Eduard Prodani, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit foli në Report TV për vdekjen tragjike në fushë të futbollistit 28-vjeçar të Egnatias, Raphael Dwamena gjatë ndeshjes së të shtunës Egnatia - Partizani në Rrogozhinë, si pasojë e arrestit kardiak.
Për Prodanin është një fatkeqësi që mund të shmangej, pasi lojtari nuk ishte lejuar të luante në shumë klube të Evropës. Ai tregon se që një lojtar të jetë në fushë, duhet të ketë kaluar testet mjekësore dhe kartela e tij të bashkangjitet në kartonin e federimit.
"Është një fatkeqësi që duhet të shmangej. Mund të ketë ndodhur për shumë arsye, nuk mund të spekulojmë. Të bëhet verifikimi i fakteve, mund të mos jetë edhe faji i askujt, nuk e paragjykoj dot. Kjo ishte një tragjedi e paralajmëruar, sepse lojtari kishte goditje më parë dhe nuk ishte lejuar në disa klube të Europës. Unë nuk e di ku qëndron faji njerëzor, nëse ka faj në këtë mes, kjo duhet të hetohet. Nuk është mirë për imazhin e futbollit tonë, nuk duhet të ndodhte.
Federimi për lojtarët? Nëse nuk federohesh, nuk merr pjesë në asnjë event. Që nga fëmijët dhe profesionistët duhet të kenë kartela mjekësore dhe mjekët kanë certifikuar që ky individ është në gjendje për të luajtur. Nëse ai (Dwamena) nuk ka kartelë mjekësore të certifikuar, ky është një faj i rëndë, por nuk besoj sepse nga përvoja e di që nëpunësit janë të kujdesshëm me këto.
Di edhe që nënvlerësohet, nëse pyesni në klube ka edhe të tilla. Formalisht karelat janë dorëzuar, nëse nuk është bërë është një gabim i rëndë administrativ për ata që e kanë lënë të luajë. Por unë nuk e besoj.
Pjesëmarrës në Europë? Edhe kur Egnatia luajti në Europë, aty janë kërkuar konfirmimet e mjekut. Askush nuk do dëshironte të ndodhte kjo. Mund të jetë edhe ndonjë shkak që është ndryshe nga ato të evidentuara më parë, shpresoj të jetë kështu në të kundërt do jetë akt i rëndë. Kjo të bëhet mësim në herët e tjera.
Mjekët në çdo ekip? Në shumë raste neglizhohet, edhe për të plotësuar formalisht letrat. Në shumë raste klubet tona nuk e përballojnë një mjek financiarisht. Ky rast të bëhet mësim, të gjendet një zgjidhje për mjekët. Nuk duhet të tolerohet me mjekë pa eksperiencë. Partizani, di që ka një mjek të përshtatshëm. Në futboll mund të ndodhin edhe probleme.
Ambulanca në stadium? Është përgjegjësi e organizatorit, e klubit në këtë rast. Në këtë rast ishte. Në çdo ndeshje futbolli, delegati i FSHF nuk lejon fillimin e ndeshjes pa një ambulancë në stadium. Në disa raste ka ambulanca pa pajisje. Ato duhet të kenë defriblirator, minimalisht duhet ta verifikojë delegati që është funksionale. Në ndeshjet ndërkombëtare shihet edhe sa pranë është spitali më i afërt.
Futbolli në Shqipëri dhe dhuna në stadium? Eventet në vendin tonë janë lënë pas dore, do ketë dhunë nga tifozët. Do merren masat ndaj çdo klubi që organizon. Futbolli duhet të prodhojë më pak tension. Këto ngjarje dhune ndodhin nga ideja se futbolli nuk është i pastër në Shqipëri. Askush nuk bën revoltë nëse ekipi yt humbet drejtë në fushën e lojës", tha Prodani.