Pas incidentit që ndodhi një ditë më parë në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh, ku dy ushtarë shqiptarë u sulmuan nga një shtetas rus me spraj kimik në fytyrë, ka reaguar presidenti i vendit Bajram Begaj. Begaj thotë se është në komunikim të vazhdueshëm më strukturat e sigurisë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjzbatuese, të cilat shton se i inkurajon për zbardhjen e ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare. Në postimin e tij në rrjetet sociale, presidenti shpreh mirënjohjen për dy efektivët e Forcave të Armatosura.
‘Ngjarjen në uzinën e Gramshit po e ndjek me shumë vëmendje. Jam në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj dhe mbështes për të vazhduar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare. Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë!’- shkruan Begaj.
Lajmi kryesor:
Sulmi ndaj ushtarëve në Gramsh, në makinën e rusëve u gjetën 2 dronë, aparate fotografikë dhe harta! Zbardhen akuzat që rëndojnë ndaj tyre
M.Q./ReportTv.al