Kosova & Rajoni

Tragjedi në Maqedoni të Veriut/ Klubi përfshihet nga flakët, 59 viktima, 155 të plagosur! Po performonte grupi i njohur maqedonas, shkak dyshohen fishekzjarret (VIDEO)

16 Mars, 08:42| Përditesimi: 16 Mars, 13:30

  • Share

MAQEDONI E VERIUT- Një tragjedi e rëndë në Maqedoninë e Veriut, ku 59 të rinj kanë humbur jetën si pasojë e flakëve që kanë përfshirë një lokal nate. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit, në një klubin e natës “Koçani Puls” dhe si pasojë e flakëve 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Në diskotekë ishin rreth 1500 të rinj, duke ndjekur një performance nga bendi maqedonas DNA, një grup i famshëm vendas.

Mediat vendase raportojnë se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë lëndët piroteknike që janë përdorur brenda në ambientet e lokalit gjatë festës. Gjithsesi rrethanat nuk janë ende të qarta, por Prokuroria e Koçanit ka njoftuar se disa persona që kanë organizuar festën janë vënë në pranga. 

Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz. Të plagosurit janë dërguar në spitalet në Shtip, Koçan dhe Shkup. 

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, vizitoi të plagosurit dhe shprehu keqardhjen e thellë për humbjen e jetëve të shumë të rinjve. Ajo shtoi se autoritetet shëndetësore nga Serbia dhe Bullgaria kanë ofruar asistencë për të ndihmuar në përballimin e pasojave të kësaj tragjedie.

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara klubit që u përfshi nga flakët në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.

Lajm ne perditesim...

Ora 13:27
E mbijetuara nga tragjedia në Maqedoni të Veriut rrëfen tmerrin: Të gjithë nisën të vrapojnë, nuk po gjejmë motrën

Marija Taseva, vajza 20-vjeçare e cila ishte një nga të lënduarat nga zjarri në diskotekën e Koçanit, dëshmoi se në momentin e zjarrit ajo ka rënë përtokë teksa po dilte jashtë.

“Të gjithë filluan të vrapojnë jashtë. Të gjithë përpiqeshin të shpëtonin veten. Motra ime ka humbur. Nuk mund ta gjejmë në asnjë spital. Tani presim këtu rezultatet për të parë nëse do ta gjejmë, nëse jo, përfundimisht në Shkup. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe të tjerët më shkelnin, thjesht me faqe isha në tokë”, tha Taseva sipas medias vendase.

Babai i saj thotë se nuk kanë informacion për vajzën e dytë, e cila është 25 vjeçe. 59 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë u lënduan si pasojë e një zjarri, që përfshiu një diskotekë në qytetin e Koçanit. 

Policia ka arrestuar disa persona për këtë ngjarje tragjike. Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit në diskotekë është bërë hedhja e mjeteve piroteknike.

Ora 13:15
Tragjedia me 59 viktima, Maqedonia e Veriut pritet të shpallë 7 ditë zie

Foto: Flamuj të Maqedonisë së Veriut në gjysmë shtizë

Qeveria do të vendosë 7 ditë zie për shkak të tragjedisë në Koçan në seancën e sotme, e cila do të mbahet në orën 16:00.

Sipas Alsat.mk do të merret një vendim për një inspektim të menjëhershëm dhe të jashtëzakonshëm në të gjitha klubet e natës, diskotekat dhe restorantet që organizojnë festa.

Deri më tani janë konfirmuar 59 persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe një polic, ndërsa janë plagosur 159 të tjerë.

Ora 12:27
Tragjedia me 59 viktima në Maqedoninë e Veriut, dëshmitarët: Dëgjuam të bërtitura, ndihmuam aq sa kemi pasur mundësi

Foto: Një zjarrfikës në lokalin e natës 'Pulse'

Disa dëshmitarë okularë kanë treguar sesi kanë ndihmuar të rinjtë pas zjarrit që ra në diskotekë në një në Koçan në Maqedoninë e Veriut.

Ata shprehen për mediat vendase se fillimisht dëgjuan të bërtitura dhe pastaj ndihmuan të rinjtë me aq mundësi sa kishin.

 “U shqetësuam. Kishte disa të rinj këtu pranë që kishin dalë jashtë dhe rrinin këtu. Si rast është fatkeqësi për gjithë shtetin. Djali im shpëtoi aq persona sa ka mundur”, deklaroi një dëshmitare.

Ndërkohë djali i saj tha se kanë ndihmuar në shpëtimin e të rinjve me ato kapacitetet që kanë pasur, duke i dërguar në spital me automjetin e tij personal.

“I dërgova disa prej tyre në spital. Me vetura, me këto mundësi që kemi. Degjova se diçka po ndodh sepse filluan të bërtasin dhe të ikin me vrap”, tha dëshmitari.

Ora 11:25
Tragjedia në Maqedoninë e Veriut, viktimat janë të moshave 14-25 vjeç, diskotekës i mbaronte afati i licencës më 24 mars

Foto: Një zjarrfikës në klubin e natës 'Pulse'

Zjarri tragjik që shpërtheu në diskotekën “Pulse” në Koçan ka lënë 59 të vdekur dhe ka plagosur 155 persona, të cilët po marrin trajtim në spitale të ndryshme të Maqedonisë.

