Sazani 3 ditë në flakë, dëme të mëdha, ende s'ka ndërhyrje nga ajri! Gafa e Ministrisë së Mbrojtjes, publikon pamjet e zjarrfikësit, e akuzon si zjarrvënës (VIDEO)

6 Qershor 2022, 09:30| Përditesimi: 6 Qershor 2022, 22:01

  • Share

Prej tre ditësh, ishulli i Sazanit është në betejë me flakët dhe situata vijon të jetë shqetësuese pasi janë dëgjuar sërish shpërthime të municioneve. Zjarri është aktiv në një sipërfaqe te konsiderueshme në pjesën lindore të ishullit përballë qytetit të Vlorës. Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar dhe vijojnë të digjen edhe gjatë kësaj të hëne. Gjatë mbrëmjes, Forcat e Armatosura kanë luftuar me flakët të mbështetur edhe nga ADZM, por shuarja e zjarrit ka qenë e pamundur, raportoi gazetari i Report Tv Armand Xhelili.

Në terren janë angazhuar mbi 90 efektivë të ushtrisë dhe punonjës të Zonave të Mbrojtura, të cilët po hasin vështirësi, në fikjen e flakëve, për shkak të terrenit dhe bimësisë së dendur, ndërkohë që nuk ka ndërhyrjë nga ajri. Shqipëria ka tre helikopterë Cougar që kanë kova për të shuar flakët në situata emergjence me zjarret. 2 helikopterë janë për mirëmbajtje jashtë vendit, që kërkon kohë pasi është një procedurë e gjatë tenderimi, me përfshirje të NATO. Ndërkohë, në Shqipëri ndodhet helikopteri i tretë Cougar, që gjithashtu ka kova për flakë. Por edhe ky helikopter është në procesin e mirëmbajtjes, që merr disa javë kohë edhe nuk është ende gati për fluturim. Megjithatë, sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, edhe nëse do të ishte në gjendje, helikopteri nuk do të nxirrej në operacion pasi ishulli i Sazanit nuk është i banuar dhe s’ka rrezik në njerëz. Sipas këtyre burimeve, zjarri mund të vihet nën kontroll me mjetet që aktualisht janë në terren. Ndërkohë, sa i përket predhave të pashpërthyera që ndodhen në ishullin e Sazanit, Report Tv mëson se bëhet fjalë për predha të mbetura aty (rreth 10%) nga stërvitjet me artileri të rëndë të kryera 10 vjet më parë.

Ndërkohë që një video është shpërndarë për mediat nga Ministria e Mbrojtjes ku duket një person teksa ndizte zjarre në zonën e Sazanit. Ministria e akuzon si zjarrvënës ndërkohë që ai është zjarrfikës. Por në fakt zjarrfikësi Luan Kapaj, i njohur për heroizmin e tij duke shpëtuar disa njerëz në rrënojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, po ndizte një zjarr të kontrolluar. Një djegie e kontrolluar është një zjarr i vendosur qëllimisht për të hapur breza dhe për të penguar zjarrin e madh që të shpërndahet në të gjithë zonën, pra izolimin e tij. 

Paraditen e sotme, në lidhje me situatën e zjarreve, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, nuk foli për helikopterët por theksoi përmes disa postimeve në rrjetet sociale se teknika më efikase është izolimi i vatrave në terren.

"I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës", shkroi Peleshi.

Ky status në facebook i ministrit u  shpërnda nga kryeministri Edi Rama shoqëruar me pamjet nga ajri të zjarrit që po djeg Sazanin. Ndërsa shefi i Emergjencave Civile, Haki Çako në një lidhje telefonike për Report Tv tha se "jemi në vlerësim të situatës. Do të mobilizojmë kapacitete tona. Nëse situata do të prevalojë do të kërkojmë ndihmë nga fqinjët. Shpresojmë të vihet në kontroll nga forcat tona". 

