Politikë

Drejtori i Policisë raporton te 'Siguria': Këtë vit 23 krime më shumë nga grupet e strukturuara dhe organizatat kriminale mafioze, vjet ishin 16! 30% e vrasjeve, brenda familjes

1 Dhjetor 2021, 10:23| Përditesimi: 1 Dhjetor 2021, 19:06

  • Share

Për herë të parë si kryepolic, Gledis Nano doli përpara deputetëve të Komisionit të Sigurisë në një seancë të gjatë dëgjimore, përreth 3 orë. Mendime ndryshe pati, po jo përplasje. Kureshtja e deputetëve si të mazhorancës dhe të opozitës ishte për ngjarje të rënda kriminale, të pazbardhura edhe pse kanë kaluar shumë vite.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, nuk mundi t’i japë dot përgjigje të gjitha pyetjeve të deputetëve në seancën e tij të parë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë! Sipas tij, vrasjet e bujshme si politike apo dhe kriminale, janë sekrete hetimore

Për vrasjen e të miturit Mateo Vasiut, drejtori i Policisë së Shtetit zbuloi një skedë të vrasësit, por asnjëherë me historik për vrasje.

‘Klodian Çalamani ka qenë në vëmendje të policisë në vazhdimësi. Të gjitha sinjalizimet për të kanë qenë raste të vjedhjeve për të. Në 22 tetor është kontrolluar nga punonjësi i patrullës dhe nuk ka pasur probleme, gjashtë kontrolle të dokumentuara.’- tha Nano.

143.7% më shumë krime nga grupet e strukturuara dhe organizatat kriminale mafioze janë shënuar këtë vit në krahasim me vitit 2020. 30% e vrasjeve të ndodhura në 2021-in vijnë si pasojë e dhunës në familjes, por po ashtu tha Gledis Nano janë rritur edhe kërkesat për urdhra mbrojtjeje.

Rreth 1500 shqiptarë të përfshirë në krime të ndryshme janë ende në kërkim, por kryepolici Nano tha se bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare është në nivelet më të larta.

Nga ana tjetër në Komision pati debate mes deputetëve të PS-së dhe të PD-së, në lidhje me urimin e publikuar nga deputeti i PS-së, Bujar Çela me foton e Enver Hoxhës për festën e Pavarësisë, mesazhe të cilat u shkëmbyen pikërisht në grupin e përbashkët të këtij Komisioni. Salianji kërkoi që të distancohen nga fyerjet për viktimat e komunizmit, ndërsa deputeti i PS-së e njëkohësisht kryetari i Komisionit, Nasip Naço tha se do të thirret këshilli i etikës.

Ora 13:01
Banorët thanë flenë me armë te koka, Gledis Nano flet për vjedhjet në Shënkoll: Janë marrë masa

Pas denoncimit në Report Tv të banorëve të Shën Kollit, se flinin me armë tek koka pasi hajdutët po bënin kërdinë me vjedhjet, drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano tha se janë marrë masat në lidhje me vjedhjet.

‘Në lidhje me vjedhjet në Shënkoll janë marrë masat. Në lidhje me fluksin e festave janë marrë masat. Sa i përket vjedhjeve në Lezhë, DVP e Lezhës, që hetojnë krimet e vjedhjes janë angazhuar dhe kemi hetime që shumë shpejtë do të japin rezultat. Në lidhje me personat në kërkim, bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare është në nivelet më të larta. Ky bashkëpunim ka dhënë rezultatet e veta. Shikohet si një mundësi dhe aset në duartë e PSH për rezultatet pozitive për zbulimin e ngjarjeve kriminale. Ngjarja e pazbuluar e 21 janarit. Nuk dua të flas më gjatë pasi përbënë sekret hetimor dhe është nën hetim. Për qarkullimin në superstradën e Lezhës që nuk ka sinjalistikë. Në kemi përcaktuar njollat e zeza të aksidenteve, do të rritet numri i shërbimeve të policisë në këto zona, po kështu në bashkëpunim me institucionet kompetente në këtë fushë do të kërkohet rritja e sinjalistikës’-tha Nano

