TIRANË- Katër grupe kriminale, të drejtuar nga bosët nga Shqipëria, e që mbushnin Finlandën me drogë, kryesisht ajo sintetike, janë shkatërruar përmes një operacioni të përbashkët finlandezo-shqiptar. Trafiku i drogës organizohej nga Shqipëria dhe më pasi anëtarët e grupit e trafikonin atë nga Spanja e Holanda në drejtim të Finlandës. Grupi është goditur nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet finlandeze pas një hetimi 2-vjeçar, pasi procedimi penal u regjistrua në qershor 2023. Bëhet fjalë për të paktën 4 grupe kriminale me drejtues shqiptarë, që karakteristikë të veçantë kishin bashkëpunimin mes tyre për trafikun e drogës, kryesisht asaj sintetike.
Operacioni i zhvilluar mëngjesin e së martës, 3 qershor, ka çuar në pranga 9 persona në territorin shqiptar, ndërsa 2 të tjerë janë ende në kërkim. Ndërkohë, në Finlandë 55 persona, anëtarë të këtij grupi rezultojnë të dënuar, 10 prej tyre shqiptarë, pjesa tjetër finlandezë, polakë, rumunë, aziatikë e afrikanë. Në total, gjatë këtij hetimi është sekuestruar rreth 300 kg drogë, konkretisht 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis.
Gjatë operacionit për vënien në pranga të trafikantëve nga forcat e policisë dhe agjentët e BKH janë sekuestruar 8 automjete, telefona celularë dhe shumë dokumente me vlerë për hetimin, dokumente në gjuhën finlandeze me të dhëna të rëndësishme për aktivitetin kriminal të personave dhe lëvizjen e parave. Pikërisht për paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal paralelisht ka nisur një hetim pasuror për të 11 personat.
Si funksiononte grupi?
Detajet për aktivitetin kriminal të këtij rrjeti u dhanë një konferencë të përbashkët mes SPAK dhe me autoriteteve finlandeze. Dy prokurorët që kanë drejtuar hetimin në Shqipëri, Arben Kraja dhe Alfred Shehu zbuluan se kemi të bëjmë në total me 4 grupe kriminale, të drejtuara nga shqiptarë. ‘Kokat’ kryesisht vepronin nga Shqipëria dhe rezultojnë me precedentë penalë të mëparshëm në Finlandë dhe pas kthimit në Shqipëri kanë vijuar veprimtarinë kriminale. Dy prej drejtuesve janë me orgjinë nga Vlora, ndërsa 2 të tjerët nga Berati e Kuçova, por me banim në Tiranë.
“Ky bashkëpunim është dëshmi e qartë se krimi shqiptar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe vendet nordike përfshirë Finlandën”, tha kreu i SPAK, Altin Dumani, ndërsa theksoi se "organizatorët apo krijuesit e grupit preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin aktivitetin kriminal."
4 grupet ishin të ndara kështu: 2 prej tyre organizonin trafik nga Spanja, Holanda drejt Finlandës. Më pas atje kishin rrjetin e shpërndarjes së drogës. Grupi tjetër, i drejtuar po nga shqiptarë, vepronte vetëm në territorin e Finalndës me sigurimin e lëndëve narkotike, blerjen dhe shitjen po në këtë shtet. Ndërsa, grupi tjetër kishte si detyrë të tij dhe qëllim organizmin e trafikut të marjuanës nga Spanja në drejtim të Finlandës përmes shërbimit postar.
Për të organizuar aktivitetin e tyre kriminal, anëtarët e grupit përdornin kryesisht tre aplikacione, Telegram, Signal dhe WhatsApp. Drejtuesit shqiptarë kujdeseshin që të paguanin për anëtarët e grupit çdo shpenzim. Rrjetit të shpërndarësve të drogës që i kishin dërguar në Finlandë, u paguan çdo shpenzim, edhe qëndrimet nëpër banesa.
