SPAK i kontrolloi apartamentin në Vlorë, reagon avokati i Ilir Beqajt 

24 Korrik, 18:55| Përditesimi: 24 Korrik, 18:58

  • Share

1721837641_aad.jpg

Avokati i ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj ka reaguar lidhur me kontrollin e SPAK në apartamentin e klientit të tij pasditen e sotme në Vlorë. 

Avokati Ermal Yzeiraj: Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do ti bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që tu sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën.

Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020.

Përgjigja ime ishte që nëse bëhet fjalë për shtëpinë që z. Beqaj ka patur me qira dhe që e ka deklaruar dhe në ILDKPKI, kjo kontratë qiraje e 2020 ka kohë që nuk është më në fuqi dhe z. Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banesë që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme. Z. Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Madje nuk ka sens logjik që z. Beqaj të jetë përdorues i këtij apartamenti kur të gjithë e dinë që z. Ilir Beqaj është tashmë në ambientet e paraburgimit.

Një kontroll i tillë është veçse një tentativë e dëshpëruar (në nivelet e një fiksimi) për të gjetur me çdo kusht një arsye që z. Ilir Beqaj të mbahet në burg dhe tregon që arsyet e deritanishme nuk paskan qenë dhe kaq bindëse sa pretendohej se ishin. Përkundrazi të gjitha veprimet e deritanishme për mbajtjen e z. Beqaj me masë sigurie arrest në burg janë haptazi në kundërshtim me jurisprudencën e GJEDNJ.

Pyetja kryesore që të gjithë duhet ti bëjnë SPAK në këto momente, përfshirë edhe vetë Gjykatën, është: mbi çfarë provash bazohet dyshimi i ikjes së z. Beqaj, i prishjes prej tij të ndonjë prove apo i kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale, kur deri më tani z. Beqaj ka qëndruar për muaj me rradhë mbi prova, brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme dhe vetëm ka kontribuar për inventarizimin e tyre (kërkuar kjo nga vetë Gjykata e Posaçme)???

Urojmë që gjykatat të reflektojnë dhe mos jenë thjesht noterë të kësaj gjuetie të paligjshme!


Lajmi kryesor:

Beqaj në burg, SPAK kontrollon apartamentin në Vlorë, shpërthen derën! Avokati: S’është i tij! Burime: Ish-ministrit iu gjetën foto të banesës me të njëjtin arredim


S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?