Ora 12:47
Nano pyetet për deklaratën e Çuçit se ‘Veliu do largohet kur t’i mbarojë kandili!’, Xhaferraj e komplimenton për përgjigjen

Gledis Nano nuk pranoi që të komentojë deklaratën e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi në lidhje me komentin për ish-drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliu se ai do të largohet kur t’i përfundojë kandili. Përgjigja 'pa koment' e Nanos është parë në fakt si përgjigje nga deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferraj.

Xhaferraj: Si e komentoni deklaratët e ministrit për paraardhësin tuaj që do ti përfundoj kandili?

Nano: Në lidhje me deklaratën e ministrit Çuçi, nuk mund të komentoj asnjë deklaratë ministri. (Deklarata e Çuçit për Ardi Veliun).

Xhaferraj: Më pëlqeu zgjedhja për t'u përgjigjur i fundit dhe për t'u distancuar deklaratën e ministrit. Ju, duke mos e komentuar rastin e kandilit, e komentuat dhe unë ju falenderoj. Keni gjetur polici të shthurur pasi keni kërkuar testimin e tyre për drogën. Krimi ka ndëshkuar me arrogancë dhe policia ka transferuar. Pse? Sepse politika ka udhëhequr. Përgjigjia është tek vaji i kandilit. Pse ka humbur besimi tek policia? Sepse policia bashkëpunon me krimin e organizuar. Kaq e rëndë është situata saqë ti e ke parë të arsyeshme që të nis testi i drogës. Dedoncojeni publikisht politikën, le të ju shkarkojnë, u shërbeni qytetarëve.

Ora 12:34
Vrasja e nënkomisarit Hoxha, Nano: Është e pamundur që për çdo të dënuar me ‘arrest shtëpie’ të kemi një polic tek dera! Kanabis në Kune Vain? Përgjegjës kryesor policia

Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano në Komisionin e Sigurisë ka raportuar edhe në lidhje me vrasjen e dy efektivëve, Xhulio Prelës në dhjetor të vitit 2020 si dhe nënkomisarit Saimir Hoxha në Kune Vain të Lezhës. Dukë qenë se vrasësi i Saimir Hoxhës, Aldi Rama ishte i dënuar me ‘arrest shtëpie’, Nano tha se është thuajse e pamundur që për çdo person që është arrest shtëpie të kemi nga një oficer policie.

‘Në lidhje me ndryshimin e drejtorëve dhe gradat. Ka një VKM të 2016-ën që e lejon lëvizjen e gradave edhe kur nuk e kanë. Lidhur me vrasjen e efektivit Prela është një ngjarje që po hetohet, është arrestuar një prej autorëve të ngjarjes. Në lidhje me procedurat e tjera për tu nderuar si “dëshmor i atdheut”, këto janë në varësi të autoritetit të komisionit që ka detyrim. Për oficerin Hoxha të vrarë në Lezhë. Policia ka detyrim për kontrollin e personave me arrest shtëpie. Mënyra e kontrollit është e përcaktuar qartë, kush i kontrollon dhe kur kontrollohen. Lidhur me këta persona Ajo është formë që përcaktohet nga gjykata dhe duhet respektuar. Në raste që ka thyerje, policia do marrë analizën e përgjegjësisë dhe do të ndërmarrë masa për ta parë problemin jo vetëm si përgjegjësi të PSH. Si ka mundësi që u gjet kanabis në Kune Vain? Peshën kryesor e ka Policia, po përgjegjësi kanë edhe institucionet e tjera, sidomos ato vendore. Në lidhje me implikim të punonjësve të policisë, kemi bashkëpunim me SHÇBA, që t’u japim mundësinë atyre që janë të denjë të qëndrojnë në strukturë.’- tha Nano.

