Sulme të reja midis Iranit dhe Izraelit, me Teheranin që njofton se ka përdorur edhe sulme hipersonike dhe IDF që siguron se ka goditur vendet e programit bërthamor të Teheranit. Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz deklaroi se avionët luftarakë izraelitë “kanë shkatërruar selinë qendrore të sigurisë së brendshme të regjimit iranian, organin kryesor shtypës të diktatorit iranian”.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, shkroi në një postim në X se "beteja ka filluar" dhe vendi i tij nuk do të tregojë "asnjë mëshirë" ndaj udhëheqësve izraelitë: "Ne do t'i japim një përgjigje të fortë regjimit terrorist sionist".
Mesazhi erdhi disa orë pasi Trump i kërkoi Teheranit një "dorëzim pa kushte". Ambasadori iranian në OKB në Gjenevë tha se Teherani do t'u përgjigjet "pa kufij" sulmeve të Izraelit dhe, në rast të përfshirjes së drejtpërdrejtë, edhe atyre të Shteteve të Bashkuara.
Reagimi erdhi menjëherë nga Trump, i cili nga Shtëpia e Bardhë la të hapur mundësinë e sulmeve amerikane ndaj bazave nukleare të Iranit. "Të sulmoj vendet bërthamore të Iranit? Mund ta bëj ose jo. Por nuk do ta them publikisht", tha Donald Trump.
Sipas Neë York Times, duke cituar burime amerikane, "Irani po përgatit raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për të sulmuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse Shtetet e Bashkuara bashkohen me luftën e Izraelit". "Mund të vendosin mina në Ngushticën e Hormuzit nëse Shtetet e Bashkuara bashkohen me luftën e Izraelit", shkruan gjithashtu NYT.
Këtë mëngjes, sirenat e alarmit u dëgjuan në Izraelin verior për mbërritjen e dronëve iranianë. Shtatë dronë u rrëzuan. Brenda një ore, alarmi u aktivizua tre herë në Lartësitë e Golanit. Bastisjet vazhdojnë gjithashtu nga Izraeli, i cili goditi edhe Universitetin e Teheranit.
Ndërkohë, Trump po vendos më shumë avionë ushtarakë në Lindjen e Mesme dhe po shqyrton seriozisht nisjen e një sulmi kundër Iranit, sipas mediave amerikane. Mbrëmë, një telefonatë midis presidentit amerikan dhe Netanyahut. Ndërsa IDF njoftoi se kishte eliminuar tashmë shefin e ri të shtabit të ushtrisë iraniane, Shadmani.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei i është drejtuar kombit duke thënë se Irani nuk do të dorëzohet asnjëherë përballë imponimit dhe se Izraeli do të ndëshkohet për gabimin e madh që ka bërë. Kërcënoi edhe SHBA-të, teksa tha se nëse sulmojnë, do të përballen me pasoja të pariparueshme.
Sakaq, Forcat Ajrore Izraelite kanë nisur sërish sulmet ndaj objektivave ushtarake në Teheran. Nga ana tjetër, Moska tha se SHBA nuk duhet të ofrojë ndihmë ushtarake për Izraelin, pasi sipas saj, do të ishte një lëvizje destabilizuese për të gjithë rajonin.
Lajm në përditësim...
Irani pretendon se ka përdorur raketa hipersonike në sulmin e fundit ndaj Izraelit. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni shtetëror iranian, sipas të cilit raketat Fattah “kanë depërtuar me sukses mbrojtjen e regjimit izraelit”.
Përfshirja e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Iranit në krah të Izraelit do të sillte ndërhyrjen e Hezbollahut, krah Teheranit. Kështu është shprehur për Al Jazeera një zyrtar i lartë iranian, i cili ka deklaruar gjithashtu se një përfshirje e mundshme e Uashingtonit në konflikt do të përbënte një kërcënim pa precedent për transportin detar global.
Lidhja me internetin në Iran është “pothuajse tërësisht e bllokuar”, sipas informacioneve të mbledhura nga NetBlocks, një organizatë britanike që monitoron qasjen në internet në mbarë botën.
