Familjarë, miq, si dhe figura të njohura nga drejtësia dhe politika i dhanë lamtumirën e fundit gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra dy ditë më parë në sallën e gjyqit në Apelin e Tiranës në krye të detyrës.
Pas homazheve shtetërore që u mbajtën në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, kortezhi me trupin e tij u nis drejt Shkodrës, vendit të tij të lindjes. Familjarët po presin vizita, ndërsa më pas, gjyqtari Kalaja do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat Stom-Golem.
Të pranishëm ishin kryetarët e institucioneve të drejtësisë si dhe gjyqtarët dhe prokurorët nga rrethet. Mes figurave të drejtësisë ishte kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, kreu i SPAK Altin Dumani, drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia, kryetari i GJKKO Erion Bani, kreu i ILD, Artur Metani etj. Homazhe bëri edhe kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe ministri aktual Besfort Lamallari, presidenti Bajram Begaj dhe figura të opozitës.
Kryeministri Rama la edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve.
"Një tragjedi e madhe për familjen, të afërmit, kolegët dhe vetë shtetin. U prehtë në paqe dhe të rroni e ta kujtoni gjithnjë."
Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se ka humbur një mik të vjetër dhe drejtësia një gjyqtar me integritet.
“Jam këtu për t’i dhënë nderimet e fundit një mikut tim të vjetër me të cilin na ka bashkuar puna në sistemin e drejtësië në ditë të vështira.", tha Manja.
Nga të pranishmit u ngrit edhe shqetësimi për sigurinë në gjykata. Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, deklaroi se siguria në gjykata është në nivelin zero dhe kërkoi marrjen e masave urgjente.
"Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme, siguria është në nivelin zero. Nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë. Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi”, u shpreh ai.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia tha se ngjarja shënon një “vrasje” për të gjithë sistemin e drejtësisë. Ai kritikoi KLGJ-në se merret me deklarata ndërsa kërkoi masa të rrepta për garantimin e sigurisë. Përmendi edhe një bisedë me gjyqtarët, duke cituar njërin prej tyre që është shprehur “na kanë nxjerrë në pritë”.
“Unë nuk e di, por se si KLGJ më paraqet shkresa...Këtu duhen marrë masa drastike deri në fund. Ti dalë uji i zi kësaj pune. Iku një njeri, familjar, baba, koleg dhe mik i mirë. Një njeri që them pa e tepruar se ishte njeriu më human në sistemin e drejtësisë. Unë takova kolegët tanë gjyqtarë dhe ata janë komplet të lëshuar, demoralizuar dhe njëra nga ato tha ‘na kanë nxjerrë në pritë’.", tha Haxhia.
Gjyqtari i GJKKO, Erion Bani tha se duhen godina të reja për të garantuar sigurinë në gjykata. Adresoi edhe debatin se kush duhet ta ofrojë sigurinë në këto institucione teksa tha se ligji e përcakton se që nga viti 2010, siguria në salla duhet të garantohet nga forcat e policisë.
"Që nga 2010, aktet ligjore thonë se sallat e gjykimit duhet të kenë praninë e forcave të policisë që të garantohet siguria. Ky është fakt, arsyeja pse nuk janë përcaktuar, do t’i diskutojmë dhe do të ketë reagim nga ana e organeve që kanë kompetencë për të mbikëqyrur mënyrën e zbatimit të sigurisë në gjykata.”, tha Bani.
Gjyqtari Kalaja u vra nga Elvis Shkambi, xhaxhai i të cilit, Gjon Shkambi, ishte palë në një çështje pronësie që po gjykohej. Gjatë ngjarjes u plagosën edhe Ragip dhe Ervis Kurtaj, palë e tretë në proces.
Lajmi në përfundim...
Pas homazheve të mbajtura në kryeqytet, gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja do të nderohet edhe në Shkodër, në vendin e tij të lindjes.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv shohim se figura të njohura në Shkodër, miq e familjarë janë mbledhur në vendiin ku do zhvillohen homazhet.
Gjyqtari Kalaja do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat Stom-Golemm në orën 16:00.
Krerët më të lartë të shtetit, politikës dhe përfaqësues të drejtësisë, zhvilluan sot homazhe në nder të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili u vra në sallën e gjyqit vetëm 2 ditë më parë.
Homazheve iu bashkua edhe grupi i PD, por ajo çfarë u vu re ishte mungesa e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani nderoi sot figurën e gjyqtarit Astrit Kalaja. Pas daljes nga Pallati i Kongreseve, Metani ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat.
“Ditë e trishtë. Iku një njeri që nuk kthehet më!” tha Artur Metani.
Pjesë në homazhe ishte dhe kreu i Këshillit të lartë të Drejtësisë, Ilir Rusi, i cili në prononcimin për mediat, iu drejtua të gjithë magjistratëve të Shqipërisë për të pasur kurajo për të ushtruar profesionin e tyre.