Ora 12:14
Goditja ndaj grupeve kriminale, Nano: Kemi kërkuar rritje buxheti që të përgjigjemi profesionalisht

Drejtori i Policisë së Shtetit thotë se kanë kërkuar rritje të buxhetit në mënyrë që policia të përgjigjet profesionalisht për të goditur grupet kriminale. Sa i takon Klodian Çalamanit, vrasësit të 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier, Nano tha se policia ka kryer kontroll në 22 tetor, por nuk ka pasur probleme dhe asgjë të jashtëligjshme.

‘Në lidhje me drejtuesit që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në PSH, vijon të jetë ristrukturimi. Në lidhje me grupet kriminale që sofistikohen, kanë mundësinë për ta bërë nga ana financiare. Në këtë drejtim, Policia e Shtetit, nga ana teknologjike, ka kërkuar rritje buxheti, që të përgjigjet sa më profesionalisht për të goditur grupe të tilla kriminale që cenojnë sigurinë në vend. Riqarkullimi i të njëjtave figuarave në PSH, dua të sqaroj që të gjitha lëvizjet janë bërë në bazë të aftësive të tyre dhe të konsultuara. Në lidhje me vrasjen e të miturit në Fier, dua të përmend që autori Klodian Çalamani ka qenë në vëmendje të policisë në vazhdimësi. Të gjitha sinjalizimet për të kanë qenë raste të vjedhjeve për të. Është verifikuar disa herë gjatë gjithë vitit dhe nuk është konstatuar asgjë e kundraligjshme, shkruan Shqiptarja.com Në 22 tetor është kontrolluar nga punonjësi i patrullës dhe nuk ka pasur probleme, gjashtë kontrolle të dokumentuara. Në lidhje me kanabisin, raportet ndërkombëtare e tregojnë ndryshe situatën. Bashkë me GiF do të zhvillojmë konferencë të përbashkët për të paraqitur të gjitha rezultatet e deritanishme.’- tha Nano.

Ora 12:05
‘120 vrasje pa autor?’, Nano i përgjigjet Salianjit: Ka raste të vështira për t'u zbardhur, ndodhin dhe në vende të zhvilluara

Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano në Komisionin e Sigurisë i është përgjigjur deputetit të PD-së Ervin Salianji në lidhje vrasjet pa autor, ku pohoi se ka raste specifike që janë të vështira për t'u zbardhur.

Ervin Salianji: Nga 2014 janë 120 vrasje pa autorë. Ngjarjet tipike mafioze jo vetëm që nuk parandalohen po as edhe nuk zbulohen. Ka ekzekutime me snajper që nuk janë zbardhura. Ka ndonjë informacion në lidhje me kërto ngjarje? A ka sofistikim të grupeve kriminale?

Nano: Ngjarjet pa autorë që përmendi deputeti Salianji. Ka raste të veçanta specifike dhe të caktuara që janë të vështira për t’u zbardhur, kanë ndodhur edhe në vende të tjera shumë më të zhvilluara. Për zbardhjen e ngjarjeve që ju përmendët duan kohë, por të jeni të sigurt që angazhimi është maksimal dhe nuk pushin në asnjë moment për zbardhjen e tyre. Dua të sqaroj një tjetër moment. Kur flasim për vrasje, puna është e fshehtë dhe një pjesë e punës është e padukshme, kur kemi të bëjmë me parandalim të ngjarjeve sidomos, shkruan Shqiptarja.com. Një pjesë bëhen publike dhe një pjesë nuk bëhen për shkak të hetimeve. Për këtë arsye duhet të jemi të qartë që angazhimi është maksimal. Në lidhje me ngjarjet e fundit, ka hetime që do të jetë shumë shpejt rezultate.