Trafiku i drogës
Grupet kriminale kanë mundur të shesin me qindra kg drogë në tregun finlandez dhe fitimet konsiderohen disa milionë euro. 4 episode të mëdha janë dokumentuar, por janë zbardhur edhe shumë të tjera më të vogla.
Episodet më të rëndësishme të dokumentuara gjatë viteve 2022-2024 përfshijnë: Trafikimin dhe më pas shitjen e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis si dhe sasi të konsiderueshme kokaine. Shpërndarjen masive të tabletave ekstazi dhe substancave të tjera të ndaluara në Helsinki dhe qytete të tjerë.
Kryesisht grupi kriminal me bazë në Spanjë, e trafikonte drogën në drejtim të Finlandës përmes shërbimit postar. Një tjetër rast i treguar nga prokurori finlandez Hans Fagerstrom, ishte transportimi i amfetaminë nga Holanda drejt Finlandës, duke përdorur një kamion me targa polake dhe një shofer polak.
Ky është momenti ku 9 personat e arrestuar në Shqipëri në kuadër të operacionit “Pietari” dërgohen në polici. Operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet finlandeze.
Autoritetet vendase lëshuan 11 masa sigurie, 9 prej të cilave u ekzekutuan, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Njëri prej tyre mësohet se është larguar jashtë vendit.
Në operacion u përfshinë 110 punonjës të Policisë së Shtetit. Konkretisht, u përfshinë Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forca Kombëtare e Sigurisë.
SPAK dhe autoritetet finlandeze njoftuan në konferencën për mediat se kishin goditur 4 grupe kriminale, të cilët drejtoheshin nga Shqipëria.
Prokurori Alfred Shehu ka dhënë detaje se si funksiononte grupi kriminal i trafikut të drogës i goditur në bashkëpunim me autoritetet finlandeze. Bëhet fjalë për 4 grupe kriminale të drejtuara nga shqiptarë, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë mes tyre për organizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Shqipëria, Spanja e Holanda drejt Finlandës. Dy nga drejtuesit e grupit janë me origjinë nha Vlora, 2 të tjerë Kuçova dhe Berati, por janë të vendosur me banim në Tiranë.
“Karakteristikë e këtyre grupeve ka qenë bashkëpunimi i tyre me njëri-tjetrin. Grupe të veçanta bashkëpunonin me njëri-tjetrin për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale. 2 nga grupet organizonin trafik nga Shqipëria drejt Spanjës, Holandës dhe Finlandës. Më pas atje kishin rrjetin e shpërndarjes. Një grup tjetër kriminal i drejtuar po nga shtetas shqiptar vepronte vetëm në Finlandë me sigurimin e lëndëve narkotike, blerjen dhe shitjen në Finlandë, Një grup tjetër i drejtuar nga shqiptarë, kishte si detyrë të tij dhe qëllim organizmin e trafikut të marjuanës nga Spanja në drejtim të Finlandës përmes shërbimit postar. Krerët e grupeve një pjesë kanë qenë më parë të ndjekur penalisht në Finalndë, dhe nuk kanë qenë të evidentuar në Shqipëri. Pas kthimit në Shqipëri, kanë drejtuar aktivitetin nga Shqipëria ose shtete të tjera të BE. Kjo ka qenë edhe një nga rezultatet e hetimit të përbashkët, nga informacionet e përfituara në kohë reale i transmetoheshin autoriteteve finlandeze. Dy nga krerët e grupeve kriminale janë me origjinë nga Vlora. Pjesa tjetër e përqendruar në Kuçovë dhe Berat. Një pjesë e këtyre, janë të vendosur me banim në Tiranë”, tha Shehu.
Zyrtari finlandez tregoi edhe si kryhej transporti i lëndëve narkotike.