“Do të them që ngushëllime familjes dhe të gjithë atyre që ushtrojnë funksionin e magjistratit të kenë kurajon për të përmbushur misionin e tyre në lidhje me drejtësinë”, tha Ilir Rusi.
Deputeti Tedi Blushi ka marrë pjesë sot në homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja. Blushi ka bërë përgjegjës kryesor shtetin, kryeministrin Rama dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Blushi u shpreh se siguria në vend nuk ekziston dhe se KLGJ që pas deklaratës së djeshme, duhet të ishte shkrirë menjëherë si institucion.
“Në emër të Ilir Metës dhe të PL ti përcjell familjes të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit të ndjerë, ngushëllime më të sinqerta. Kjo nuk është vetëm një ngjarje e rëndë, është një akt terrorist që ka goditur në zemër shtetin e të drejtës dhe është pasojë direkte e inkriminimin të qeverisë që nuk ka bërë asgjë për të garantuar sigurinë e jetës në këtë vend. Përkundrazi ,ajo që është me e rënda e ka dhënë më koncesion sigurinë e jetës, sepse e ka parë si një tjetër mundësi për të i dhënë jetë korrupsionit të saj skizofrenik.
Është shumë i rëndë dhe akti që KLGJ publikon vetëm pas 2 vitesh paralajmërimet e saj për çështjen e sigurisë në gjykata ku në fakt me vetëpublikimin, KLGJ në fakt duhej të shkrihej në atë moment. Është e papranueshme që nj institucion të mbyllë gojën nga frika se mos qeveria e kritikon publikisht për një çështje me shumë të drejtë është ngritur dy vite më parë. Me atë publikim KGJ duhet të shkrihet. Nëse sot ka një zë linçues ndaj sistemit, ose ndaj gjyqtarëve të pavarur dhe nëse sot ka një fajtor që sistemi i drejtësisë është i kapur totalisht nga mafia, nëse ka një zyrtar përgjegjës, është Edi Rama. I ka tradhtuar gjyqtarët dhe prokurorët, i ka hapur dyert e drejtësisë jo vetëm krimit të organizuar, por edhe atij ordiner.
Imagjinoni se çfarë sigurie për jetën ka sot një qytetar, një mjek apo një gazetar që janë në vijën e parë në luftë kundër korrupsionit. Gjyqtari Kalaja u nxor në pritë nga shteti e qeveria”, tha Blushi.
KLGJ publikoi ditën e djeshme një VKM të vitit 2010 ku siguria brenda gjykatave ishte tagër i Policisë së Shtetit. Mirëpo një VKM e vitit 2020 e siguruar nga Report TV, thekson se KLGJ është përgjegjësi kryesor për hartimin e politikave të sigurisë në gjykata.
Janë mbyllur homazhet shtetërore për gjyqtarin e vrarë, Astrit Kalaja, ku figura të njohura jo vetëm të drejtësisë i dhanë lamtumirën e fundit. Trupi i tij do të dërgohet për në Shkodër, ku do të prehet në vendin e lindjes.
Zbulohet mesazhi që la kryeministri Edi Rama në librin e ngushëllimeve për gjyqtarin e ndjerë, Astrit Kalaja. Kreu i qeverisë shkruan se vrasja e gjyqtarit të Apelit është një tragjedi e madhe jo vetëm për familjen dhe kolegët, por edhe për vetë shtetin.
"Një tragjedi e madhe për familjen, të afërmit, kolegët dhe vetë shtetin, u prehtë në paqe dhe të rroni e ta kujtoni gjjthnjë. Edi Rama", ka shkruar Rama.
Mesazhi i kryeministrit Rama
Prokurorët e SPAK janë bërë bashkë në homazhet për gjyqtarin e vrarë Astrit Kalaja. Bashkë me prokurorët e tjerë të SPAK, ishte edhe kryeprokurori Altin Dumani.
Prokurorët e SPAK, bashkë me Altin Dumanin zhvilluan homazhe për gjyqtarin që u vra në krye të detyrës, Astrit Kalaja.
Në një moment, Dumani ehte takuar jashtë Pallatit të Kongreseve me Presidentin Bajram Begaj, i cili po ashtu zhvilloi homazhe.
Ish ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, pasi bëri homazhe për Astrit Kalanë, tha se i dha nderimet e fundit mikut të tij të vjetër. Ai kujtoi kohën kur Kalaja ishte gjyqtar në Shkodër ndërsa Manja drejtonte prokurorinë e atij qyteti. Ai shtoi se drejtësia shqiptare humbi një gjyqtar me integritet.