Ora 12:01
A ka shpresë për zbardhjen e vrasjeve të deputetit Xhindi dhe gjyqtarit Konomi? Përgjigjet drejtori i policisë

 

Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit është duke raportuar mbi situatën e kriminalitetit në vend në Komisionin e Sigurisë.

Një nga pyetjet që iu drejtua është edhe nëse 'ka shpresë për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi dhe gjyqtarit Skerdilajd Konomi?'

‘S’do jap asnjë detaj janë të dyja çështje në hetim.’- ka qenë përgjigja e Gledid Nanos.

Ora 11:54
Nano: Do të rrisim numrin e punonjësve të policisë në zonat ku ka nevojë! Kemi ngritur grupe pune për ristrukturimin e policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano tha se do të rritet numri i punonjësve të policisë në vendet ku ka ngjarje të shtuara kriminale. Nano tha se do të kryhet një strukturim të policisë që të jetë më efikase.

'Lidhur me buxhetin e miratuar për këtë vit, jam i bindur dhe besoj se do të plotësoj të gjitha nevojat për të arritur të gjitha objektivat. Në lidhje me pyetjet ku thuhet se ngritja e postblloqeve bëhet me vonesë, për qartësim, nisur nga të gjitha ngjarjet kriminale, ne kemi plane operacione që zbatohen dhe vihen në shërbim kur ka ngjarje kriminale, për të bërë bllokimin e zonave dhe lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura kemi iniciuar rishikimin e tyre, që duhet të jenë më efikase dhe të reagojnë më shpejt. Në vijim të pyetjeve të  tjera, prej një muaji është iniciuar ngritja e grupeve të punës për ristrukturimin e Policisë së Shtetit, përmirësim dhe analizë të rregullimit të strukturës organike. Do rritet numrit efektivët ku ka nevojë. Policia ka marrëdhënie të shkëlqyer me prokuroritë dhe detyrimi i PSH është të vërë në dijeni prokurorët. Në asnjë rast nuk kemi vënë re mungesë të prokurorëve në asnjë ngjarje, shkruan Shqiptarja.com. Përsa i përket shërbimit të policisë shkencore, është e vërtet, sektorët janë të vendosura në drejtori dhe ndihmës ekspertët në komisariate dhe dua t’iu ritheksoj edhe tek kjo pikë ristrukturimin për të qenë sa më efikas.

Drejtoritë kanë një strukturë për bashkëpunim midis tyre, nisur nga nevoja dhe dinamika që qytete dhe vende të ndryshme kanë. Lidhur me fondin e shpjegimit për informacionit, ne kemi një fond. Nëse komisionit i duhet një shifër për pagesat që kemi bërë për informatorët mund t’ua vëmë në dispozicion një herë tjetër. Lidhur me një projekt për qarkullimin rrugor ku përfitues është Policia e Shtetit, është përfituese PSH, por është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës. PSH do të ketë akses në kamear, radarë e më gjerë në këtë projekt. '- tha Nano.

Ora 10:51
Drejtori i Policisë raporton te 'Siguria': 143.7% më shumë krime nga grupet e strukturuara dhe organizatat kriminale mafioze! Rreth 30% më shume krime brenda familjes

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka raportuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare shifrat e kriminalitetit të vitit 2021, nga 1 janari deri më 31 tetor. Shifrat shqetësuese që ka dhënë Gledis Nano janë në lidhje me krimet e organizatave të strukturuara kriminale dhe ato brenda familjes që janë rritur ndjeshëm.

'Gjatë këtij viti janë evidentuar gjithsej 27763 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 24452 ose 88.1% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë evidentuar 1549 ose 5.5% vepra penale më shumë.