Kjo informatë vjen pas raportimeve të përsëritura që kanë qarkulluar nga brenda vendit gjatë dy ditëve të fundit. Nuk është ende e qartë nëse ky bllokim është rezultat i ndonjë sulmi kibernetik izraelit apo i kufizimeve të brendshme të vendosura nga autoritetet iraniane për të penguar infiltrimet.
Sulm i ri me raketa nga Irani kundër Izraelit. IDF e raportoi këtë ndërsa sirenat e sulmit ajror janë gati të aktivizohen për të njoftuar popullsinë që të shkojë në strehimore
"Asgjë nuk ka mbaruar. E dini, lufta është shumë komplekse, shumë gjëra të këqija mund të ndodhin, mund të ketë shumë kthesa, kështu që nuk e di".
Kjo është ajo që tha Donald Trump kur foli për Iranin. Pastaj ai shpjegoi se çfarë nënkuptonte me dorëzim pa kushte nga Teherani.
"Do të thotë mjaft, nuk do ta bëjmë më dhe nuk do të hedhim në erë të gjitha objektet bërthamore që janë kudo", tha ai.
Media izraelite Hareetz raporton se tre aeroplanë të qeverisë iraniane kanë zbarkuar në kryeqytetin e Omanit, këtë pasdite. Avionët u nisën nga Irani jugor dhe njëri prej tyre është aeroplani presidencial, i cili deri vonë përdorej nga Presidenti Masoud Pezeshkian. Qëllimi i fluturimeve është ende i panjohur dhe nuk është raportuar nëse ato po mbërrinin për negociata në Oman, apo nëse ndonjë nga pasagjerët po përpiqet të largohej nga vendi.
Presidenti Donald Trump lë të hapur mundësinë e sulmeve amerikane ndaj bazave nukleare të Iranit. "Të sulmoj vendet bërthamore të Iranit? Mund ta bëj ose jo. Por nuk do ta them publikisht", tha Donald Trump në përgjigje të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ai përsëriti se Teherani është "në telashe të mëdha dhe dëshiron të negociojë". "Ata do të kishin dashur të negocionin, por ndoshta është tepër vonë. Ata kanë probleme serioze tani. Ata na kanë kontaktuar. Ata kanë menduar të vijnë në Shtëpinë e Bardhë. Mua më duket vonë edhe pse nuk është kurrë tepër vonë."
Deklarata e Trump vjen pak orë pasi lideri iranian Ali Khamenei kërcënoi SHBA që të mos përfshihen në luftën mes Iranit dhe Izraelit, në të kundërt do të vuajnë dëme të pariparueshme.
Avionët luftarakë izraelitë “kanë shkatërruar selinë qendrore të sigurisë së brendshme të regjimit iranian, organin kryesor shtypës të diktatorit iranian”. Kështu ka deklaruar ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, duke theksuar se “tornadoja vazhdon të godasë Teheranin”.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, do të kryesojë këtë pasdite një mbledhje emergjente të komitetit Cobra, në dritën e zhvillimeve të fundit mes Iranit dhe Izraelit, shkruan Sky News. Më herët, Mbretëria e Bashkuar kishte urdhëruar kthimin në atdhe të familjarëve të diplomatëve të saj që ndodhen në Izrael.
Do të mblidhet në orën 16:00 në Pallatin Élysée Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë nga Emmanuel Macron. Në mbledhje, në ditën e gjashtë të përshkallëzimit ushtarak mes Izraelit dhe Iranit, sipas BFM TV, do të jenë të pranishëm kryeministri François Bayrou, ministri i Mbrojtjes Sébastien Lecornu, ministri i Jashtëm Jean-Noël Barrot dhe ministri i Brendshëm Bruno Retailleau.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thirrur në mënyrë urgjente mbledhjen e kabinetit të sigurisë së Izraelit. Takimi pritet të zhvillohet sonte në mbrëmje, ku do të diskutohet mbi konfliktin me Iranin.
Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një telefonatë me homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Putin kërkoi përpjekje të shtuara diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit Izrael-Iran.
“Putin dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe po shtyjnë përpara një zgjidhje të konfliktit Iran-Izrael sa më shpejt të jetë e mundur, duke rritur përpjekjet diplomatike", tha Kremlini.
