Kombëtarja shqiptare

Të gjithë sytë nga Dusseldorfi! 90 minuta për të bërë historinë, Shqipëria ëndërron kualifkimin më tej përballë 'Furisë së Kuqe'

24 Qershor, 08:41| Përditesimi: 24 Qershor, 12:46

  • Share

Me një kampione Evrope në fuqi si Italia 4 herë kampione bote, me një ish nënkampione bote si Kroacia apo një ish kampione bote, 3 herë kampione Evrope si Spanja, Shqipëria e vogël dukej se do të digjej shpejt në flakët e grupit të ferrit të Evropianit të Gjermanisë.

Por nuk ndodhi kështu! Atë fat që dukej sikur ishte shkruar që në short, kuqezinjtë e morën vetë në duar dhe e kanë sërish edhe sonte, kur përballë Spanjës në orën 21:00 në Dusseldorf mund të shkruajnë me germa të arta arritjen e majës më të lartë të futbollit shqiptar.

Kombëtares sonë i duhet një fitore për të realizuar ëndrrën e kualifikimit në fazën tjetër atë me eliminim direkt. Në të njëjtën orë luhet edhe Kroaci-Itali. Një trepikësh i kuqezinjve dhe një fitore e Kroacisë me Italinë do ta çonte Shqipërinë direkt në vendin e dytë, të kualifikuar që sonte, ndërsa një rezultat pozitiv i italianëve, do ta rendiste kombëtaren të tretën me 4 pikë nëse merr maksimumin ndaj iberikëve.

Deri më tani situata në grupin B qëndron e tillë ku Spanja në vendin e parë ka 6 pikë, Italia e dyta me 3 pikë dhe Shqipëria e Kroacia, respektivisht në vendin e tretë dhe të katërt me nga 1 pikë.

Shqipëria dhe Spanja kanë luajtur 8 ndeshje në histori, me një dominim total të “furisë së kuqe”. Të teta sfidat kanë përfunduar me fitoren e Spanjollëve, ndërsa kuqezinjtë kanë arritur t’i shënojnë vetëm 3 gola në këto ndeshje, ndërsa kanë pësuar plot 31.

Por në Dusseldorf historia bën pak punë. Një Spanjë e kualifikuar dhe pa objektiv do të jetë përballë një Shqipërie më të motivuar se kurrë.

Për ta përshtatur me kundërshtarin trajneri Sylvinho pritet të bëjë disa ndryshime të rëndësishme në formacion. Me portën që nuk ndryshon Strakosha titullar i padiskutueshëm, në mbrojtje luan Balliu në vend të Hysajt dhe Ismajli në vend të Ajetit, ndërsa Gjimshiti dhe Mitaj mbeten në formacion. Në mesfushë trajneri kërkon garanci nga eksperienca dhe grinta e Abrashit, ndërsa konfirmohen Ramadani dhe Asllani. Në ofensivë Bajrami e Laçi nga krahët, ndërsa Broja rikthehet në majë të sulmit.

Sa i përket Spanjës vetëm qendërmbrojtësi Laporte do të jetë nga 11-tëshja që zbriti në fushë me Italinë. Spanjollët e tjerë që do jenë përballë Shqipërisë janë Raya; Navas, Vivian, Grimaldo; Merino, Zubimendi, Olmo; Torres, Joselu, Oyarzabal

Spanja shihet si një prej ekipeve më të forta në këtë EURO 2024, por statistikat në disa raste e zvogëlojnë diferencën me Shqipërinë. Statistikat tregojnë një Shqipëri më efektive në ofensivë, me 52.3% të sulmeve tona që kanë përfunduar me gjuajtje drejt portës, përkundër 34.8% të Spanjës. Në shenjëstrimin e gjuajtjeve kemi patur një epërsi të lehtë – 39.1% e gjuajtjeve tona kanë përfunduar brenda kuadratit të portës, përkundër 38.7% të Spanjës. Ndërsa shndërrimin në gola të gjuajtjeve brenda kuadratit e kemi patur më të lartë se të Spanjës – 33.3% vs. 25%.

Në fushë janë 90 minutat që do të vendosin, minuta emocioni dhe festë në një stadium që pritet të jetë i ndezur flakë, nga e kuqja e shqiponjave dhe jo ajo e ‘furisë spanjolle’. 

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?