Ka rënie të veprave penale kundër personit me 10.7% dhe ato kundër pronës me 6.1%. Ka rritje të goditjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe konkretisht veprat penale të korrupsionit me 30.7%, në fushën e krimeve ekonomike - financiare me 20.7 %, në fushën e pastrimit të parave me 8.5%, në fushën e terrorizmit me 5.5%, në fushën e krimeve kompjuterike me 144.3%, në fushën e narkotikëve me 48.6%, në fushën e trafiqeve të paligjshme me 1.5%, grupe të strukturuara dhe organizata kriminale me 143.7%. Gjithashtu ka pasur rritje të veprave penale të dhunës në familje me 3.7% dhe në fushën e qarkullimit rrugor me 8.8%.

Përsa i përket peshës që zënë këto vepra penale në tërësinë e kriminalitetit, gjendja paraqitet: krimet kundër personit zënë 9%, krimet kundër pronës19%,veprat penale të korrupsionit 3%, veprat në fushën ekonomike-financiare 10%, veprat në fushën e narkotikëve 9%, trafiqet 3%, dhuna në familje 4%, veprat në fushën e qarkullimit rrugor 16% dhe të tjera 25%.

Vepra penale kundër personit

Evidentuar gjithsej 2293 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 2160 ose 94.2% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë 276 ose 10.7% më pak, vepra penale kundër personit.

Vepra penale kundër pasurisë

Evidentuar gjithsej 4930 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 3119 ose 63.3% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë 323 ose 6.1% më pak, vepra penale kundër pasurisë. Shënohet rënie e vjedhjeve me armë, vjedhjeve me dhunë dhe vjedhjeve të banesave.

Vepra penale në fushën kunder korrupsionit Evidentuar gjithsej 884 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 848, ose 95.9% e tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 208 ose 30.7% vepra penale më shumë.

Vepra penale në fushën ekonomiko-financiare

Evidentuar gjithsej 3021 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 2838 ose 93.9% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 505 ose 20.7% vepra penale më shumë.

Vepra penale në fushën e pastrimit të parave

Evidentuar gjithsej 407 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 400, ose 98.3% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 32 ose 8.5% vepra penale më shumë.

Vepra penale në fushën kundër akteve terroriste

Evidentuar gjithsej 19 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 16 ose 84.2% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 1 ose 5,5 % vepra penale më shumë.

Vepra penale në fushën e krimeve kompjuterike

Evidentuar gjithsej 435 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 291 ose 66.9% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 257ose 144.3% vepra penale më shumë që shënon një nga fushat me rritjen më të madhe të krahasuar me një vit më parë.

Vepra penale në fushën e narkotikëve

Evidentuar gjithsej 2762 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 2326, ose 84% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 904 ose 48.6% vepra penale më shumë.

Janë sekuestruar:

81.1 kg heroinë (+36.7 kg krahasuar me 2020).

605.1 kg kokainë (+602.2 kg krahasuar me 2020).

2647.7 kg marijuanë (-1495.2 kg krahasuar me 2020).

Janë asgjësuar 164765 bimë narkotike kanabis ose 18.5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

9% e totalit të bimëve narkotike janë identifikuar me informacion policor.

35% janë identifikuar nga kontrolli i territorit,

56% janë identifikuar nga monitorimi ajror, prej të cilave: 8% nga monitorimi ajror me helikopter dhe 48% nga monitorimi ajror i Guardia Di Financia.

Vepra penale në fushën e trafiqeve të paligjshme

Evidentuar gjithsej 969 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 948, ose 97.8% e tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 15 ose 1.5% vepra penale më shumë.

Vepra penale të tjera

Evidentuar gjithsej 7391 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 7091, ose 95.9% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 237 ose 3.1% vepra penale më pak.

Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor

Evidentuar gjithsej 4825 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 4584 ose 95% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 392 ose 8.8% vepra penale më shumë.

Vepra penale të referuara për grup i strukturuar/organizatë kriminale

Evidentuar gjithsej 39 vepra penale (nenet 333, 333/a,334), nga të cilat janë zbuluar 18, ose 46.1% tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 23 ose 143.7% vepra penale më shumë.

