Italiani 44-vjeçar Edoardo Sarchi, i cili ka ndërruar jetë në Tepelenë në rrethana ende të paqarta, nuk ishte emër i panjohur në vendin e tij. Sarchi në Shqipëri rezulton administrator i një fabrike tullash ndërsa në Itali njihet në botën e politikës nëpërmjet babait të tij, raporton media italiane Varese Neës.
Babai i tij është Vittorio Sarchi, një figurë historike në politikën lokale. Një mik dhe bashkëpunëtor i senatorit të ndjerë Piero Pellicini - babai i deputetit aktual të Fratelli d'Italia dhe ish-kryetarit të bashkisë së Luino Andrea Pellicini - Vittorio Sarchi shërbeu si Këshilltar për Sigurinë gjatë mandatit të dytë të Gianercole Mentasti dhe si këshilltar bashkiak gjatë mandatit të parë të Andrea Pellicini.
Pas përvojës së tij administrative, ai kandidoi në listën e qendrës së djathtë Nuova Frontiera, duke mbështetur Pellicinin, duke mbetur aktiv deri në vitin 2015. Ai ndërroi jetë në vitin 2022, në moshën 81 vjeç.
Sipas ANSA-s, Augusto Nidoli, xhaxhai i Sarchi-t, vjen nga një familje ish-guroresh të njohur në provincën e Varese-s dhe më gjerë, dhe themeloi kompaninë italo-shqiptare Edilcentro Ltd në vitin 1996.
Tegola Edilcentro, një kompani prodhimi tullash me seli në Tiranë, në të cilën Sarchi ishte drejtor ekzekutiv, është pjesë e së njëjtës kompani të themeluar nga xhaxhai i tij, e cila tani drejtohet nga kushërinjtë e Sarchi-t, Antonio (kryetar i Bordit të Drejtorëve) dhe Edoardo Nidoli. Antonio Nidoli është gjithashtu president i Dhomës Italiane të Tregtisë në Shqipëri.
"Një familje punëtorësh dhe sipërmarrësish të aftë. Askush nuk mund ta kuptojë se çfarë ndodhi. Edoardo kishte ndjekur gjurmët e xhaxhallarëve dhe kushërinjve të tij dhe tani ishte qytetar i botës', tha nënkryetari i bashkisë së Cunardo-s, Paolo Sartorio.
Lajmi kryesor:
Mister vdekja e biznesmenit italian në Tepelenë, Braçët e ftuan në fshat për gjueti, u gjet në rrugë! Lihen të lirë 4 personat e shoqëruar (EMRAT+VIDEO)
K.B/S.B/ReportTv.al
