19 ditë barrikada, mbyllet kufiri edhe në Merdarë! Kurti: S'negociojmë me kriminelë! Lirohet ish polici serb! SHBA-ja dhe BE: Po punojmë për zgjidhje politike

28 Dhjetor 2022, 07:28| Përditesimi: 1 Janar 2023, 13:32

  • Share

Sot bëhet 19 ditë që kur grupet kriminale serbe kanë vendosur në pjesën veriore të Kosovës dhjetëra barrikada, duke e pamundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve në atë zonë. Sikur të mos mjaftonte kjo, të martën në mbrëmje, serbët vendosën barrikada rreth dy kilometra larg pikëkalimit kufitar në Merdare brenda Serbisë. Si rrjedhojë, ky pikëkalim është mbyllur.

Qindra emigrantë që po kthehen në Kosovë për festat e fundvitit kanë mbetur të bllokuar, duke pritur në kolonë, pas këtij veprimi të serbëve. Nga institucionet kosovare u është bërë apel emigrantëve që t’i zgjedhin pikat e tjera kufitare për të ardhur në Kosovë.

Merdarja - një prej pikëkalimeve kufitare me Serbinë - përdoret në masë të madhe nga diaspora kosovare për hyrje-dalje nga Kosova. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdare”.

Kryeministri Albin Kurti tha se autoritetet ‘nuk do të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me kriminelët’ në veri, por do t’i ‘arrestojë ata’. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti foli për barrikadat e ngritura në veriun e banuar me shumicë serbe, duke argumentuar se ato po cenojnë integritetin territorial të Kosovës.

 “Vendosja e barrikadave në rrugë nuk do të tolerohen, ato do të largohen. Ne i kemi dhënë kohën e mjaftueshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shkon më shpejtësi”- tha Kurti.

Nga ana tjetër presidentja Vjosa Osmani është shfaqur e veshur me rroba ushtarake gjatë një fjalimi vjetor të mbajtur para ushtarëve të Forcave Speciale të Kosovës në kazermën e Istogut.

Një ditë më parë në veri të Kosovës, u vendosën edhe dy barrikada të reja, njëra nga to në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve - vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë - dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Barrikada në këtë lagje është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor. Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Ku janë vendosur barrikadat në veri të Kosovë?
Grupe qytetarësh serbë, që nga data 10 dhjetor, kanë ngritur mbi dhjetë barrikada në veri të Kosovës, përkatësisht në rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Të fundit janë vendosur më 27 dhjetor në Mitrovicë të Veriut. Barrikadat janë ngritur në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

Ora 18:34
Hoti kritikon qeverinë: Barrikadat i largojnë të huajt! Mbani konferenca për media, kur nuk ofroni dot as ndihmë mjekësore për të arrestuarit

1672222596_saf.png

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar qeverinë duke thënë se barrikadat i largojnë të huajt.

“Barrikadat i largojnë të huajt. Ju mbani konferenca për media në Prishtinë e fjalime para FSK-së. Shani edhe gjyqësorin e prokurorinë sa të mundeni, shpallini tradhëtarë. Por të arrestuarit nuk ishit në gjendje t’i ofronit ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ta sillnit në objektin e paraburgimit. Ju nuk jeni për asgjë. Ju nuk dini të mbani shtet. Ju dini vetëm të shani”, tha Hoti.

Ora 16:51
Tensionet në veri të Kosovës/ Petkoviç: Vuçiç u kërkoi serbëve që të tërhiqen nga barrikadat

1672242686_epepfjd.JPG

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.

“Po e shfrytëzoj mundësinë për të dhënë lajmin e mirë se kemi marrë garancitë më të forta ndonjëherë nga SHBA-ja dhe BE-ja kur bëhet fjalë për kërkesat e serbëve, kushtet e tyre që të tërhiqen nga barrikadat”, tha Petkoviq.

Petkoviq e cilësoi si lajm të mirë ndryshimin e masës së sigurisë të Dejan Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Është një fitore e madhe, mbi të gjitha për popullin serb në Kosovë”, tha ai.

Ora 15:36
Kryeministri Kurti fton serbët që të punësohen në institucionet e vendit: Dëshirojmë paqe, por me njohjen e Kosovës nuk bëjmë kompromis

Kryeminsitri, Albin Kurti ka bërë një thirrje drejtuar serbëve që jetojnë në Kosovë që të aplikojnë për punë në vendet e lira pas dorëheqjes masive të serbëve në nëtor të këtij viti. Ai e ka bërë këtë thirrje në gjuhën serbe dhe thotë se nuk dëshiron që në këto hapësira të vendosen shqiptarë, me qëllimin për të zbutur tensionet midis dy shteteve.