Të dy liderët, shton Kremlini, "shprehin shqetësim të thellë për përshkallëzimin e konfliktit iraniano-izraelit, i cili ka pasoja serioze negative për rajonin".
Shpërthime të reja në Teheranin lindor. IDF thotë se Forcat Ajrore Izraelite (IAF) po godasin aktualisht objektiva ushtarake të regjimit iranian në Teheran.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, përsëriti premtimin e tij se Izraeli "do të ndëshkohet" për "gabimin e rëndë" që ka kryer. Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, ai deklaroi se populli nuk do ta harrojë gjakun e martirëve dhe sulmin në territorin e tyre.
"Irani nuk do të pranojë një paqe apo luftë të imponuar. Ata që e njohin historinë e Iranit e dinë se ne nuk pranojmë kërcënime.", deklaroi Khamenei.
Kërcënimit të SHBA ai iu përgjigj me një kërcënim, teksa tha se nëse sulmojnë, do të "shpërblehen" me dëm të pariparueshëm.
"Kushdo që e njeh Iranin, popullin dhe historinë e tij nuk do t'i drejtohej kurrë këtij kombi me tone kërcënuese, sepse Irani nuk do të dorëzohet. Amerikanët duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake nga ana e tyre padyshim që do të shpërblehet me dëm të pariparueshëm", u shpreh Khamenei.
Sipas tij, "ky komb nuk do t'i dorëzohet askujt përballë imponimit. Izraeli ka bërë një gabim të madh dhe do të ndëshkohet."
Zëdhënësi i Politikës së Jashtme të BE-së, Anouar El Anouni u shpreh se ndryshimi i qëndrimit të dakordësuar të BE-së. Në një konferencë për shtup, El Anouni theksoi:
"Le të jem i qartë: ndryshimi i regjimit nuk është pjesë e qëndrimit të dakordësuar të BE-së. Ne jemi të përkushtuar ndaj një qasjeje gjithëpërfshirëse politike ndaj Iranit, për të adresuar të gjitha çështjet shqetësuese, duke marrë parasysh të gjitha opsionet që kemi në dispozicion, përfshirë sanksionet.
Për këtë arsye, qasja jonë është kritike kur është e nevojshme dhe e gatshme të angazhohemi aty ku interesat përputhen", tha zëdhënësi.
Rusia i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të mos ofrojnë ndihmë ushtarake për Izraelin, apo edhe kundër marrjes në konsideratë të saj. Kjo u raportua nga Interfax, duke cituar zëvendësministrin e jashtëm rus Sergei Ryabkov, i cili tha se ndihma e drejtpërdrejtë ushtarake amerikane për Izraelin mund të destabilizojë rrënjësisht situatën në Lindjen e Mesme.
Ryabkov tha se "Shtetet e Bashkuara janë vazhdimisht në ballë të të gjitha proceseve dhe të thuash se nuk ndërhynë më parë, por tani po, mendoj se do të ishte gabim. Është një çështje tjetër se si e shohin situatën në lidhje me ofrimin e ndihmës së drejtpërdrejtë ushtarake për Izraelin. Ne e paralajmërojmë Uashingtonin kundër opsioneve edhe spekulative dhe teorike. Ky do të ishte një hap që do të destabilizonte rrënjësisht të gjithë situatën."
Televizioni shtetëror iranian ka shpërndarë një video në rrjetet sociale ku shfaqet një dorë duke ledhatuar një pajisje që ngjan me një bombë bërthamore, e shoqëruar me mbishkrimin “ndoshta”.
Kjo ndodh në një kohë kur Izraeli po vazhdon sulmet ndaj objektivave iraniane dhe presidenti amerikan, Donald Trump, i ka drejtuar një mesazh të prerë udhëheqësve të Teheranit.
Izraeli ka deklaruar se këto sulme i ka ndërmarrë sipas tij për të parandaluar Iranin nga krijimi i një arme bërthamore.
Televizioni shtetëror iranian të martën pasdite u bëri thirrje njerëzve të heqin WhatsApp nga telefonat e tyre inteligjentë, duke pretenduar pa prova specifike se aplikacioni i mesazheve mblodhi informacione të përdoruesve për t'i dërguar në Izrael.