“Jam këtu për t’i dhënë nderimet e fundit një mikut tim të vjetër me të cilin na ka bashkuar puna në sistemin e drejtësië në ditë të vështira. Në vitet 2002-2007, kur Kalaja ishte gjyqtar në Shkodër ndërsa unë drejtoja prokurorinë e Shkodrës. Drejtësia ka humbur një gjyqtar me intregritet, njeri model ndërsa ne kemi humbur një shok të mirë. Ngjarja është tronditëse, kam deklaruar se është akt barbar, dhe këmbanë alarmi për sigurimin e punonjësve të drejtësisë. Le të shëbejë kjo ditë si homazh për të gjithë punonjësit e drejtësisë.”, u shpreh Manja.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, pasi bëri homazhe për gjyqtarin Astrit Kalaja tha se ngjarja shënon një “vrasje” për të gjithë sistemin e drejtësisë. Ai kritikoi KLGJ-në për deklaratat e bëra, ndërsa shtoi se duhet të merren masa drastike për të garantuar sigurinë nëpër gjykatat dhe institucionet e tjera të drejtësisë.
Ai përmendi edhe bisedën me gjyqtarët, duke cituar edhe njërin prej tyre që është shprehur “na kanë nxjerrë në pritë”.
“Kjo nuk është vrasje e gjyqtarit, por e gjithë sistemit të drejtësisë. Nuk është puna që të bësh bojkot për bojkot. Këtu duhet bërë bojkot për t’i thirrur mendjen dhe të vësh alarmin në të gjithë sistemin që ka presidenti e deri te avokati më i thjeshtë. Në këto shoqëri është mbjellur urrejtja dhe ka lëshuar rrënjë shumë thellë. Është e vështirë për t’u çrrenjosur. Unë nuk e di, por se si KLGJ më paraqet shkresa jo po e ka fajin kjo jo po ajo. Këtu duhen marrë masa drastike deri në fund. Ti dalë uji i zi kësaj pune. Iku një njeri, familjar, baba, koleg dhe mik i mirë. Një njeri që them pa e tepruar se ishte njeriu më human në sistemin e drejtësisë. Unë takova kolegët tanë gjyqtarë dhe ata janë komplet të lëshuar, demoralizuar dhe njëra nga ato tha ‘na kanë nxjerrë në pritë’. Dhe kjo është shumë e rëndë sepse ne duhet të sqarojmë të gjithë popullin se në një proces gjyqësor gjysma do humbë. Analiza duhet të fillojë edhe te avokatët se roli i tij është deciziv në sqarimin e palëve në pritshmëritë e një vendimi.”, u shpreh Haxhia.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka marrë pjesë sot në homazhet për nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje me armë dy ditë më parë.
Lamallari ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, si dhe ka lënë një shënim në librin e kujtimeve.
"Lamtumirë njeriut të ligjit, shërbëtorit të drejtësisë e profesionistit të spikatur, Astrit Kalaja. Kontributi i tij i çmuar do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e ligjit dhe në shtetin e së drejtës. Ngushëllime për familjen, kolegët, trupën gjyqësore dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Astritin. Prehu në paqe mik i dashur!", shprehet ministri Lamallari.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi bëri homazhe në nderim të gjyqtarit të vrarë Astrit Kalaja. Pasi doli nga Pallati i Kongreseve ku po mbahen homazhet, ai foli shkurtimisht për mediat, teksa tha se siguria në gjykatat shqiptare është në nivelin zero dhe se gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi.
“Patjetër që duhen marrë masa se situata është shumë kritike. Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme, siguria është në nivelin zero. E them me bindje të plotë dhe nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë. Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi”, u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama ka shkuar në Pallatin e Kongreseve për të bërë homazhe për gjyqtarin e ndjerë Astrit Kalaja, i cili u vra dy ditë më parë brenda sallës së gjyqit në gjykatën e Apelit të Përgjithshëm në Tiranë. Kreu i qeverisë shoqërohet nga ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Komente

Keta ne fakt duhet ti bejne homazhe sistemit te drejtesise dhe shtetit ne teresi sepse ka vdekur me kohe. Ju nxin jeten shumices se qytetareve duke zvarritur proceset per zhvatur para apo duke ja dhene pronat ose te drejten dikujt qe s'i takon. Po njeriu pasurite me te medha ka lirine e shprehjes dhe pronen. Ky qe vrau beri nje reagim te deshperuar dhe shume brutal. Per te mos vajur ne kete pike reagimi duhet te jete me vote dhe protesta te forta. Njerezit duhet te behen bashke per te drejtat e tyre dhe ti vene para pergjegjesise qeverite dhe zyrtaret.
PërgjigjuBla bla bla, shifeni dadon si rri me kurriz se ka frike nga kamerat. Asnje nuk flet per cilesine a nivelin e drejtesise. A thua se jane te pagabueshem apo hyjnor. Te gjithe bejme gabime ne pune dhe qortohemi kur ndodh...keta jo jane te papreksgem. Ne usa trump po e shkallmon drejtesine ketu kane vetem privilegje dhe burgosin njerez me nje te kercitur te gishtit
Përgjigju