Njëra nga rrugët ka qenë transportimi nga Holanda në Finlandë duke përdorur kamion, një kamion me targa polake dhe një shofer polak. Konsumimi i amfetaminës është i lartë në Finlandë, duke qenë se vendi i origjinës është Holanda, kështu që ka sens ky lloj trafikimi nga Holanda. Kanabisi dërgohej nga Spanja në Finlandë. Nga 55 persona të dënuar në Finalndë, 10 janë me shtetësi shqiptare. Kemi edhe shtetas finlandezë dhe polakë të dënuar, ka shumë shtetas rumunë të përfshirë, aziatikë, dhe shtetas afrikanë.
Në konferencën për mediat, u bë me dije se janë dokumentuar 4 raste të mëdha të trafikut të lëndëve narkotike. Ndërkohë prokurori Alfred Shehu bëri me dije se e “veçanta” e këtyre grupeve është se grupet “shkëmbenin” anëtarët me njëri-tjetrin në raste specifike.
Hans Fagerstrom: Kemi pasur 4 episode të mëdha në Finlandë të trafikimit të lëndëve narkotike, kishte edhe më të vogla. Sa i përket fitimit të nxjerrë prej tyre.
Alfred Shehu: Bëhet fjalë për katër raste të mëdha të trafikimit në sasi të mëdha. Për pjesëtarët e tjerë të grupeve që janë arrestuar dhe dënuar në Finlandë, rastet janë të shumta. Karakteristikë e këtyre grupeve kanë qenë anëtarët e njërit grup në raste të veçantë bashkëpunim edhe me anëtarë e grupeve të tjera. Rruga e parave po hetohet. Realisht në Shqipëri të gjithë krerët e këtyre grupeve konsideroheshin si persona që bënin një jetë normale.
Zyrtari finlandez, Hans Fagerstrom tha se anëtarët e grupit kriminal përdornin Telegram, Signal dhe WhatsApp.
“Përdornin Telegram, Signal dhe WhatsApp. Kjo është diçka e zakontë për shtetasit e përfshirë në aktivitet kriminal në ditët e sotme. Money transfer në Shqipëri.”, tha ai.
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zbuluar se si funksiononte grupi kriminal që drejtohej nga Shqipëria. Sipas tij, grupi kishte krijuar një rrjet në Finlandë, ndërsa dërgonte herë pas here njerëz nga Shqipëria.
Dumani tha se ndryshe nga herë të tjera, fokusi i këtij grupi ishin edhe drogërat sintetike.
" Aktiviteti shtrihet në vite. E dyta organizatorët apo krijuesit e grupit preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin aktivitetin kriminal. Sot gjykata ka lëshuar 11 masa sigurimi, të gjithë janë shtetas shqiptar, 10 ishin në Shqipëri, një jo. janë 54 persona të proceduar, shumica prej tyre të dënuar në Finlandë. Në Finlandë janë edhe shtetas finlandez, jo vetëm shqiptarë. Edhe shtetësi të tjera. Ajo që ne si SPAK na ka bërë përshtypje është se në hetimet tona është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus edhe droga sintetike. Deri tani kemi parë se kryesisht grupet shqiptare janë pas kokainës, heroinës apo marihuanës e kanabisit. Sasitë janë të mëdha. Kemi kapur edhe ekstazi. Të gjithë e dimë rrezikun që paraqet për shëndetin e konsumatorit këto drogëra sintetike. Ky grup kriminal kishte një rrjet të tyre në Finlandë dhe në mënyrë periodike herë pas herë dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre që shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndës narkotike.”, u shpreh Dumani.
Prokurori Arben Kraja jep detaje për operacionin e SPAK dhe autoriteteve finlandeze për goditjen e një grupi kriminal të trafikut të drogës. Kraja tha se droga trafikohej nga Shqipëria drejt Finlandës, ose nga Spanja drejt Finlandës.