Në një deklaratë, kompania që zotëron aplikacionin WhatsApp tha se ishte e shqetësuar se këto raportime të rreme do të shërbejnë si justifikim që shërbimet e tyre të bllokohen në një kohë kur njerëzit kanë më shumë nevojë për to. WhatsApp përdor enkriptim për mesazhet, që do të thotë se një ofrues i jashtëm shërbimi, nuk mund ta lexojë një mesazh.
Foto: Rexhep Tajip Erdogan
Veprimet e Iranit janë mbrojtje legjitime dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kjo u deklarua nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili foli këtë mëngjes para Parlamentit turk.
“Pas gjenocidit në Gaza, sulmeve ndaj Libanit, Sirisë dhe Jemenit, Izraeli e ka shtrirë dhunën e tij ndaj Iranit. Ata kanë bombarduar vendin dhe kanë vrarë njerëz. Duhet ta them qartë këtë: Veprimet e Iranit kundër Izraelit janë një mbrojtje legjitime që është e natyrshme dhe në përputhje me ligjin”, tha Erdogan.
Të paktën 34 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë bombardimeve të IDF-së në disa zona të Rripit të Gazës këtë mëngjes. Agjencia 'Wafa' raportoi se midis viktimave, 11 palestinezë u vranë dhe dhjetëra kërkues ndihmash u plagosën në Rripin qendror të Gazës.
Bombardime masive goditën lindjen e qytetit të Gazës dhe Jabalia në Rripin verior të Gazës.
Foto: Ajatollah Ali Khamenei
Lideri i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, do t'i drejtohet kombit në një fjalim televiziv, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim të Iranit.
Shfaqja e fundit publike e Khameneit ishte të premten, menjëherë pas fillimit të sulmit të Izraelit ndaj Iranit.
Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për t'i dhënë fund konflikteve, duke u shprehur se lufta është gjithmonë një disfatë.
Duke përmendur luftën në Gaza, në Ukrainë dhe së fundmi sulmet mes Iranit dhe Izraelit, Papa thotë se nuk duhet të mësohemi me luftën, por duhet të rrëzojmë 'joshjen e armëve të fuqishme dhe të sofistikuara'.
"Zemra e Kishës është e shqyer nga britmat që vijnë nga vendet e luftës, në veçanti nga Ukraina, Irani, Izraeli dhe Gaza. Nuk duhet të mësohemi me luftën, përkundrazi duhet ta hedhim poshtë si tundim joshjen e armëve të fuqishme dhe të sofistikuara", deklaroi Papa.
"Në emër të dinjitetit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare, u përsëris atyre që janë përgjegjës atë që thoshte Papa Françesku: 'Lufta është gjithmonë një disfatë.' Dhe me Piun XII: 'Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën.'', shtoi më tej Papa.
Çdo ndërhyrje amerikane në Lindjen e Mesme do të ishte "një recetë për luftë të përgjithshme në rajon", tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane Esmail Baghaei.
I pyetur nga Al Jazeera nëse mendonte se Shtetet e Bashkuara mund ta kontrollonin Izraelin, Baghaei u përgjigj: "Jo tamam".
Ky koment vjen pas raportimeve se Donald Trump po shqyrton opsionet për të vendosur trupa në Lindjen e Mesme, përfshirë një sulm të mundshëm ndaj Iranit.
Jo vetëm centralet bërthamore, por edhe një universitet në Teheran është shënjestruar nga sulmet ndaj Iranit.
Lajmi raportohet nga mediat britanke, duke specifikuar se bëhet fjalë për Imam Hossein, një universitet që besohet se financohet nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (Pasdaran) në periferi lindore të kryeqytetit iranian.
Dëmet e mundshme janë aktualisht të panjohura.
Grupi i hakerëve pro-izraelitë "The Predatory Sparroë" ka njoftuar një sulm të ri kibernetik kundër bursës më të madhe të kriptomonedhave në Iran, pas sulmit kibernetik të djeshëm në bankën kryesore të Republikës Islamike.
Bursa Nobitex u sulmua raportojnë ata, ndërsa kërcënuan se do të zbulonin të të gjitha informacionet e brendshme të bursës brenda 24 orëve, duke akuzuar Novitec për financimin e terrorizmit iranian dhe kështu anashkalimin e sanksioneve ndërkombëtare.
