës nëse vjen në pushtet, a është vepër penale, në rastin e opozitës, sepse kështu e thotë ligji, edhe premtimi është vepër penale? Unë personalisht them se e ka bërë për efekte elektorale, por duhen prova konkrete dhe jo aludime, sepse për mua ajo mund të bëhej edhe më pas, në qershor psh. Por ai është një premtim elektoral, ashtu sikurse e ka bërë premtimin e taksës së sheshtë opozita”, përfundoi juristi për Report Tv argumentin e tij.
Juristi Kreshnik Spahiu nuk mendon se qeveria ndikoi te vota e 11 majit aq masivisht sa po pretendon opozita apo që t’i ketë blerë 200 mijë votat e diasporës.
Au u shpreh për 'Frontline' se:
"Tani po themi se ai shoferi që ka marrë gjobën për parakalim i është falur gjoba në fund për të votuar PS-në. Nuk ka demokrat nga Gjirokastra deri në Shkodër që beson se zgjedhjet u vodhën apo u blenë nëpërmjet fajles së gjobave. Prokuroria ashtu siç u shpreh për hetimin e kontratës së lobimit 6 mln euro të PD-së, duhet të ishte shprehur edhe për vendimin e Qeverisë. Prokuroria mund ta fillojë edhe kryesisht hetimin për një proces zgjedhor. Nuk përjashton mundësinë që edhe ta ketë filluar, s’kemi as pohim e as mohim nëse ka filluar për faljen e gjobave nga Qeveria. Nëse kjo është antiligjore dhe nëse prokuroria e provon jam absolutisht dakord për thelbin e çështjes. PD i ka pasur mjetet të mjaftueshme për t’i gjetur provat dhe denoncuar, pasi ka pasur 50% të komisioneve, e përfshirë në të gjithë procesin, madje edhe te vota e Greqisë”.
Kurse për votat e Greqisë ai solli argumentin tjetër duke ia kundërvënë pretendimeve të PD-së. A ka favorizuar qeveria greke me votat e diasporës Qeverinë që burgosi Fredi Belerin?
“Meqë kemi te votave të Greqisë, si mendoni ju, qeveria greke ka ndikuar në favor apo pro PD-së apo Qeverisë me postën e DHL-së. Si shpjegohet që qeveria greke të favorizojë atë që ka burgosur Fredi Belerin?! Që ka probleme me zgjedhjet dhe me atë të diasporës e them dhe e kam thënë më herët, para zgjedhjeve, sepse do kishte edhe votim familjar, edhe për faktin se qeveria dispononte mundësitë. Por që të blihen 200 mijë emigrantë nga qeveria është e pamundur, por edhe nuk mund ta them sepse nuk ka prova. Këta ranë dakord me Kodin Zgjedhor që 6 vota të shkonin në një adresë, pra duke e nxitur votimin familjar dhe shkelur kodin. Vota e diasporës ishte një votë kundër aleancës Beleri-Berisha”, tha Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu u shpreh për ‘Frontline’ se zgjedhjet patën problematikat e tyre, por në fund u zgjodhën ata që ishin paracaktuar nga liderët e partive dhe jo nga bandat kriminale.
Madje ai shkoi më tej, duke nënvizuar se edhe po të bëhen 10 herë zgjedhjet e parakohëshme nga Rama, po aq herë Partia Demokratike do i humbte këto zgjedhje.
“Nuk kanë dalë deputetë ata që deshën bandat, por ata që deshën Berisha dhe Rama. Nëse banda krijon aq vota dhe ka influencë sa siguron 40 mijë vota, atëherë është problem popullor, kemi problem si popull. Atëherë këto qenkan banda serioze. Tani ne nuk jemi të çmendur. Unë po them se nëse është e vërtetë se bandat sigurojnë kaq shumë vota, ky është problem i Elbasanit atëherë, në rastin konkret. Unë nuk them se bandat nuk kanë ndikuar, por ama pjesë kanë qenë edhe vetë kryetarët e partive”, tha juristi për Report Tv.
Ai nuk e sheh problemin vetëm tek bandat kriminale, për të cilat nuk beson se ndikon aq thellë në rezultat.
“Nëse Rama del sot të thotë se do bëjë zgjedhje të parakohëshme, e para që nuk do i dëshirojë është PD-ja dhe Sali Berisha, pasi edhe 10 herë të bëhen ato, po aq herë do humbasë PD-ja, sepse në atë gjendje janë katandisur”, shpjegoi Spahiu.
Komente