Çako pohon se një helikopter i Forcave të Armatosura po përdoret vetëm për të transportuar ushtarët në IshullShqetësimi më i madh janë municionet ushtarake dhe shpesh herë janë dëgjuar shpërthime. Baza ushtarake e Sazanit është çmontuar prej 3 dekadash por aty dyshohet se ka granata e municione të tjera që kanë mbetur nga koha e komunizmit. Siç duket dhe nga pamjet që janë marrë nga qyteti i Vlorës, ishulli është i rrethuar nga një mjegull tymi dhe duken qartë vatra zjarri që janë aktive. 

Në një kohë kur fokusi duhet të jetë shuarja e flakëve, Ministria e Mbrojtjes gjen kohë për të dhënë urdhrin absurd për të mos shpërndarë asnjë foto apo video për mediat ndërsa situata duket alarmante. Vatra e zjarrit u shfaq mbrëmjen e së premten në ishullin e Sazanit, e cila është zonë e mbrojtur. Burime për Report TV thanë se janë gjetur tre predha të pa plasura, ç'ka tregon për rrezikun evident për ushtarët dhe zjarrfikësit në terren. 

Ndër të tjera, burime bëjnë me dije Ministria e Mbrojtjes i ka urdhëruar të gjithë zjarrfikësit e policët që po luftojnë me flakët që të mos i përgjigjen asnjë telefonate dhe nuk lejojnë që të xhirohet asnjë video për t'iu shpërndarë mediave. Ndër të tjera në ishull nuk lejohet të hyjë asnjë person, qoftë turist apo punonjës mediash sepse ka municione. Pra, derisa të shuhen flakët e zjarrit dhe te pastrohen mbetjet e municioneve ishulli i Sazanit do të jetë i mbyllur për turistët.

Dyshohet se shkak i zjarreve në Sazan janë papërgjegjshmëria e pushuesve që shkojnë me mjete të vogla dhe pa leje, ndezin zjarre për ushqimet e tyre, ndërkohë qe në ishullin e Sazanit janë vetëm katër ushtarë që monitorojnë të gjithë ishullin. Ashtu si në çdo sezon veror, janë rikthyer vatrat e zjarrit në vendin tonë dhe shpesh herë, ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit si dhe era favorizon përhapjen e flakëve.

Ora 20:33
Zjarri prej tri ditës në Sazan, reagon ministria e Mbrojtjes: Efektivët e FA kanë neutralizuar 14 vatra, në dispozicion 3 anije

Ishulli i Sazanit është prej 3 ditësh në betejë me flakët dhe situata vijon të jetë shqetësuese pasi janë dëgjuar sërish shpërthime të municioneve. Zjarri është ende aktiv në një sipërfaqe te konsiderueshme në pjesën lindore të ishullit përballë qytetit të Vlorës.

Në lidhje me këtë ngjarje shqetësuese ka reaguar ministria e mbrojtjes duke thënë se janë vënë në gatishmëri për izolimin e plotë të flakëve.

"Pas një pune të pandërprerë, efektivët e FA kanë mundur të neutralizojnë rreth 14 vatra zjarri në ishullin e Sazanit.

Rreth 100 trupa të tjerë të Forcave të Armatosura po dërgohen në terren, ndërsa janë vënë në dispozicion edhe 3 anije të Forcës Detare. Trupat vazhdojnë operacionin e izolimit të plotë të flakëve, krijimin e brezit të shpyllëzimit me mjete shtesë nga Komanda Mbështetëse."- thuhet në njoftimin e ministrisë së mbrojtjes.

 

Ora 18:27
Gafa e Ministrisë së Mbrojtjes, publikon pamjet e zjarrfikësit, e akuzon si zjarrvënës

Një person është filmuar në këto pamje teksa ndizte zjarre në zonën e Sazanit. Ministria e Mbrojtjes e akuzon si zjarrvënës ndërkohë që ai është zjarrfikës.  Madje sipas njoftimit që është shpernmdare nga zyra e shtypi te Ministria e Mbrojtjes, e dërguar gazetarëve privatisht, thuhet se Policia gjoja ka nisur menjëherë hetimet për të zbuluar autorin apo autorët e kësaj zjarrvënnie që mori përmasa të mëdha.

