Kosova propozohet për anëtare e Këshillit të Europës. Komiteti Politik miratoi sot në Paris raportin e Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i PD-së Lulzim Basha, i pranishëm në Paris shprehet mirënjohës aleatëve të shqiptarëve për mbështetjen e dhënë.
"U kry! Tani në Paris, Komiteti Politik sapo miratoi propozimin për antarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Një hap jetik që i hap rrugë vendimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Këshillit të Ministrave. Mirënjohje aleatëve të shqiptarëve për mbështetjen e dhënë. Urime Kosovë", shkruan Basha.
Më 18 prill pritet të ketë një debat plenare në Asamblenë Parlamentare dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në KiE, do ta jap Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës gjatë mbledhjes që do të zhvillojë në muajin maj.
Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në muajin maj të vitit 2022, teksa diçka e tillë është kundërshtuar nga Serbia. Një nga kushtet që përmbushi Kosova për anëtarësim ishte kalimi i 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
Presidenti Bajram Begaj e ka quajtur një arritje të merituar miratimin e propozimit që Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Europës. Begaj ka vlerësuar edhe përkushtimin e faktorit politik në Kosovë.
'Arritje e merituar e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës @coe. Kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standarteve evropiane.', tha Begaj.
Arritje e merituar e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës @coe.
— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) March 27, 2024
Kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standarteve evropiane.
???????? ???? ????????
Rekomandimin e Komitetit Politik të APKiE për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e ka përshëndetur edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
“Kosova, një hap më pranë Këshillit të Evropës. Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratoi sot raportin dhe rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, përshëndes këtë sukses të merituar të Kosovës dhe rikonfirmoj angazhimin tonë për të vijuar mbështetjen për Kosovën deri në anëtarësimin në KiE, në organizata të tjera ndërkombëtare, shtimin e njohjeve dhe rritjen e kontributit të Kosovës në marrëdhëniet dhe zhvillimet ndërkombëtare.”
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani përshëndeti sot rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Urime Kosovës për ftesën që ju bë nga Komiteti Politik i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës. Ky hap i rëndësishëm vjen si rrjedhojë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës në vlerat e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Mbetemi në pritje që gjatë Sesionit të Prillit të Asamblesë Parlamentare të hapë rrugën për përfundimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, u shpreh Hasani në një postim në platformën X.