Kur babai shkoi t’i kërkojë për të disatën herë të kthehet të jetojë në fshat me të dhe njerkën, e mitura 17-vjeçare refuzoi. Dëshironte të qëndronte me gjyshërit në banesën e tyre në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, ndërsa edhe shkollën e kishte pranë. Aty ndihej mirë, e rrethuar nga dashuria.
Pas divorcit, babai i ushtronte presion për të shkuar me të në banesën e tyre në fshatin Romës të Vlorës. Kohët e fundit nuk ishte dakord që vajza e tij të bënte jetën e qytetit. Të hënën në mesditë, gjendja e saj psikologjike u rëndua edhe më shumë, e duke besuar se nuk do kishte zgjidhje tjetër, çoi ndërmend aktin ekstrem të vetëvrasjes.
E mitura mendohet të ketë marrë një pistoletë që gjyshi e mbante pa leje në banesë, dhe qëlloi veten në kokë. Fati deshi që e mitura të mbijetonte, pavarësisht plagëve të rënda.
Nga spitali i Vlorës, mjekët vendosën ta transportojnë drejt Traumës në Tiranë. Babai kërkoi të shkonte pas saj, por efektivët e policisë e shoqëruan, për të mësuar se ç’mund ta kishte shtyrë 17-vjeçaren drejt këtij veprimi. Pavarësisht rezistencës së tij, ai u dërgua me forcë në komisariatin e Vlorës.
Një ditë pas ngjarjes, policisë iu desh ta vendosë në pranga. Ai dyshohet se e ka dhunuar vajzën, duke e detyruar që shpëtimin nga kjo dhunë ta shohë duke menduar ikjen nga kjo botë.
Ndaj babait 42-vjeçar, policia ngriti 2 akuza; dhunë në familje dhe shkaktim i vetëvrasjes. Burimet thonë se burri e ka ndërruar mbiemrin, ndërsa dyshohet se ka pasur probleme me drejtësinë. Në gjendje të lirë po hetohet gjyshi i saj 76-vjeçar. Ai kishte në banesë armën pa leje me të cilën tentoi të vetëvritet mbesa. Arma ende nuk është gjetur. Policia dyshon se pas ngjarjes familjarët ta kenë fshehur, dhe ende askush nuk ka treguar.
Gjendja e 17-vjeçares vijon të mbetet e rëndë në Spitalin e Traumës. Ajo ndodhet në intubim, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të mjekëve. Për plagë të tilla në kokë, mjekët thonë se 72 orët në vijim pritet të jenë vendimtare.
Komente