 “Rritja ekonomike e këtij viti është 4% e bruto produktit kombëtar, kjo sjell optimizëm për ekonominë dhe njëherësh mirëqenie për të gjithë qytetaret sepse me ndihmën e masave sociale ne do ta ndajmë këtë rritje për të gjithë ju, dhe më së shumti atyre që kanë nevojë. Ne dëshirojmë paqe dhe përparim shoqëror. Vitin e ardhshëm, do të ndajmë një fond prej disa milionë eurosh për të gjitha kompanitë që do të punësojnë një fuqi punëtore multietnike, multikulturore, hendeku që ekziston brenda institucioneve tona të përbashkëta pas dorëheqjeve kolektive, kryesisht të imponuar, të disa qindra serbëve, ne nuk duam që ato t’i plotësojmë me shqiptarë, prandaj ftoj të gjithë serbët nga Kosova të aplikojnë për këto vende pune dhe posaçërisht serbët të cilët nuk e kanë pasur rastin deri tani”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se dëshiron që Kosova të njohët si shteti i të gjithëve, si një shtet demokratik dhe evropian, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare apo shoqërore. Në lidhje me situatën në veri të Kosovës, Kurti ka thënë në çdo deklaratë dhe dalje publike për mediat që koha që Kosova i ka dhënë KFOR-it për zgjidhjen e tensioneve në veri të Kosovës po mbaron. Sipas Kurtit, ekziston vetëm një zgjidhje për situatën, në mënyre demokrate, e cila është njohja reciproke e Kosovës.

 

Ora 15:31
Tensionet në veri të Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara: Po punojmë për zgjidhje politike

1672237945_euus.jpg

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se SHBA-ja dhe BE-ja janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandat Vuçiç, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës, raporton REL.

Më tej thuhet se SHBA-ja dhe BE-ja mirëpresin garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka listat për arrestimin e qytetarëve serbë, ose përndjekjen e atyre, që protestojnë paqësisht.

"Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensionuar në veri të Kosovës.

I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo kërcënimet.

Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për të zbutur tensionet dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale.

Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Bashkimin Evropian përmes Misionit të Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e tij, i cili mund të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshin, në veçanti, garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre.

Të gjitha detyrimet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë."- thuhet një njoftim. 

Ora 13:54
Lënia në arrest shtëpiak e ish policit serb, Von Cramon: Vendim i mirë, tani të hiqen barrikadat në veri të Kosovës

1664052741_1920x1080.jpg

Raportuesja e Bashkimit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka mirëpritur vendimin e gjykatës për lënien e ish policit serb Dejan Pantiç në arrest shtëpiak.

“E mirëpres me ngrohtësi vendimin e gjykatës për dërgimin e Dejan Pantiqit, në paraburgim shtëpiak”, ka thënë euro-deputetja.

Pas kësaj deklarate, ajo ka kërkuar që tashmë të nisë heqja e menjëhershme e barrikadave në veri të Kosovës.

“Kjo duhet të çojë në heqjen e menjëhershme të barrikadave në Veri të dhe deeskalim të plotë”, ka deklaruar ajo.

Ora 12:42
Haradinaj: Jemi në fazë kritike situata mund të dalë jashtë kontrollit, SHBA të ndërhyjë! Kurti të heqë dorë nga retorikat boshe

1667752867_etretret.jpg

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje për ndëryrjen e SHBA-ve për të marrë nën kontroll situatën e krijuar në veri të Kosovës për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Haradiaj tha se gjendja mund të përshkallëzohej dhe të dilte jashtë kontrollit ndërsa i bëri thirrje kryeministrit, Albin Kurti që të sillej në përputhje me situatën e krijuar.

“Skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike. Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese.

Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit. Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh.

I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar! Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale”.

Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë. Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Ëashingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!”- shkruan Haradinaj.

Ora 12:29
Arrestimi i tij u kthye në motivin e vendosjes së barrikadave, lirohet ish-polici serb në Kosovë! Albin Kurti kundër vendimit

 

Polici Dejan Pantiç, i cili u arrestua më 10 dhjetor në vendkalimin administrativ Jarinjë dhe është ende në paraburgim, do të lirohet për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak.  Kujtojmë se arrestimi i tij nisi protestat në Veri të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave.

