Sociale

Vëzhgim/ Shpopullimi ‘zbras’ shkollat e fshatrave! Bie numri edhe në qytete, më pak fëmijë në klasë të parë

8 Shtator, 16:26| Përditesimi: 8 Shtator, 17:59

  • Share

Mallakastra e ka nisur vitin shkollor me 64 nxënës në klasë të parë, numri më i ulët i regjistruar ndonjëherë në historinë e arsimit. Report Tv pa nga afër situatën në fshatin Drizar. Në shkollën tejet të amortizuar mësojnë vetëm 3 nxënës në klasë të katërt dhe 2 në parashkollor.

Numri i nxënësve ka pësuar rënie dhe në Patos e Roskovec, respektivisht, 110 dhe 50 nxënës më pak se vitin e kaluar.

Vogëlushët e Beratit mbërritën në shkollë me buqeta lulesh, të emocionuar për fillimin e këtij rrugëtimi të bukur. Mësimi me dy turne vijon për shkollat në rindërtim, si “22 Tetori” dhe Shkolla e Bashkuar e Lapardhase. Berati gjithashtu ka pësuar tkurrje, me 400 nxënës më pak se vitin e kaluar.

Në Vlorë dhe Himarë janë regjistruar 915 nxënës në klasën e parë, duke shenuar rritje të lehtë, por ka rënie në klasat e tjera. Shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi” është rikonstruktuar dhe ka hapur dyert me kushte bashkëkohore.

Në qarkun e Korçës, numërohen 784 nxënës më pak se në 2024-ën, rënie e lidhur me lëvizjet demografike dhe uljen e lindshmërisë. 6 shkolla ne fshatra janë mbyllur, ndërsa disa po zhvillojnë mësim me turne për shkak të rikonstruksioneve.

Gjirokastër, vogëlushët mezi pritën rikthimin në shkollë. Në klasë të parë ka një rënie të lehtë të regjistrimeve, por gjithsesi shkollat kanë mjedise të mira dhe mësues të përkushtuar.

Viti i ri shkollor nisi bukur në shkollën e mesme mekanike “Hasan Gina” të Lushnjes, e cila shënon rritje të numrit të nxënësve.

Në Lezhë, institucionet arsimore janë hermetike, duke mos dhënë asnjë informacion mbi numrin e nxënësve ose problematikat. Kjo ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e shkollave në fshatra, në një kohë kur shpopullimi është i dukshëm.

Sakaq në Dibër, 980 vogelushë u regjistruar në klasë të parë, ku gjithashtu ka nje tendencë rënie krahasuar me vitin e kaluar. Në disa fshatra, mësimi zhvillohet në klasa kolektive, por Drejtoria Arsimore heziton të informojë mbi gjendjen e tyre.

Ora 12:45
Mbi 12 mijë nxënës në Qarkun Dibër nisin vitin e ri shkollor

12,699 nxënës në të katër bashkitë e Qarkut Dibër kanë nisur vitin e ri shkollor këtë të hënë. Numrin më të madh të nxënësve e ka bashkia Dibër 6,204, ndjekur nga Bulqiza me 2,887, Mati me 2,208 dhe Klosi me 1,400 nxënës.

Për herë të parë në bankat e shkollës janë ulur 980 nxënës në të gjithë Qarkun Dibër, duke bërë që numri të jetë më i vogëli i regjistruar ndonjëherë.

Ndërkohë, ende nuk ka një shifër të saktë të nxënësve të këtij viti, pasi numri mund të ndryshojë në ditët e ardhshme.

Ajo që vihet re edhe këtë vit shkollor është mosulja e numrit të mësuesve ku edhe pse ka rënie të numrit të nxënësve vijon të mbetet i njëjtë.

Një tjetër problematikë që vihet re është edhe mësimi në klasa kolektive në shumë fshatra për shkak të uljes drastike të numrit të nxënësve.

Ora 12:43
Viti i ri shkollor në Gjirokastër nis me rënie të lehtë të regjistrimeve në klasë të parë

 

Në Gjirokastër, nxënësit rikthehen sot në bankat e shkollës për të nisur vitin e ri shkollor, duke sjellë një atmosferë emocionuese dhe festive.

Drejtoria Arsimore ben te ditur se në shkollat 9-vjeçare janë regjistruar 190 nxënës ne klase te pare, ose 43 me pak se vitin e kaluar.  Klasat e 10-ta regjistruar nje renie prej 25 nxenesish.

Në total, ne gjithe bashkine e Gjirokastres numerohen 3,232 nxënës ne arsimin fillor e te mesem, një rënie prej 189 nxënësish krahasuar me vitin e kaluar.

Sakaq, shkollat janë përgatitur për të ofruar kushte të sigurta dhe mjedise të përshtatshme mësimore. Ky moment është një tregues i përkushtimit të komunitetit të Gjirokastrës ndaj arsimit, edhe në kushtet e një rënieje të lehtë të regjistrimeve.

Ora 12:41
Lushnje e Divjakë, rritet interesimi për arsimin profesional

 

Viti i ri Shkollor nisi në Lushnje e Divjakë pa problematika.

