Përpjekje të dështuara për të penguar zgjedhjen e kryetares së Bashkisë Himarë, ashtu siç e përcakton qartë ligji, i ka quajtur kryeministri Edi Rama tensionet nga mbështetësit e Fredi Belerit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan se komandimi i Balës është një hap pozitiv për të vijuar punën për drejtimin e qeverisë vendore të Himarës.
"Zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak të Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore”, shkruan Rama.
Sherr primitiv e quan Rama situatën e krijuar në Këshillin Bashkiak, që sipas tij u gjithçka bëhet për interesa personale, që s’kanë asnjë lidhje me Himarën.
“Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat e Himarës", shkruan Rama.
Blerina Bala u komandua si drejtuese e Himarës në mbledhjen e sotme, 29 mars, të Këshillit Bashkiak. Ajo mori 15 vota pro, mes tyre edhe 6 vota nga opozita.