Në selinë blu, mesazhi i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat përshëndetën 11 majin, është zgjedhur të lexohet ndryshe. Kreu i saj Sali Berisha thotë se ambasada nuk është shprehur përfundimisht nëse i bashkohet pretendimit të tij për farsë elektorale apo jo.
“Merr e lexoni të gjitha deklaratat e mëparshme të asaj ambasade për zgjedhjet, për ta kuptuar shumë më mirë se cili ishte thelbi i deklaratës. Aty urohen shqiptarët... As nuk mohohet as nuk pohohet farsa. Pse nuk e përshëndeti Edi Rama atë urim. Më thuaj pak. Ai po e priste si diçka hyjnore atë urim. Pse nuk e përshëndeti. Pra faktikisht është asgjësimi i Edi Ramës”, tha Berisha.
Gjatë, u ndal te vota e diasporës, ku PD njohu edhe humbjen më të thellë. Procesverbalet që i përkasin votimit nga jashtë, për Sali Berishën janë dëshmi se fletët e votimit të diasporës u plotësuan nën patronazhimin e PS.
“Narkoshteti shtetëzoi procesin me duart e tij të zeza të manipulimit të gjithanshëm. Procesi në duart e Taulant Ballës, Lubi Ballukut dhe personave kriminelë, elektoralë, patronazhistë në të gjitha vendet, bashkë me ambasadat, për t’u marrë me manipulimin e gjerë të votave të diasporës. E shndërruan atë në krim madhor elektoral. Shikoni tabelat, në qarkun e Fierit se çfarë është bërë me votën e diasporës. Janë kuti me nga 21 vota për PD dhe 15 fish për PS-në, të organizuara nga Lubi Balluku. -Ja këtu kanë qenë më dorëlëshuar- (Komenton një nga kutitë ku ka vota më tepër për PD). Këtu kemi me 26 vota për PD dhe mbi 240 vota për PS. Ne do i paraqesim çdo ditë shqiptarëve provat e vjedhjes. Të jenë të sigurt se këto zgjedhje nuk do njihen. Sot ka shqiptarë të mërzitur, të zhgënjyer, por kjo luftë do fillojë, nuk dorëzohemi. Një hajdut dhe kryebandit si Edi Rama nuk mund të imponojë një rezultat shqiptarëve. I them shqiptarëve durim se ne kemi dokumente. Ne nuk mbrojmë me kallashnikov votën, por lufta tani fillon. Provat i kemi, do tregojmë se çfarë kanë bërë horrat e narkoshtetit. Ky regjim duhet të luftohet, me front të përbashkët brenda dhe jashtë vendit, në çdo skaj të botës”, tha Berisha.
Paralajmëroi padi për Ilirjan Celibashin ndërsa iu rikthye edhe akuzave për ish ministrin e tij Ilir Rusmajli, pjesë e trupës së KAS, ku PD ka ankimuar zgjedhjet.
“Ne kemi provat, jemi këtu për dokumentet, për ta faktuar. Lap-topi u zhduk, por prisni. Me këtë rast paralajmëroj Ilirjan Celibashin që të dorëzojë çdo dokument që mercenarit Ilir Rusmailit, figurë e zhveshur nga çdo lloj norme standardi njerëzor, i zhveshur nga çdo virtut njerëzor e të mos japi tabelat e rezultateve procesverbaleve për qarkun e Kukësit për PD-në. Nuk jep procesverbalet. Rama u kujtua për zgjedhjet e 2009 pas 4 muajsh duke kërkuar hapjen e kutive, kurse në këtë rast nuk jepen procesverbalet. Pa asnjë lloj norme morale dhe njerëzore bllokon procesverbalet e komisionerëve. Këtë e bllokon edhe Ilirjan Celibashi. Në qarkun ku kemi fituar nuk u dhanë procesverbalet. E verifikova, njëherë tha se është e pamundur, por Rama i çon te një njeri që zbaton urdhrin, një turp. Thonë se nuk i jap se janë të komisionerëve. Por zyrtaret janë aty, e kuptoni ju se çfarë ndodh. Rama urdhëron kandidatët e tij nga një anë që të mos kërkojnë rinumërimin apo hapjen e kutive dhe në anën tjetër jep urdhra”, tha Berisha.
