TIRANË- Kjo e diel ka shënuar sërish një ulje të ndjeshme të rasteve të reja me COVID-19 në vendin tonë. Në 24 orët e fundit, janë konfirmuar pozitiv me koronavirus 461 persona, ose 77 më pak se një ditë më parë. Në ndryshim nga rastet e reja, fatkeqësisht numri i viktimave ka një trend në rritje. Në buletinin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se 14 qytetarë kanë humbur betejën me këtë virus, 6 persona më shumë se dje. Këto shifra kanë ardhur si rezultat i 1927 testimeve të kryera.
"Megjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk kanë arritur të fitojnë betejën me sëmundjen 14 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: 7 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Peqini, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Kavaja, të moshave 45-89 vjeç", njofton Ministria e Shëndetësisë.
Tirana vijon të jetë epiqendra e virusit, që numëron numrin më të lartë të rasteve të reja, për t'u ndjekur nga Shkodra, Fieri e Vlora. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme, ku Ministria e Shëndetësisë njoftoj se aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 391 pacientë, 24 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.
Apeli i Ministrisë së Shëndetësisë në këto prag festash është që asnjë nga qytetarët të mos ulë vigjilencën, por të zbatojnë rregullat.
"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në prag të festave të fundvitit ju bën apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID-19, vendosni maskë mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, ruani distancimin fizik dhe higjenën personale. Festoni brenda familjes tuaj të vogël, vetëm në këtë mënyrë mund të kemi festa të shëndetshme dhe të parandalojmë përhapjen e virusit SARS-COV2", thuhet në njoftim.
COVID-19 – Statistika (20 Dhjetor 2020)
Raste të reja ditore 461
Të shëruar në 24 orë 290
Të shtruar në spitale 391
Humbje jete në 24 orë 14
Testime ditore 1927
Testime totale 238,715
Raste pozitive 53,003
Raste të shëruara 28,121
Raste Aktive 23,794
Humbje jete 1088
Rastet pozitive të 24 orëve të fundit të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki
192 raste në Tiranë, 65 raste në Shkodër, 42 raste në Fier, 33 raste në Vlorë, 19 raste në Durrës, 15 raste në Dibër, 14 raste në Berat, 11 raste në Korçë, 10 raste në Elbasan dhe Lushnje, 6 raste në Lezhë, 5 raste Malësi e Madhe dhe Kavaja, 4 raste Gjirokastra, 3 raste në Kurbin, Kamëz, Peqin, Klos, Kuçovë, 2 raste në Vau Dejës, Mallakastër, Tropojë, Kukës, Krujë, 1 rast në Skrapar, Bulqizë, Tepelenë, Mat, Rrogozhinë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve
Tiranë 12801
Fier 1734
Durrës 1340
Shkodër 1337
Vlorë 1119
Korçë 1102
Elbasan 981
Berat 962
Lezhë 939
Gjirokastër 565
Kukës 487
Dibër 427
Koronavirusi i ka marrë jetën një prej violinistëve më të spikatur të Teatrit të Operas dhe Baletit, Pavllo Papalilo. Lajmi është bërë i ditur nga vetë TKOB në faqen zyrtare.
"Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi ndarjen nga jeta të një ndër violinistëve të spikatur të TKOBAP-së, Pavllo Papalilo. Pavllo Papalilo u nda sot nga jeta në moshën 74-vjeçare pas një lufte me Covid-19, të cilën nuk e fitoi dot.
Violinisti Papalilo e nisi karrierën e tij artistike në vitin 1970 si violinist pranë Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit deri në daljen e tij në pension në vitin 2013. Pasioni dhe korrektësia ka karakterizuar violinistin Papalilo në punën e tij për 4 dekada me radhë, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e realizuara nga TKOB, opera, balete, koncerte simfonike, si brenda dhe jashtë vendit. Do të mbetet artisti që u shqua për urtësinë dhe thjeshtësinë e tij, njeriu model i orkestrës.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve që e duartrokitën gjatë gjithë karrierës së tij. I paharruar kujitmi i tij", shkruhet në njoftimin zyrtar.
Ndërron jetë në moshën 70-vjeçare, ish-deputeti i PD-së Bedri Çollaku si pasojë e koronavirusit.
Lajmin e ka bërë të ditur guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko. Çollaku ndodhej prej disa ditësh i shtruar në një spital në Turqi ku po merrte kurim por fatkeqësisht nuk arriti t'i mbijetojë dot koronavirusit.
Në vitin 1996 u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë si përfaqësues i Partisë Demokratike në Qarkun Tiranës.
Gjithashtu Çollaku ka pasur një karrierë të gjatë fushën e ekonomisë ku ka kontribuar në hedhjen e themeleve të mbikëqyrjes bankare shqiptare, sektor të cilin e drejtoi gjatë viteve të para të krijimit të tij, në fillim të viteve ‘90.
"Çollaku ishte drejtues i një ndër bankave tregtare të vendit. I nderuar me çmime të shumta për punën e tij si ekspert i sistemit bankar, interesat dhe përvoja e spikatur e Çollaku u pasqyruan edhe në rolin menaxherial që kreu me energji e ndershmëri deri në fund të jetës" - shkruan Sejko në Facebook.
Koronavirusi ka shënuar një tjetër viktimë në radhët e mësuesve mëngjesin e sotëm (20 dhjetor).
Ka humbur jetën Neim Istrefi, 65-vjeç mësues nga Elbasani i cili jepte mësim në gjimnazin profesional "Sahli Çeka".
Mësohet se ai ishte dërguar për kurim në Turqi pas rëndimit të gjendjes shëndetësore por nuk arriti që të fitojë betejën me koronavirusin.
COVID-19 ka marrë një tjetër figurë të rëndësishme të ekranit shqiptar. Është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare regjisori dhe skenaristi Kadri Metohu. Ai prej disa ditësh ishte i infektuar me koronavirus, teksa së fundmi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar.
Lajmin e vdekjes së tij e ka bërë më dije përmes një postimi në rrjete sociale gazetari Dhimitër Gjoka, i cili e mbyll mesazhin e gjatë me fjalët "I paharruar kujtimi i vjehrrit tim Kadri Metohu".
Në të gjithë karrierën e tij krijuese ai u bë i njohur jo vetëm ne dhjetra spektakle televizive, dokumentarë, telereportazhe e radiodrama por edhe në veprat skenike si regjisor i disa veprave operistike.
Metohu studioi për regjisurë në Pragë të Cekosllavakisë nga ku pruri një eksperiencë të madhe bashkëkohore duke dhënë kontributin e tij të vyer në fushën e regjisë televizive, radiofonike dhe skenike.
Pas specializimit në Rai të Italise ai kontribuoi në ngritjen e Televizionit Shqiptar mbi baza profesionale. Është krijues i emisioneve të sukseshme radiofonike si "Heroizmi i popullit tonë në shekuj" si dhe "Teatri në mikrofon". Për kontributin e tij të çmuar ai është nderuar me çmime të shumta kombëtare.