U arrestua për tjetërsimin e dy pronave, Jorgo Goro del nesër para GJKKO! Kryebashkiaku në detyrë i Himarës mbahet në bllokun e sigurisë në Tiranë

24 Mars, 15:00| Përditesimi: 24 Mars, 20:43

  • Share

Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro i cili u arrestua të shtunën me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme pritet të dalë në gjykatë të hënën, ku do t’i verifikohet masa e sigurisë dhe do të merret në pyetje.

Që prej ditës së shtunë kur u prangos, ai është transferuar në bllokun e sigurisë në Tiranë, nga ku do të shoqërohet për t’u dërguar ne gjykatë për verifikim të masës së sigurisë. Arrestimi i kryebashkiakut në detyrë u bë teksa ai ishte në një lokal në Himarë në shoqëri të disa miqve të tij. Ekzekutimi i masës u bë vetëm disa orë pas vendimit të marrë nga gjykata e Posaçme.

Goro u prangos me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.

Edhe në rastin e dytë, të dy ata, referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe tokë bujqësore mbi 5 mijë metër katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Ndërkohë në “arrest shtëpie” janë lënë ish-drejtori i ASHK Vlorë, Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka. Masat e sigurisë, u ekzekutuan këtë të shtunë për dy të fundit dhe Jorgo Goron, teksa ish-zyrtari i Bashkisë, Jerasimo Bashi dhe shtetasi Stavri Mëhilli u shpallën në kërkim.

Për Mëhillin, SPAK thotë se ka përdorur më shumë se një herë, pranë institucioneve dokumente e formularë të falsifikuar, që më pas kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të Foto Mëhillit të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5512 m2 në Dhërmi.

Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, mes të cilëve dhe shtetasit nën hetim, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gacin, duke sjellë edhe përfitimin e padrejtë për Mëhillin që akuzohet për falsifikim dokumentesh.

Gaci ka blerë tokën për të investuar, ndërkohë nuk ka qenë në dijeni për mënyrën sesi ishte përfituar nga Mëhilli, përmes falsifikimit. Kallëzimi për këtë rast është bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, i cili ndodhet në qeli pasi u dënua me 2 vite burg për shitblerje të votës gjatë zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023. Arrestimi i Goros ka ngjallur reagim edhe në mediat greke, të cilat e kanë pasqyruar gjerësisht këtë zhvillim që erdhi pas kallëzimit të Fredi Belerit. Me arrestimin e Jorgo Goros bashkia e Himarës mbetet pa kryetar, pasi edhe Fredi Beleri kryetari i zgjedhur  në zgjedhjet e 14 majit 2023 është në burg pasi u dënua me 2 vite burg për blerje votash.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?