Hetimi ka nisur në Shqipëri në bazë të informacione të dërguar nga autoritete finlandeze. Kishin konstatuar shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal. Në Shqipëri u regjistruar procedimi penal, u ra dakord të krijonim një skuadër të përbashkët hetimore, që u finalizua shumë shpejt, brenda 2-3 muajve, pastaj dy vjet rresht punë dhe takime të përbashkëta dhe kemi ardhur sot që kemi këtë rezultat. Nga ky hetim kemi nxjerrë disa tipologji problematika që tregojnë shtrirjen dhe shpërndarjen e aktivitetit kriminal të Shqiptarëve jashtë territorit tonë. Përfshirë nga Shqipëria drejt Finlandës, nga Spanja drejt Finlandës. Kemi përdorur metoda speciale të hetimit, gjatë gjithë periudhës dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe dakordësinë me veprimet që do kryejmë hap pas hapi.
Prokurori i SPAK, Alfred Shehu tha se janë lëshuar 11 masa sigurie, 9 prej të cilëve janë ekzekutuar. Në kërkim janë dy të tjerët. Ndërkohë, janë sekuestruar edhe 8 automjete, celularë dhe dokumente.
Prokurori tha se po vijojnë edhe me hetimin pasuror të të përfshirëve.
“Shkëmbimi informacionit nga autoritetet finlandeze ka qenë pa ndërprerje. Në përfundim të këtyre veprimeve, u arrit edhe përcaktimi i ditës së aksionit se kur do të bëhej goditja, në marrëveshje me përfaqësuesit e autoriteteve finlandeze. Nga ana e SPAK, gjatë majit është dërguar kërkesa për caktim mase sigurimi për 11 persona. Data u vendos sot në dakordësi edhe me autoritetet finlandeze pasi në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të policisë finlandeze. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë e mundur zbatimi i masës së sigurimit deri më tani i 9 personave.
Po vazhdon puna për të bërë të mundur edhe arrestimin e dy personave të tjerë. Gjatë zbatimit të masave të sigurimit, janë sekuestruar disa automjete, konkretisht 8, telefona celularë, dhe shumë dokumenteve, ku një pjesë konsiderohen me vlerë për hetimin pasi janë në gjuhën finlandeze dhe ka të dhëna me aktivitetin kriminal të personave. Do të vazhdojmë edhe hetimin pasuror për personat e identifikuar.”, u shpreh Shehu.
Komisari për Krimin në Byronë Kombëtare në Finlandë, Hans Fagerstrom tha se drejtuesit kryesorë të grupit kriminal vepronin nga Shqipëria. Në konferencën për mediat së bashku me SPAK, zyrtari tha se dy vite më parë u ndërmor një hetim në shkallë të gjerë, ku u arrestuan 55 shtetas, mes tyre shqiptarë.
U sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike e trafikuar nga Spanja dhe Holanda, dhe se drejtuesit kryesor vepronin nga Shqipëria.
“Dua të përgëzoj të gjithë kolegët që morën pjesë në këtë operacion sot në mëngjes. Dua të përgëzoj SPAK për bashkëpunimin gjatë dy viteve të fundit. Dy vite më parë u ndërmor një hetim në shkallë të gjerë, u arrestuan 55 shtetas. U sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike e trafikuar nga Spanja dhe Holanda. 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë, rreth 100 kg marihuanë dhe disa tableta lëndësh narkotike. Nga hetimi në Finlandë, rezultoi se drejtuesi kryesor ishin shtetas që vepronin nga Shqipëria.”, u shpreh komisari nga Finlanda.
Altin Dumani flet për operacionin me autoritetet finlandeze.
"Arritje për historinë e SPAK, pasi shënon krijimin e njësisë së parë hetimore mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze. Ky bashkëpunim është dëshmi e qartë se krimi ka shtrirë aktivitetin e tij edhe vendet nordike përfshirë Finlandën. Ky hetim është tregues i qartë i vlerësimit që autoritetet ligj zbatues nordike kanë dhënë strukturave tona të drejtësisë. Na kanë mundësuar të godasim disa grupe kriminale të trafikut të drogës, drogë sintetike, kokainë, marjuanë etj. Rezultat i një pune të gjatë", tha Dumani.
Komente