“Mund t’i vë çdo lloj epiteti Rusmalit, por e urdhëron Rama. Unë i them Celibashit të vëjë në dispozicion të gjitha procesverbalet, është proces ankimor. Narkoshteti po fsheh farsën elektorale. Këta kanë frikë nga dokumentet edhe aty ku kemi fituar ne. Sepse këta kanë bërë çdo gjë. Çdo kandidat do mbështetet për ankesat, transparencën apo hapjen e kutive. Ai ka refuzuar të japë procesverbalet e qendrave të numërimit dhe votimit, se s’dua ta lëshoj gojën për të (Rusmalin)”, vijoi ai.
Në fund bëri thirrje që për të kundërshtuar zgjedhjet, përfshirë edhe ato me postë nga emigrantët, duhet të krijohet një front i përbashkët në Shqipëri dhe diasporë kundër Edi Ramës.
Kreu i selisë blu u pyet se çfarë nënkuptonte me luftën që sapo ka filluar nga ana e PD-së, kur nesër nis edhe jeta parlamentare në Kuvend, me seancën e parë plenare pas zgjedhjeve të 11 majit dhe me deputetët e vjetër, pasi të rinjtë betohen në muajin shtator.
Ai nuk zbuloi asnjëlloj skenari për nesër, por u shpreh se “edhe kjo që po bëjmë tani është luftë”, duke shtuar se “lufta nuk bëhet vetëm me kallashnikovë dhe bazuka”, edhe pse pas zgjedhjeve të vitit 1996 urdhëroi Policinë dhe SHIK-un të masakronte opozitën, kurse në vitin 1997 urdhëroi ushtrinë dhe ngritjen e avionëve për të bombarduar jugun e vendit, në një nxitje të dukshme të luftës civile.
Ai përsëriti tezën e farsës elektorale, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike.
“Lufta nuk bëhet vetëm me kallashnikov dhe bazuka. Nuk është luftë kjo që po bëjmë? Nuk pranojmë ne këto zgjedhje. Ne kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Nuk pranojmë ne narkoshtetin dhe deputetë të krimit si Besa Spaho, Sara Mile dhe të tjerë. Ne do i gjejmë të gjithë, do ia paraqesim botës. Apo kandidatët e Altin Hajrit e kartelit të Troplinëve e Bajrëve. Kjo është betejë, e veshtirë, por është për të vërtetën dhe ne do e fitojmë këtë”, u shpreh kreu i PD-së.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u pyet gjatë konferencës për shtyp ditën e sotme nga gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku, se si e lexonte mesazhin e SHBA-ve, i bërë ditën e djeshme nëpërmjet Ambasadës në Tiranë, për zgjedhjet e 11 majit.
Ai gjeti ‘shtigje’ komentimi politik, duke u shprehur se mesazhi i drejtohej popullit shqiptar dhe jo kryeministrit Edi Rama, që sipas tij mezi po e priste të flisnin për të, por dështoi.
“Lexoni siç duhet mesazhin, lexojeni mirë atë deklaratë. Lexoni deklaratat e sekretarit amerikan Rubio për zgjedhjet në disa vende të tjera se si është bërë deklarata dhe si u bë për Shqipërinë. Uroj shqiptarët thotë deklarata, janë uruar shqiptarët”, tha ai.
Madje hoqi paralele politike me zgjedhjet e vitit 2001, duke nënvizuar se edhe pas zgjedhjeve të atëhershme erdhën mesazhe urimi, por më pas u provua manipulimi i tyre.
“Ne po marrim provat dhe po ua paraqesim. Pritet raporti përfundimtar. Ne kemi ndryshuar edhe raportet e të huajve, ia kemi dalë. Edhe më 2001 erdhën urime të përzëmërta nga e gjithë bota, por ato u rrëzuan. Sigurisht ndërkombëtarët janë të interesuar për zgjedhje të lira e të drejta, po jo për farsa. Ky po e priste si diçka hyjnore, pse nuk e përshëndeti Edi Ramën? Ky po e priste. Narkoshteti, është dështimi i Edi Ramës”, u shpreh kreu i selisë blu, që nuk e pranon humbjen e thellë të PD-së më 11 maj dhe ka deklaruar mosnjohjen e tyre.
Komente

"Zoteri", akoma nuk e kupton se ne emigrantet kemi frike kur kujtojme ngjarjet e tmershme qe kane ndodhur ne Shqiperi nen drjtimin tend??!! Je 1 vrases "zoteri"
Përgjigju