Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako foli për Report Tv për situatën në ishullin e Sazanit, ku vijon beteja me flakët duke thënë se situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për njerëzit apo qendrat e banuara.
"Situata është ajo që ka qenë, nuk ka rrezik për njerëz apo qendra të banuara po jemi duke angazhuar të gjitha strukturat për ta vënë në kontroll. Dyshohet për zjarr të vënë nga dora e njeriut, por kemi rreth 80 forca nga FA, nga zonat e mbrojtura", tha Çako.
Ndër të tjera zbuloi se nuk ka nisur ende ndërhyrja nga ajri dhe aktualisht po punohet nga forcat ushtarake me mjete primitive. Çako tha se po vlerësohet situata dhe momenti i përshtatshëm kur do të bëhet ndërhyrja me helikopter, për të cilët do të kërkojnë ndihmë nga aleatët. Cako nuk bëri asnjë koment për helikopterët Cougar që ndodhen ende në servis.
"Nga ajri po bëjmë vlerësimin e situatës dhe operacioni po vazhdon. Zjarri nuk fiket me një helikopter, por me të gjitha mundësitë. Të gjitha mjetet janë në dispozicion. Për mjetet nga ajri jemi duke e vlerësuar dhe në momentin e përshtatshëm do të duhet ta angazhojmë dhe me partnerët në kontakt", tha Çako.
Sa i përket raportimeve për shpërthim të municioneve luftarake, Çako tha se nuk paraqitet rrezik dhe vijon operacioni.
"Për momentin nuk paraqitet rrezik, zona ku është baza ushtarake është e mbrojtur, nuk paraqet rrezik, po vijon operacioni. Janë forcat e mbrojtjes civile, forcat e armatosura, policia, mbrojtja nga zjarri, vullnetarët dhe njësitë e pushtetit vendor. Të gjithë ata që munden, janë të lutur të japin kontributin. Është një zjarr nën kontroll", tha Çako.
Lajmi kryesor:
Sazani 3 ditë në flakë, dëme të mëdha, ende s'ka ndërhyrje nga ajri! Gafa e Ministrisë së Mbrojtjes, publikon pamjet e zjarrfikësit, e akuzon si zjarrvënës (VIDEO)
//ReportTv.al