Pantiç fillimisht do të dërgohet në spital, sipas B92, ku do të monitorohet gjendja e tij e përgjithshme, duke qenë se ka qëndruar gati tri javë në Jarinje, në bazën e Policisë së Kosovës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së Sigurisë nga Paraburgimi në arrest shtëpiak. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe Dejan Pantiq duke e zëvendësuar masën nga paraburgimin në arrest shtëpiak”, ka thënë për Nacionalen Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Lirimi i Dejan Pantiqit është kërkesa e parë e serbëve nga veriu i Kosovës të cilët në shenjë proteste ngritën barrikada në disa vende, ku qëndrojnë edhe sot e kësaj dite. Por ky lirim është kundërshtuar nga Albin Kurti i cili e ka konsideruar absurd.

“Unë nuk e di këtë çështjen gjyqësore, procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Ai e ka statusin e të paraburgosurit, por njëkohësisht është i pandehur për terrorizëm. Ishte në grevë urie dhe kishte probleme në zemër, mund të dërgohej në spital, a është e arsyeshme e vendos gjyqësori, por kur kemi akuzë për terrorizëm, të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta di se cili është ai prokuror që bën këtë kërkesë, dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti.”, tha Kurti në një deklaratë për mediat.

 

Ora 11:35
Kremlini: Moska mbështet Beogradin në hapat e tij për Kosovën

Kremlini hodhi poshtë pretendimet e Kosovës se Rusia po e shtynë Serbinë që ta destabilizojë situatën në Kosovën. Nga Kremlini thanë se Serbia vetëm po mbron të drejtat e serbëve etnikë dhe se mbështet Beogradin “në hapat e tij për Kosovën”.

I pyetur lidhur me deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se Serbia, nën ndikimin e Rusisë, po synon të destabilizojë Kosovën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “është krejtësisht e gabuar” që të flitet për ndikimin destruktiv rus.

Ora 11:16
Barrikada në veri të Kosovës, Hoti: Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion te Serbia! Mos përmendni luftë e konflikte

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një postim në Facebook thotë se cilat janë mënyrat që do të çojnë në normalizimin e situatës në veri të Kosovës, të cilin ai e quan si ‘kurthi i Serbisë’.

Hoti thotë se duhet të kërkohet me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia që të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët kosovarë që kalojnë nëpër Serbi. Ai gjithashtu bënë thirrje që mos të përdoren termat “luftë” e “konflikte”.

“Veprimet që nxjerrin Kosovën nga kjo kurthë e Serbisë:

1. Hiqni barrikadat në veri në bashkëpunim me KFOR-in. I keni lënë të zënë vend tepër gjatë.

2. Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi.

3. Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut.

4. Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë.”, shkruan Hoti në postimin e tij.

Ora 11:07
Barrikadat në veri, Albin Kurti: Ne nuk negociojmë më kriminelë, koha që i kemi dhënë KFOR-it po mbaron

1671828372_jnk.PNG

Koha që qeveria e Kosovës i ka dhënë KFOR-it për të hequr barrikadat në veri po ikën me shpejtësi. Kështu tha sot Kryeministri kosovar Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë.

Ndërkohë që barrikadat ç’do ditë po shtohen, as KFOR-i e as Policia e Kosovës, nuk po ndërmarrin masa konkrete për ta siguruar lirinë e lëvizjes.

 “Vendosja e barrikadave në rrugë nuk do të tolerohen, ato do të largohen. Ne i kemi dhënë kohën e mjaftueshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shkon më shpejtësi”

Kryeministri i Kosovës tha se këto veprime po vijnë nga kriminelët e sanksionuar nga ShBA dhe Britania e Madhe, e se me të njëjtit Qeveria e Kosovës, nuk do të bisedojë e as nuk do të takohet, por do t’i arrestoj ata.

“Veprimeve të ligjshme të Qeverisë së Kosovës i janë kundërvënë kriminelët duke sfiduar punën e organeve të zbatimit të ligjit por edhe duke cenuar sigurinë në vend. Këta kriminel të sanksionuar nga SHBA dhe Britania po mbështet nga Vuçiq për të destabilizuar sigurinë në rajon dhe cenuar integritetit territorial të Republikës tonë. Institucionet e Kosovës nuk do të bashkëpunojnë e bisedojnë më kriminel, por do t’i arrestojnë ata”,  është shprehur ndër të tjera në mbledhjen e Qeverisë Kurti.