Por në fakt ne pamje duket zjarrfikësi Luan Kapaj, i njohur për heroizmin e tij duke shpëtuar disa njerëz në rrënojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, po ndizte një zjarr të kontrolluar. Një djegie e kontrolluar është një zjarr i vendosur qëllimisht për të hapur breza dhe për të penguar zjarrin e madh që të shpërndahet në të gjithë zonën. 

Ja teksti i shpërndarë nga Stafi i Ministrisë së Mbrojtjes

''Një video që dyshohet të jetë bërë nga punonjës të operacioneve të fikjes së zjarreve ka zbuluar një person që dyshohet të jetë autor njërës prej zjarrvënieve në ishullin e Sazanit. Policia bën me dije se ka nisur menjëherë hetimet për të zbuluar autorin apo autorët e kësaj zjarrvënnie që mori përmasa të mëdha. Nga videoja e siguruar, personi duket që del nga një vatër e sapondezur zjarri. Ende nuk dihen shkaqet që e kanë detyruar atë të ndërmarrë një veprim të tillë, por Kodi Penal në fuqi parashikon ndëshkime deri në 20 vite burg për autorët e djegies së qëllimshme të pyjeve dhe bimësisë në Shqipërië. 
Konkretisht, neni 206/a i Kodit Penal, ndryshuar për herë të fundit në vitin 2013, parashikon 5 deri në 8 vite burg për shkatërrimin me dashje përmes zjarrit, të fondit pyjor dhe të çdo njësie të ngjashme me të, me pasoja të rënda materiale. Kur zjarrvënia është kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, nga pyll në kullotë, truall etj., parashikohet një dënim me burg nga 5 deri në 15 vjet. Ndërkaq, kur vënia e zjarrit të qëllimshëm ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit, dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg.''

Ora 17:18
VIDEO/ Ja situata aktuale e zjarreve në Sazan, reja e tymit duket nga Vlora

 

Kjo është situata e zjarrit në ishullin e Sazanit pak minuta më parë. Zjarri ka përmasa të mëdha, i ndihmuar dhe nga era që fryn nga veriu. Pishat vijojnë të digjen por dhe shkurret. Ndërkohë nga qyteti i Vlorës duket qartë  reja e tymit që vijnë nga ishulli i Sazanit

Ora 16:39
Prej tre ditësh në flakë, Report Tv sjell pamje brenda ishullit të Sazanit , vatrat e zjarrit ende aktive

 

Ishulli i Sazanit po digjet prej tre ditësh. Report Tv ka siguruar pamje nga brenda ishullit, ku vatrat e zjarrit ende janë aktive. Ndërkohë, duke qenë se dy prej helikopterëve Cougar që kanë kova për të shuar flakët ndodhen për mirëmbajtje jashtë vendit, ndërsa një helikopteri i tretë është në procesin e mirëmbajtjes, për shuarjen e zjarrit forcat zjarrëfikëse po punojnë në terren me mjete primitive.

Ora 14:00
Zjarri në ishullin e Sazanit, Rama i përgjigjet kritikëve: Shqipot merren me llafe, nuk shohin fqinjët, por hidhen përpjetë për kova uji biblik e shkopinj magjikë

1654330784_edi.jpg

Duke shpërndarë pamjet nga ajri dhe statusin e ministrit, kryeministri Edi Rama dha një reagim më të ashpër për kritikët ndaj reagimit të autoriteteve.

“Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikoptera me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe...”, shkroi Rama.

Ora 12:54
Ministria e Mbrojtjes sqaron: Disa helikopterë Cougar të riparuar ndodhen në Shqipëri! Pse nuk përdoren për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit?

