Avokatura e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrës Policore nuk janë pajtuar me vendimin e gjyqtarit Marko Boshku, i cili pezulloi përjashtimin nga detyra të drejtorit rajonal të AMP Vlorë-Gjirokastër, Glodian Ahmetaj. Ata i janë drejtuar po Gjykatës së Shkallës së parë Administrative me një tjetër kërkesë për të revokuar vendimin e Boshkut, me një tjetër gjyqtar. Ndërkohë e kanë dërguar edhe apelim ne Gjykatën Administrative të Apelit.
Report TV ka lexuar vendimin e gjyqtarit Boshku, i cili e ka marrë në kohë rekord në dhomë këshillimi, pa u mbushur 48 orë nga dorëzimi në gjykatë. Vetë gjyqtari e ka arsyetuar me urgjencën dhe që ligjin që e detyron ta shqyrtojë kërkesën brenda 5 ditëve.
“Kërkesa për sigurimin e padisë duhet që të merret në shqyrtim brenda 5 (pesë) ditëve nga momenti kur dosja i paraqitet gjyqtarit. Kjo mënyrë e rregullimit ligjor është e diktuar nga fakti që masa e sigurimit të padisë gjithmonë presupozon një nevojë urgjente dhe paraprake për shqyrtim në raport me shqyrtimin e çështjes në themel. Nëse nuk respektohen garancitë procedurale për shqyrtimin e shpejtë të masave të sigurimit të padisë atëherë rrezikohet që vetë padia të shndërrohet në një mjet juridik joefektiv, teorik dhe iluzor.”
Bën përshtypje se vendimin që rikthen në punë një drejtor, të cilin kryeministri e ka quajtur shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, gjyqtari Marko Boshku e ka marrë jo vetëm në urgjencë por edhe pa pyetur fare palët, në dhomë këshillimi. Vetë gjyqtari në vendim thotë në këto lloj rastesh gjykata duhet të gjejë një balancë mes paditësit dhe interesit publik.
“Pala kërkuese/paditëse duhet të provojë mundësinë e ardhjes së një dëmi serioz është vështirë të riparohet në të ardhmen. Ndërkaq, gjykata duhet të gjejë një balancë ndërmjet interesave paditësit, të paditurit dhe interesit publik, me qëllim ruajtjen e këtij ekuilibri deri në përfundim të gjykimit, me të vetmin qellim që, e drejta e pretenduar në padi të jetë plotësisht e garantuar.”
Megjithatë, edhe pse e përmend si kriter kyç interesin publik, gjyqtari e ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë duke urdhëruar rikthimin në detyrë të drejtorit të AMP, duke argumentuar se i shkelet e drejta kushtetuese për punë. Për këtë gjyqtari merr si arsye kryesore procesin e vettingut që i mohohet zyrtarit të AMP, nga vendimi i marrë për largimin e tij nga detyra dhe kjo konsiderohet si dëm i rëndë, pasi i shkel ecurinë në karrierë.
“Ndërprerja e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik pa një vendim përfundimtar pengon zhvillimin profesional dhe në karrierë të kërkuesit, e konkretisht duke e penguar për të konkurruar në pozicione të cilat janë subjekt i vlerësimit kalimtar dhe periodik. Për me tepër që kërkuesi Glodian Ahmetaj është emëruar në pozicionin: Drejtor në Drejtorinë Rajonale të AMP Vlorë&Gjirokastër me procedurën e ngritjes në detyrë. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se dëmi që shkaktohet duhet të kategorizohet si i rëndë”.
Zyrtari i AMP fillimisht ishte transferuar këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm me pas u përjashtua nga radhët e agjencisë pasi rezultoi se në Sarandë, babai i tij banues në Durrës, kishte ndërtuar pa leje në një zonë të Ksamilit në një sipërfaqe toke të zaptuar. Në vendimin e gjyqtarit Boshku parashikohet se në rast mosekzekutimi të pezullimit të aktit administrativ të ngarkohet përmbarimi per ekzekutimin e detyrueshëm të tij.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Këto janë pamjet e aksionit për prishjen e ndërtesës së ndërtuar pa leje në Ksamil nga kreu i AMP-së Vlorë-Gjirokastër, Glodian Ahmetaj. Aksioni për shembjen e ndërtesës është zhvilluar në gusht.
Emri i Ahmetajt doli në skenë pas denoncimit të kryeministrit Edi Rama të bërë një ditë më parë ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative në Tiranë, Marko Boshku, të cilin e akuzonte se kishte marrë vendimin për rikthimin në detyrë të zyrtarit të AMP-së pasi ai ishte pezulluar për këtë ndërtim pa leje.
Sipas kryeministrit, Ahmetaj jo vetëm që kishte marrë pjesë në këtë ndërtim pa leje, por edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, duke gënjyer se ishte bërë në vitin 2018.
Komente