ASETE TË SEKUESTRUARA NGA VEPRIMTARIA KRIMINALE:

Janë sekuestruar asete për pastrim parash 41 raste, në vlerën  31,216,758 Euro.

Asete kriminale të sekuestruara nga hetime penale dhe pasurore sipas “Ligjit Antimafia”, janë 11 raste ku janë sekuestruar pasuri të luajtshme, të paluajtshme etj, të cilat janë përllogaritur në vlerën prej 14,484,841 Euro, kundrejt 7 rasteve dhe 4,832,032 Euro asete të sekuestruara gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2020.

Janë referuar 368 hetime pasurore, nga 107 hetime për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Janë kryer 6592 verifikime pasurore për asetet kriminale, nga 6076 verifikime në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

GRUPE KRIMINALE TË GODITURA:

Janë goditur gjithsej 40 grupe kriminale, 4 grupe ose 11% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

OPERACIONE POLICORE:

Janë zhvilluar gjithsej 419 operacione policore, 78 prej të cilave në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. Zhvilluar 60 operacione ose 16.7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

PERSONA NË KËRKIM:

Janë shpallur në kërkim 3123 persona. Janë anuluar nga kërkimi 2965 persona, nga të cilët 1646 persona janë kapur nga policia. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë kapur nga policia 119 persona ose 7.8% më shumë.

Ndërkohë, vazhdon të mbetet shqetësues fenomeni i dhunës në familje.

Gjatë këtij viti janë evidentuar 1337 vepra penale të dhunës në familje. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 48 ose 3.7% vepra penale më shumë.

Gjatë 10 mujorit janë trajtuar me kërkesë-padi “Për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes”, 2754 raste të dhunës në familje. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 370 ose 13.4% raste më shumë.

Theksojmë se nga vrasjet e ndodhur këtë viti, 16 prej tyre janë për shkak të dhunës në familje.

Këtë vit janë evidentuar 893 të mitur të dëmtuar ose viktima nga vepra të ndryshme penale ku ka një rritje me 27 të mitur nga viti i kaluar. Pjesa më e madhe e të miturve janë të dëmtuar nga vepra penale në fushën e sigurisë rrugore, gjithsej 331. Nga dhuna në familje janë të dëmtuar 175 të mitur ose 19.5% e të miturve të dëmtuar nga veprat penale. Nga krimet seksuale rezultojnë të dëmtuar 67 të mitur, ose 7.5% e totalit të të miturve të dëmtuar duke shënuar rënie nga viti i kaluar ku ishin 76 të mitur të dëmtuar nga krimet seksuale.'- tha Nano.

 

Ora 10:34
Vrasja e Mateos 8 vjeç nga Klodian Çalamani, flet drejtori i Policisë: Ishte hajdut banesash, nuk ka pasur kallëzime ndaj tij për abuzim seksual

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shetit Gledis Nano ka folur në Komisionin e Sigurisë më lidhje me vrasjen e 8-vjeçarit, Mateo Vasiut, nga Klodian Çalamani.

'Nga këto ngjarje, veçojmë ngjarjen datës 16 në fshatin Grecalli të bashkisë Fier ku u arrestua Klodian Çalamani i cili ka vrarë me sende të forta M.V. që e kishte groposur në oborrin e banesës. Autori rezulton një person i evidentur nga policia e shtetit një person me precedent. Gjykata e kishte dënuar me 4 vit burg për heqje të paligjshme të lirisë dhe është liruar nga burgu i Rrogozhinës më 6 gusht 2009 për plotësim të kohës së vuajtjes së dënimit. Për këtë shtetas ka pasur të dhëna policore se ka aktivitet kriminal në drejtim të vjedhjes së banesave, bagëtive e shpendëve në fshat, informacione që kanë qenë pas verifikimeve Për autorin pas përfundimit të dënimit nuk ka pas informacione, të dhëna apo kallëzime si i dyshuar për vepra penale në fushën e abuzimeve seksuale apo dhunës në familje', tha Nano.