1654510248_Screenshot3.jpg

Teksa vijon beteja me flakët në ishullin e Sazanit, Ministria e Mbrojtjes sqaron se FA disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në përmbushje të detyrave e operacioneve që duhet të kryejnë edhe në raste emergjencash si zjarret. 

"FA ka në gatishmëri helikopterë të lehtë, por që në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të operacioneve të emergjencave. Forca Ajrore ka helikopterë të kompletuar dhe të pajisur me mjete për operacione për mbështetje të emergjencave mjekësore si dhe edhe helikopterë ushtarakë të mesëm modernë të gjeneratës së katërt", thuhet në njoftim.

Sa i përket helikopterëve Cougar që thuhet se janë në servis, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se disa prej tyre kanë kaluar procesin e mirëmbajtjes dhe ndodhen në Shqipëri. Megjithatë mbetet në pikëpyetje arsyeja përse nuk përdoren poër shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit që prej 3 ditësh është në luftë me flakët.

"Si rregull ata i nënshtrohen kërkesave rigoroze të mirëmbajtjes dhe riparimit, bazuar mbi periudha përdorimi dhe kohë fluturimi. Në këtë proces, një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta të emergjencave në kohë përmbytjesh, zjarresh, tërmeti, kushteve ekstreme të motit, në ndihmë të komunitetit, pjesëmarrjes në stërvitjet e ndryshme në Forcat e Armatosura, si dhe atyre me NATO-n të zhvilluara në vendin tonë, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, në nivelin e tretë të mirëmbajtjes, proces që bëhet vetëm nga uzina jashtë vendit, të specifikuara për këtë nivel modern pajisjesh. Ndërsa një pjesë e helikopterëve Cugar të riparuar përmes praktikës së re të bashkëpunimit me Agjencinë e Prokurimit të NATO (NSPA) ndodhen në Shqipëri", vijon njoftimi i Ministrsisë së Mbrojtjes.

Ndër të tjera sqarohet për çdo situatë dhe nevojë reale kur vihet në rrezik jeta e njerëzve apo banesat Shqipëria bashkëpunon me Mekanizmin e Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, Emergency Response Coordination Centre (ERCC) dhe në bashkëpunim me partnerët e saj është në gjendje të garantojë sigurinë.

"Edhe vendet fqinje përdorin këtë mekanizëm për të përballuar nevojat e tyre ne raste emergjencash. Siç e kemi thënë edhe më parë kapacitetet tona të brendshme janë të limituara. Ndërkohë edhe vende si Turqia, Greqia apo Italia mbështeten te mekanizmi evropian, sepse emergjencat specifike natyrore nuk përballohen dot vetëm me kapacitete të brendshme", thuhet në reagim.

Ora 12:08
VIDEO nga ajri, zjarri ‘pushton’ ishullin e Sazanit

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ajri se si duket situata në Ishullin e Sazanit. Aty shfaqet kreu i Emergjencave Civile i cili po bën një vëzhgim me helikopter, ndërkohë që thekson se ende nuk është ndërhyrë për shuarjen e zjarrit nga ajri.

Ora 12:06
Zjarri në ishullin e Sazanit, Çako për Report Tv: Po vlerësojmë situatën nga ajri, do kërkojmë ndihmë nga aleatët për ndërhyrje me helikopter

 

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako foli për Report Tv për situatën në ishullin e Sazanit, ku vijon beteja me flakët duke thënë se situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për njerëzit apo qendrat e banuara.

"Situata është ajo që ka qenë, nuk ka rrezik për njerëz apo qendra të banuara po jemi duke angazhuar të gjitha strukturat për ta vënë në kontroll. Dyshohet për zjarr të vënë nga dora e njeriut, por kemi rreth 80 forca nga FA, nga zonat e mbrojtura", tha Çako.

Ndër të tjera zbuloi se nuk ka nisur ende ndërhyrja nga ajri dhe aktualisht po punohet nga forcat ushtarake me mjete primitive. Çako tha se po vlerësohet situata dhe momenti i përshtatshëm kur do të bëhet ndërhyrja me helikopter, për të cilët do të kërkojnë ndihmë nga aleatët. Cako nuk bëri asnjë koment për helikopterët Cougar që ndodhen ende në servis.