Sipas një raporti nga drejtoresha e Spitalit në Koçan, dr. Kristina Serafimovska, viktimat janë të moshës nga 14 deri në 25 vjeç dhe vijnë nga qytetet e Shkupit, Shtipit, Koçanit dhe Probishtipit,

Drejtoresha e spitalit ka deklaruar se thirrja për zjarrin është pranuar në orën 02:48, dhe brenda 30 minutash spitali ka qenë i mobilizuar plotësisht.

70 pacientë me djegie dhe helmime nga monoksidi i karbonit janë transportuar në spital, ndërkohë që disa prej tyre kanë ndërruar jetë gjatë pranimit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, është  shprehur se aktualisht ka rezerva të mjaftueshme të gjakut, por do të informojë  në vazhdim nëse do të ketë nevojë për më shumë derivate të gjakut.

Mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut raportojnë se diskoteka private ku ndodhi tragjedia ka punuar ndër vite.

Sipas tyre, pronarët e saj janë ndërruar ndër vite, por pronari aktual, i cili është prangosur nga Policia i mbaronte licenca më 24 mars.

Ora 10:12
Zjarri në lokalin e natës me 59 të vdekur në Maqedoninë e Veriut/ Familjarët përdorin rrjetet sociale për marrjen e informacioneve për të afërmit e tyre

Ngjarja e rëndë në Koçan të Maqedonisë së Veriut ku në një diskotekë vdiqën së paku 59 persona, ka tronditur komunitetin.

Familjet përdorin rrjetet sociale për të kërkuar informacione për të dashurit e tyre.

Në rrjetet sociale, disa nga familjet e të rinjve që ndodheshin në lokalin e natës po postojnë foto të fëmijëve dhe numrat e celularëve, në mënyrë që nëse dikush i sheh t’i informojë se ku ndodhen dhe nëse janë shtruar në spital.

Ora 09:56
Tragjedia me 59 viktima në Maqedoninë e Veriut/ Kryeministri: Ditë e trishtueshme, qeveria është plotësisht e mobilizuar

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka reaguar në rrjetet sociale për zjarrin e tmerrshëm në Koçan të Maqedonisë së Veriut që la pas 59 viktima.  

Ai shprehu dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet për familjet e të ndjerëve, duke bërë thirrje për unitet dhe mobilizim të institucioneve për përballimin e plotë të pasojave.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e tmerrshme në Koçan. Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë. Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është e pariparueshme dhe dhimbja e familjeve, të dashurve dhe miqve të tyre është e pamatshme.

Mickoski theksoi se Qeveria dhe institucionet do të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar familjet e prekura.

“Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe familjeve të të ndjerëve forcë për të përballuar këtë humbje të paimagjinueshme”. “Populli dhe Qeveria do të bëjnë të pamundurën që të paktën t’ua lehtësojnë sadopak dhimbjen”.

Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente, përfshirë shërbimet shëndetësore, policinë dhe autoritetet lokale, që të marrin masa urgjente në mbështetje të viktimave dhe familjeve të tyre.

“Qeveria është plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përballuar pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie”. “Pas marrjes së të gjitha informacioneve, do t’i drejtohem publikut me më shumë detaje për hapat e ndërmarrë”.

“Në këto kohë dhimbjeje të thella, kur zemrat tona janë thyer nga kjo tragjedi e tmerrshme, bëj thirrje për unitet, solidaritet, humanizëm dhe përgjegjësi. Zoti qoftë me familjet e viktimave, të lënduarve dhe me gjithë popullin e Maqedonisë”.

Ora 09:53
Tragjedia në Maqedoni të Veriut, ministri i Brendshëm: 55 viktima dhe 155 të plagosur

1742115370_panetoskovski.png

Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toskovski ka dhënë një deklaratë pas tragjedisë në Koçan ku një klub nate u përfshi nga flakët. Ministri bëri me dije se 59 persona kanë humbur jetën dhe mbi 155 janë plagosur.

“Sipas të dhënave që kemi deri më tani, 51 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 janë lënduar dhe janë transportuar në spitalet në Shtip, Koçan dhe Shkup”, ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toskovski.

Ora 09:05
‘Dilni jashtë, dilni jashtë’, VIDEO nga momenti i tragjedisë me 59 viktima në Maqedoninë e Veriut

Një tragjedi e rëndë u mori jetën 59 personave në Maqedoninë e Veriut, pas flakëve që shpërthyen në një klub nate ku po festonin rreth 1500 të rinj.

Sipas mediave lokale, zjarri dyshohet se është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.

Momentet e tmerrit në klubin Pulse në Koçan të Maqedonisë së Veriut janë publikuar në mediat vendase. Në pamje duket grupi që po performon dhe më pas shpërthejnë mjetet piroteknike.

“Dilni jashtë! “Dilni jashtë, do të kthehemi ”, thotë pjesëtari i grupit DNK Panço para të pranishmëve pasi u shfaqën flakët e para nga zjarri i mbrëmshëm në klub.

Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arben: 16/03/2025 11:37

    Keqardhje per te demtuarit por gje e mire eshte qe Kocani nuk ka aspak shqiptare! Besoj nuk ka shqiptare te lenduar!

    Përgjigju
  • Eri: 16/03/2025 11:19

    Ngushëllime familjeve të viktimave, keqardhje për humbjet e tyre.

    Përgjigju
  • Julia: 16/03/2025 10:56

    Cfare mund te thuash me teper. Einstein thoshte: Dy jane gjerat e pafundme: Universi dhe injoraranca njerezore , ne lidhje me Universin nuk ka dyshime

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?