Izraeli filloi të planifikonte sulme kundër Iranit në dhjetor, pasi shkatërrimi i grupit terrorist Hezbollah dhe rënia e regjimit të Asadit në Siri hapën një korridor ajror, raporton New York Times.
Sipas gazetës amerikane, kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi Shtëpinë e Bardhë në shkurt, ai i shpjegoi programin bërthamor të Iranit presidentit të SHBA-së Donald Trump në Zyrën Ovale.
Trump më pas zgjodhi mosndërhyrjen, megjithëse vendosi t'i jepte Izraelit "mbështetje ende të pazbuluar nga inteligjenca amerikane për të kryer sulmin", shkruan NYT.
Irani ka pretenduar se ka "nën kontroll" qiellin e Izraelit pas sulmeve të mbrëmshme.
Në një mesazh drejtuar vendit, koloneli Iman Tajik, zëdhënës i Operacionit Premtimi i Vërtetë 3, tha se "raketat Fatah të gjeneratës së parë" të përdorura në sulm "thyen mburojën mbrojtëse nga raketat dhe tronditën disa herë strehën e sionistëve frikacakë".
Presidenti Donald Trump ende nuk ka vendosur nëse Shtetet e Bashkuara do t'i bashkohen Izraelit në sulmin ndaj programeve bërthamore dhe ushtarake të Iranit, thanë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për Wall Street Journal.
Burimet thanë se sulmi ishte një nga disa opsione të diskutuara gjatë takimit midis Trump dhe ekipit të tij të sigurisë kombëtare.
Media amerikane raporton se presidenti ende shpreson se kërcënimi i veprimeve ushtarake të SHBA-së do ta çojë Iranin të pranojë kërkesat e tyre në bisedimet bërthamore.
Mbi 90 persona kanë mbetur të plagosur nga sulmet e fundit iraniane gjatë natës në Izrael. Sipas ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit, ata po marrin trajtim mjekësor në spital.
Sipas Izraelit, Irani qëlloi dy breshëri gjatë natës duke arritur në total rreth 15 raketa. Forcat Mbrojtëse të Izraelit morën gjithashtu përgjegjësinë për rrëzimin e tre dronëve iranianë.
Mediat iraniane raportojnë për arrestimin e disa personave, të akuzuar për spiunazh për agjencinë izraelite të inteligjencës Mossad dhe planifikim sulmesh në tokën iraniane. Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, një i huaj u ndalua në qytetin portual të Bushehrit ndërsa filmonte një zonë të ndjeshme bërthamore dhe u akuzua për bashkëpunim me inteligjencën izraelite.
Tasnim raportoi gjithashtu zbulimin, në qarkun e Baharestanit (në periferi të Teheranit), të një "ekipi terrorist" të lidhur me Mossad-in. Sipas agjencisë, mikro-dronë, eksplozivë dhe sisteme komunikimi dhe synimi u gjetën brenda një automjeti.
Sipas Morad Moradi, guvernatorit të përkohshëm të zonës, qëllimi i grupit ishte të kryente "operacione të gjera vetëvrasëse në zona të dendura me popullsi" për të "shkaktuar panik dhe për të destabilizuar sigurinë e brendshme".
Një tjetër media raportoi arrestimin e katër personave në Isfahan të dyshuar se punonin si "mercenarë" për Izraelin.
Komente

Po more Fashist Amerikan qe ideollogji jote eshte vetem nji meter larg Hundes ti je nji Egoist qe nuk mendon per popullin tend qe gjenden xhdokund ne bote ,cka dote ndodhe me turistet Amerikane ti do sulmosh Iranin ata doti gjejne lehte turistet Amerikane apo doti mbron Izraeli ?
PërgjigjuMe cte drejte USA do te sulmoje Iranin???
PërgjigjuIZRAELI DO TE FITOJE! ZOTI ESHTE ME TE! Irani do te deshtoje!
PërgjigjuKhamenei sapo that qe eshte gati te leshoje armen nukleare n tel-aviv. Tani eshte teper vone, fajin e ka Donald. Amerika deshtoje
PërgjigjuDonaldi eshte rrote fare ndersa Khamenei do kete me teper armiq brenda vendit sesa jashte or teeeejjjjj