Ora 10:58
Vuçiç paralajmëron: Pritet diçka e re në 15 ditë, qëllimi final dëbimi i serbëve

Beogradi ka menduar ta trajtojë situatën e krijuar në Kosovë në një frymë tradicionale që e sheh unitetin në sintoni me simbolet fetare. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, ka zhvilluar një takim me Patrirakun e Kishës Serbe, Porfirije, të cilit iu ndalua hyrja në Kosovë me rastin e Krishtlindjeve. Vuçiç ka sqaruar se "i ka prezantuar patriarkut situatën nga disa kënde”, diçka që nuk ka shumë lidhje me një klerik, cilidoqoftë rangu i tij.

Nga ana tjetër, president serb ka pranuar kompleksitetin e situatës së krijuar duke ulur disi natyrën ultimative të kërkesave të veta teksa ka nënvizuar se "Pantiçit duhet t’i lejohet të takojë familjarët e vet", ndërkohë që ishte arrestimi i këtij që solli formalisht përshkallëzimin e serbëve.

"Mos na gënjeni! Ne po flasim me përfaqësuesit ndërkombëtarë, edhe në këtë moment. Po bëjmë më të mirën që të ruajmë paqen dhe të arrijmë një lloj zgjidhje kompromisi. Turp të keni, gënjeshtarë!  Edhe nëse ne arrijmë diçka dhe nuk jam i sigurt nëse do të arrijmë, do të ketë diçka të re në 15 ditët e ardhshme. Qëllimi final është dëbimi përfundimtar i serbëve dhe sidomos i atyre që nuk binden", tha ai.

Ora 10:57
Vjosa Osmani shfaqet me rroba ushtarake: FSK është e gatshme dhe e përgatitur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është parë për herë të dytë e veshur me rroba ushtarake. Komandantja Supreme e Ushtrisë së Kosovës ka mbajtur fjalim vjetor para ushtarëve të Forcave Speciale të Kosovës në kazermën e Istogut.

Në ketë ceremoni të adresimit vejtor, Osmani është parë bashkë me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu, i cili është pjesë e FSK-së.

“FSK-ja është e gatshme dhe e përgatitur”, ka thënë ndër të tjera ajo gjatë fjalimit.

Ora 10:41
Kurti: Në barrikada njerëzit imitojnë ish-gjeneralin e çetnikëve Drazha Mihailoviç

1671828372_jnk.PNG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se grupet kriminale në barrikada po imitojnë ish-gjeneralin e detashmenteve çetnike, Drazha Mihailoviç. Ai ka thënë se barrikadat e Wagnerit në veri janë vendosur nga njerëz me uniforma të errëta.

“Këto janë barrikada të njerëzve me uniforma të errëta, njerëz që janë tullac, me mjekër, duke imituar Drazha Mihailoviçin. Barrikadat e Wagnerit. Ata kanë armë dhe vendosin barrikada jo për të penguar kalimin e automjeteve, por për të mbrojtur atë njeri të armatosur me uniformë që do të qëllonte në automjete që do t’u afroheshin. Pra, këto janë barrikada luftarake”, ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Ora 07:46
Ktheheshin në Kosovë për festat e fundvitit, sulmohen me bomba zhurmuese emigrantët në afërsi të Merdarës

Emigrantët që u detyruan të ktheheshin nga pika kufitare në Merdar, pasi është bllokuar gjatë mbrëmjes së të martës, kanë rrëfyer për ‘KOHËN’ se janë sulmuar me shok-bombë nga persona që qëndruan në barrikada.

“Kemi pas provokime, ku njëri prej serbëve që e ka bllokuar rrugën na ka gjuajtur me një shok-bombë në drejtim tonin”, ka thënë V.Z.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë thirrje që ky vendkalim kufitar të shmanget nga ata që udhëtojnë drejt Kosovës. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lushka: 28/12/2022 12:47

    Idi ote femer qe vesh nxitje etnike... Pse moj ato serbet nuk Jan njesoj si ju Po njerez lerini politikat menjane edhe mos hapni plage lufte kot... Cfare ke ti on presidente e dashur shko shfryje ne menyre tjeter ne palester apo me ndonje hamshor... Mos krijoni konfliktet pa sens edhe na flisni per diplomaci uaaaa denojme aktin etj etj... Lejoni si serbetsi kosovaret ne beograt aku Jan ne cep te serbise te jetojne ne harmoni me njeri tjetrin skeni pse krijoni konfliktet edhe luftera pa sens...

    Përgjigju
    • Republika e Kosovës: 28/12/2022 15:41

      O Lushka a e njeh Kosovën si Shtet i pavarur ti? ky i joti ngjan si ndonjë koment serbi ose të një njeriu idiot e katil që thotë "lëri të vriten" mjafton që mos të më prekin mua kjo gjë...

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?