"Nga ajri po bëjmë vlerësimin e situatës dhe operacioni po vazhdon. Zjarri nuk fiket me një helikopter, por me të gjitha mundësitë. Të gjitha mjetet janë në dispozicion. Për mjetet nga ajri jemi duke e vlerësuar dhe në momentin e përshtatshëm do të duhet ta angazhojmë dhe me partnerët në kontakt", tha Çako.

Sa i përket raportimeve për shpërthim të municioneve luftarake, Çako tha se nuk paraqitet rrezik dhe vijon operacioni.

"Për momentin nuk paraqitet rrezik, zona ku është baza ushtarake është e mbrojtur, nuk paraqet rrezik, po vijon operacioni. Janë forcat e mbrojtjes civile, forcat e armatosura, policia, mbrojtja nga zjarri, vullnetarët dhe njësitë e pushtetit vendor. Të gjithë ata që munden, janë të lutur të japin kontributin. Është një zjarr nën kontroll", tha Çako.

Ora 11:48
Dëgjohen shpërthime të fuqishme të municioneve në ishullin e Sazanit, nuk dihet gjendja e ushtarakëve që po luftojnë me flakët (VIDEO)

 

Teksa vijon beteja me flakët në ishullin e Sazanit, dëgjohen vazhdimisht shpërthime të forta. Dyshohet se shpërthimet vijnë nga granatat dhe municionet e tjera luftarake duke e bërë situatën akoma më të rrezikshme. Nuk dihet si është gjendja e forcave zjarrfikëse, forcave të ushtrisë dhe punonjës që mbrojnë zonat pyjore, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve.

Ora 10:19
I ‘pushtuar’ nga flakët, brenda 24 orëve gjenden 3 predha të paplasura në Ishullin e Sazanit, rrezik shpërthimi i municioneve

Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se vetëm ditën e djeshme në Ishullin e Sazanit janë gjendur 3 predha të paplasura. Referuar burimeve, në Sazan ka ende municione, duke e bërë të rrezikshme situatën për shkak të flakëve.

Ora 10:05
Zjarri në ishullin e Sazanit, ministri i Mbrojtjes: Situata vijon të jetë kritike, flakët po përhapen për shkak të erës

1654502546_zjarrisazan.jpg

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka reaguar në lidhje me situatën e zjarrit në ishullin e Sazanit. Peleshi thotë se situata vijon që të jetë kritike, pasi flakët po përhapen për shkak të erës. ‘Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll’, thotë ministri i Mbrojtjes.

‘Prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit. Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë.  Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll.’- njofton ministri i Mbrojtjes.

Ora 07:13
Zjarri në Ishullin e Sazanit, ministri i Mbrojtjes: Janë izoluar disa nga vatrat! Trupat e FA e kishin të vështirë ndërhyrjen gjatë natës prej relievit

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar për zjarrin në ishullin e Sazanit duke thënë se janë izoluar disa nga vatrat ndërsa trupat e FA e kishin të vështirë ndërhyrjen në vatrat e mbetura për shkak të relievit të vështirë. Ndër të tjera u shpreh se mbështeten tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika efikase për izolimin e vatrave është përmes krijimit të brezave të shpyllëzuar.

"Në këto momente duket se janë izoluar disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në Sazan. Trupat e Forcave të Armatosura po punojnë me përkushtim në kushtet kur ndërhyrja në vatrat e mbetura është e vështirë për shkak të relievit dhe të natës. Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje.

I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës", shkroi Peleshi.

Ndër të tjera tha se kjo verë do të jetë shumë e nxehtë, por shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur bashkitë për përballimin e emergjencave pasi është prioritet mbrojtja e jetës së banorëve, florës e faunës si dhe trashëgimia natyrore e historike.

