Zjarri në ishullin e Sazanit

Zjarri në Ishullin e Sazanit, ministri i Mbrojtjes: Janë izoluar disa nga vatrat! Trupat e FA e kishin të vështirë ndërhyrjen gjatë natës prej relievit

6 Qershor 2022, 07:13| Përditesimi: 6 Qershor 2022, 07:56

  • Share

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar për zjarrin në ishullin e Sazanit duke thënë se janë izoluar disa nga vatrat ndërsa trupat e FA e kishin të vështirë ndërhyrjen në vatrat e mbetura për shkak të relievit të vështirë. Ndër të tjera u shpreh se mbështeten tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika efikase për izolimin e vatrave është përmes krijimit të brezave të shpyllëzuar.

"Në këto momente duket se janë izoluar disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në Sazan. Trupat e Forcave të Armatosura po punojnë me përkushtim në kushtet kur ndërhyrja në vatrat e mbetura është e vështirë për shkak të relievit dhe të natës. Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje.

I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës", shkroi Peleshi.

Ndër të tjera tha se kjo verë do të jetë shumë e nxehtë, por shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur bashkitë për përballimin e emergjencave pasi është prioritet mbrojtja e jetës së banorëve, florës e faunës si dhe trashëgimia natyrore e historike.

"Me të gjithë partnerët tanë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar marrëdhënie për të aktivizuar mbështetjen me mjete ajrore shtesë, gjatë stinës së verës, pa humbur kohë nëse do të çmohet e nevojshme nga ekspertët. Sigurisht prioritet ka mbrojtja e jetës së banorëve dhe më pas e florës e faunës si edhe trashëgimia jonë natyrore e historike.

Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera", shkroi Peleshi.

Një ditë më parë, që prej mesditës kur temperaturat ishin të larta, ishulli i Sazanit u përfshi nga flakët që shkrumbuan bimësi dhe pisha, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë punuan me mjete primitive si lopata e degë peme, për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Në terren u angazhuan mbi 90 efektivë të ushtrisë dhe forca të Zonave të Mbrojtura, të cilët hasën vështirësi, në fikjen e flakëve, për shkak të terrenit dhe bimësisë së dendur. Ndërsa dy helikopterët Cougar të ushtrisë shqiptare, të cilët mund të përdoreshin për të shuar flakët nga ajri, edhe këtë verë ndodhen ende në servis.

Nga ana tjetër ministria e Mbrojtjes ngriti alarmin se si një ish-repart ushtarak, në ishull rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera.

Kjo ishte hera e dytë brenda pak ditësh që ishulli i Sazanit u përfshi nga flakët. Vetëm dy ditë më parë, disa shkurre e ferra u dogjën, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave të ushtrisë dhe më anije që të izoloheshin flakët.


Lajmi kryesor:

Sazani 3 ditë në flakë, dëme të mëdha, ende s'ka ndërhyrje nga ajri! Gafa e Ministrisë së Mbrojtjes, publikon pamjet e zjarrfikësit, e akuzon si zjarrvënës (VIDEO)


Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?