Ora 10:20
Urimi i Çelës me foton e Enver Hoxhës, debate tek Siguria! Salianji: Duhet të kërkoni ndjesë! Naço: Do thirret komisioni etikës, e kemi hequr nga grupi WhatsApp

Në Komisionin e Sigurisë pati debate mes deputetëve të PS-së dhe të PD-së, në lidhje me urimin e publikuar nga deputeti i PS-së, Bujar Çela me foton e Enver Hoxhës për festën e Pavarësisë, mesazhe të cilat u shkëmbyen pikërisht në grupin e përbashkët të këtij Komisioni. Salianji kërkoi që të distancohen nga fyerjet për viktimat e komunizmit, ndërsa deputeti i PS-së e njëkohësisht kryetari i Komisionit, Nasip Naço tha se do të thirret këshilli i etikës.

Salianji: Duhet të distancoheni  për fyerjen që i është bërë gjithë shoqërisë shqiptare, sidomos viktimave të komunizmit dhe të diktaturës për një anëtar të këtij komisioni që ka fyer jo komisionin po të gjithë Shqipërinë dhe nuk mundet që në mbledhjen e parë të bëhet sikur s’ka ndodh gjë edhe hajde të vazhdojë komisioni. Unë propozoj që ju duhet të distancoheni një herë, pastaj të fillojë mbledhja se nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë. Duhet të kërkoni ndjesë.

Naço: Që të jemi korrekt në lidhje me çfarë pretendoni ju. Zotëria në fjalë është anëtar zëvendësues në këtë komision. Unë jam vënë në dijeni me këtë lloj komunikimi, kam dashur të kontaktoj nuk munda, kam bërë të mundur për aq sa më lejonte mënyra e komunikimit për të fshirë komentet që ishin bërë, në momentin që s’e arrita dot, e kam nxjerrë nga grupi. Pastaj ka një njoftim nga kreu i grupit parlamentar që do i nënshtrohet Kodit të Etikës, ju keni bërë një kërkesë për kodin e etikës. Do thirret do të dëgjohet brenda rregullave dhe pastaj do procedohet, Për aq sa kam bërë është tërheqje vëmendje, më shumë pastaj duhet dëgjuar Komisioni i Etikës.

1638353541_1638351511page.jpg

Bujar Çela dhe fotoja e postuar tek grupi i Komisionit të Sigurisë
M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Grupi: 01/12/2021 19:13

    Paskemi te ardhme me kete drejtor qe deklaron se kemi 30% rritje te veprave kriminale nga krimi i organizuar. Me cfare do e luftoje krimin ky drejtor? Duke ricikluar pergjegjesit e vertete te kesaj gjendjeje, kontigjentin e kanibisteve dhe trafikanteve te Saimir Tahirit? Aoo me repartin e shthurur dhe te intoksikuar shqiponja? Opgj sillen si notere duke thene e kemi cuar ceshtjen ne prokurori mbas denincimit. Perse kjo eshte detyra fuknsionale e nje OPGJ-je? Te shkruaje dhe te percjelle shkresa??? Nese nuk do te ndjekesh rrugen e parardhsit tend te flliqur atehere pastro policine nga te inkriminuarit. Ndryshe kete vend e merr lumi.

    Përgjigju
  • Labi: 01/12/2021 14:06

    Nga deklaratat e Drejtorit te Policise kuptuam se krimi i struktruar dhe organizuar ka nje rritje me 30%. Me rregullin e treshit ne reverse i bie qe ne fakt eshte 90%!!! Ne sinkron me masat e qeverise per te buxhetuar parate, marre borxh dhe ndare pasurite dhe parate publike tek xhepat e saj. Tani si na del shteti? I kapur apo mbytur? Edhe nje pytje, nese sipas Policise rritja eshte me 30%, nderkohe kemi struktura "speciale" ne vete polici por-dhe kemi SPAK dhe BKH, pra 40 fishim kapacitetesh. Sikur nuk dalin mire llogarite o shoku Nasip. Me mire te qe bere deputet dhe krietar i sigurise Lazja i Durrsit,si thua?