"Me të gjithë partnerët tanë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar marrëdhënie për të aktivizuar mbështetjen me mjete ajrore shtesë, gjatë stinës së verës, pa humbur kohë nëse do të çmohet e nevojshme nga ekspertët. Sigurisht prioritet ka mbrojtja e jetës së banorëve dhe më pas e florës e faunës si edhe trashëgimia jonë natyrore e historike.

Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera", shkroi Peleshi.

Një ditë më parë, që prej mesditës kur temperaturat ishin të larta, ishulli i Sazanit u përfshi nga flakët që shkrumbuan bimësi dhe pisha, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë punuan me mjete primitive si lopata e degë peme, për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Në terren u angazhuan mbi 90 efektivë të ushtrisë dhe forca të Zonave të Mbrojtura, të cilët hasën vështirësi, në fikjen e flakëve, për shkak të terrenit dhe bimësisë së dendur. Ndërsa dy helikopterët Cougar të ushtrisë shqiptare, të cilët mund të përdoreshin për të shuar flakët nga ajri, edhe këtë verë ndodhen ende në servis.

Nga ana tjetër ministria e Mbrojtjes ngriti alarmin se si një ish-repart ushtarak, në ishull rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera.

Kjo ishte hera e dytë brenda pak ditësh që ishulli i Sazanit u përfshi nga flakët. Vetëm dy ditë më parë, disa shkurre e ferra u dogjën, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave të ushtrisë dhe më anije që të izoloheshin flakët.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shqipo: 06/06/2022 22:57

    Shqipot?

    Përgjigju
  • Ardi rushitit spiuni Anduelit: 06/06/2022 21:34

    Keto jan vepra te Pullumb Petritit cerri Artur Shehut.Lidheni ate mut te shpetojn pronat shteyerore

    Përgjigju
  • Ishull i banuar: 06/06/2022 20:45

    Bejeni ishull të banuar me port jahtesh, mini aeroport , një qyteze për 4000 banore gjithë vitin , shkolle , shkolle mesme detare turizmi dhe peshkim, 6 resorte private dhe po ashtu një muze dhe qender vizitoresh , kusht marrja e licences të jesh nga Vlora me origjine pra tju jepet firmave që kanë vlonjatet dhe të bëhet një ishull i banuar me 4000 familje normale pastaj 6-7 resorte dhe miniqytet me kishe dhe me park për femij do ishte super punim

    Përgjigju
  • zamira: 06/06/2022 17:27

    Turp,,duhej te kishim 10 AVIONE+helikoptere,,,,per te shuar flaket,, ministri leshi,,,avione sulmues duhej te kishim 200,helikoptere200 ,, ,tanke 1000,,,,artilleri 3000 cope,,,raketa 5000 cope...mjete te koracuara 3000 cope....s kemi mjete sepse keta I vjedhin leket.....

    Përgjigju
  • Drini: 06/06/2022 17:08

    Pse nuk kerkohet ndihme nga Serbia ne kuadrin e Open Balkan?

    Përgjigju
  • toni: 06/06/2022 16:32

    e kote ky vend ka mbaruar.

    Përgjigju
  • Arta: 06/06/2022 14:56

    E bene gati per resort me duket. E kane vene zjarrin fiks aty afer detit. Kujt ia ka caktuar Rama kete parcele valle?

    Përgjigju
  • Qytetari: 06/06/2022 12:11

    Shtet komplet partiak dhe i pafte! Nuk ngrihet administrata e afte me punesime partiake! Gjithesesi mire beni, shqiptareve ju a beni! E meritojne plotesisht!

    Përgjigju
  • Une: 06/06/2022 11:14

    Mire ju behet.. per te sharre e ofenduar shqiptaret jeni te paret ndersa te huajve nuk ju flitet me goje se mos na prishet imazhi.. disa sillen keq, pijne dhe duan zjarre buze detit. Hedhin mbeturina kudo. Me keq se hollandezet ne Tirane.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?