    Përgjigju
  • Thoma Kola: 01/12/2021 11:16

    E njoh dhe e respektoj Bujar Celen,eshte njeri ithjesht dhe i respektuar ne Lushnje dhe nuk besoj qe eshte enverist,mendoj se veprimi i tij duhet te meret seriozisht.Qellimi i Bujarit nuk mendoj se eshte nostalgjija per Enverin dhe kete veprim nuk mund ta analizojne ata qe jane majmur me cfar eshte ber ne periudhen e diktatures duke cber cdo gje ne emer te luftes kunder komunizmit. Personalisht nuk kam asnje nostalgji per Enverin por realiteti eshte i pa mohueshem.Un kam ber "luften per ndertimin e socilizmit" dhe "luften per ndertimin e kapitalizmit",nga kjo lufta e dyte kam ngelur shume i zhgenjyer. Nje ngjarje te shkurter per neo fashistin Alibeaj; Dajot e mi kan qen pjesmarres ne l.nac.cl.,ne periudhen e luftes shkon ne shtepi te gjyshit Isa Toska me "trimat" e tij dhe dhunon gjyshin duke i kerkuar se ku i kishte djemt,ne shtepi ishte strehuar edhe nje ushtar italian pas renies se Italise."Trimat" e Isajit e moren zvarr italianin dhe donin ti mernin kepucet ushtarake,nderhyn gjyshja duke i kercenuar me cfurk dhe u thot "si nuk ju vjen turp deri dje ishitne nje sofer me ta,sot kerkoni ta zhvasni".Nderhyri Isai dhe "trimat"iken pa kepucet. Alibe dua te bej nje pyetje:cfar kupton nga kjo ngjarje? Nese nuk kupton gje po ta them un,populli eshte me i mencur se soji i juaj, di te dalloj dhe te toleroj. Fashisti italian jetonte,punonte dhe ushqehej si i barabart ne familjen e partizaneve deri ne vitin 45 kur u largua,gje qe ju pasardhesit e Isa Toskeve nuk e beni dot se nu ju lejon karakteri. Ps.Isa Toska eshte vrar ne zyrat e Komunes Bubullime nga partizanet dhe pas vrasjes kan ardhur gjermanet ,kan terrorizuar fshatin dhe kan vrar nje fshata te pafajshem,Rrap Priftin(Todo) ne shenj hakmarrje per bashkpuntorin e tyre Isa Toska.

    Përgjigju
  • Calamani..: 01/12/2021 11:01

    Grupet kriminale i njihni mire dhe ka bashkevepru Perjete policia me to! Dhe disa specialista Reneas dhe ne polici i hoqet Se benin mire punen, nderkohe ju ju duhen servila Qe veprojne pa vullnetin e tyre dhe te ligjit Por vetem me urdherin tuaj, Se keni frike mos pa dashje vrasin ndonje trafikant apo kriminel Mik te shefave , dhe mos bejne ndonje arrestim pa dijenine tuaj! Dhe i ndrruat specialistat me ordiner adolesht, Hajdute e kontigjent! E dine mire te gjithe qe ne polici ka 30 % kontigjent Qe ka lidhje te perditshme me krimin dhe trafiqet, Ato jane gjithmone ne role kyçe per cudi.. O pergjime, ose operacionale, ose ndonje tek renea!! Sa per calamanin , me qe e dinit qe ishte grabites e vjedhes banesash Pse nuk e arrestuat, apo pritet sa te vriste ca gra dhe femije. Uroj ta pesoni tek vetja, vetem atehere ndoshta do ju vrase ndergjegjia, Seshte per drejtorin( Gledis) , por per te gjithe drejtuesit. Respekt per ato punojes te ndershem.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?