Interesi më i madh vihet re për Shkollën e Mesme Mekanike “Hasan Gina”, ku këtë vit janë regjistruar 493 nxënës, krahasuar me 450 një vit më parë. Nxënësit dhe prindërit vlerësojnë mundësinë e sigurimit të një profesioni, tregun e punës dhe njohjen e diplomës në Bashkimin Europian si arsye kryesore për zgjedhjen te zjedhjes se profesionales.

Ndesa ne total ne gjithe bashkine e Lushnjes numerohen 6,879 nxënës, prej te cileve 510 vogelushe te klasave te para. Në Divjakë jane 2,863 nxënës, ku 221 ulen per here te pare ne bankat e shkolles.  

Ora 12:22
Viti shkollor në Vlorë nis me investime, por më pak nxënës

Ka nisur sot viti i ri shkollor 2025–2026 edhe për nxënësit e Vlorës dhe Himarës. Në të gjithë qarkun janë ulur në banka rreth 11 mijë e 587 nxënës te arsimit 9-vjecar dhe te mesem, nga të cilët 915 në klasën e parë dhe 795 në klasën e dhjetë.

Krahasuar me një vit më parë, kur ishin të regjistruar 11 mijë e 350 nxënës dhe 853 në klasën e parë, shifrat tregojnë një rritje të lehtë të numrit ne klasen e pare, por një tendencë rënieje në klasat e tjera.

Në dispozicion për këtë vit janë 27 shkolla 9-vjeçare qendër, 15 vartëse, 8 gjimnaze dhe 5 shkolla të bashkuara, ku procesi mësimor do të zhvillohet normalisht. Autoritetet vendore bëjnë të ditur se është garantuar shpërndarja 100% e librave shkollorë, ndërsa nga klasa e parë deri në të tretën, tekstet ofrohen falas.

Ky vit sjell edhe një shtim të oficerëve të sigurisë në shkolla si dhe prani të shërbimit psiko–social.

Në Vlorë, eshte rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi”, që këtë të hënë hapi dyert me kushte më bashkëkohore.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, i cili shoqëruar nga drejtoresha e ZVAP, Gentiola Shehu, dhe mësues e prindër, uroi nxënësit për një vit të mbarë.

Dredha ka konfirmuar se përveç “Lef Sallatës” ku vijojnë punimet, janë në projekt edhe tre shkolla të tjera për rikonstruksion. Per risite foli dhe drejtoresha e ZVAP, Gentiola Shehu, si dhe drejtuesja e shkollës “Avni Rustemi”.

Vlora nis vitin e ri shkollor mes investimeve të reja dhe sfidës së uljes së numrit të nxënësve, një tendencë që po vërehet vit pas viti në të gjithë vendin.

Ora 12:08
Shkolla e Drizares në Mallakaster mbetet me 3 nxënës, godina e rrënuar

Bashkia e Mallakastrës e ka nisur këtë vit të ri shkollor me numrin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në historinë e arsimit në këtë zonë.

Në shkollën 9-vjeçare të Drizarit këtë vit janë regjistruar vetëm tre nxënës në klasën e 4-t dhe dy fëmijë parashkollorë.

Stafi mësimor është katandisur vetëm me një mësuese dhe një edukatore. Banorët thonë se kjo ka ndodhur për shkak të shpopullimit ndërsa godina ka mbetur një gërmadhë e braktisur pa asnjë investim.

Ora 11:55
Nis viti shkollor në Lezhë, por nuk ka transparencë për numrin e nxënësve

Viti i ri shkollor 2025-2026 ka nisur këtë të hënë edhe në shkollat e Qarkut të Lezhës, por ndryshe nga çdo vit tjetër, institucionet arsimore kanë zgjedhur të qëndrojnë në heshtje.

Hasan Muca, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Lezhë dhe as Zyrat vendore  ne Kurbin e Mirdite nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me numrin e nxënësve që janë ulur sot në bankat e shkollës, numrin e institucioneve arsimore që kanë hapur dyert, apo problematikat që shoqërojnë këtë fillimviti shkollor.

Prej tre ditësh gazetarët kanë kërkuar zyrtarisht një përgjigje nga drejtuesit e arsimit në Lezhë, por interesimi i tyre është lënë pa përgjigje. Madje këtë të hënë, në ambientet e Drejtorisë nuk është gjetur asnjë punonjës, çka e bën edhe më te rende mungesën e transparencës.

Në një kohë kur shpopullimi dhe ulja e numrit të nxënësve është një realitet i prekshëm në shkollat e qarkut, heshtja e institucioneve të arsimit ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si po menaxhohet një prej sektorëve më jetikë për të ardhmen e fëmijëve.

Ora 11:38
Nisi vit i ri shkollor/ Në Korçë, 784 nxënës më pak ulen në bankat e shkollës

Në qarkun e Korçës, këtë të hënë kanë nisur mësimin 19,340 nxënës të arsimit fillor dhe te mesem.. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Arsimit, numri i nxënësve është 784 më pak se një vit më parë, rënie që lidhet kryesisht me lëvizjet demografike dhe uljen e lindshmërisë. Në klasën e parë këtë vit janë regjistruar 1450 nxënës, ndërsa në klasën e dhjetë 1540 nxënës kanë nisur gjimnazin.

Megjithatë, shifra e raportuar nga DRAP bie ndesh me atë të Sindikatës së Mësuesve në Korçë, e cila pak ditë më parë deklaroi se në nivel qarku ka mbi 3 mijë nxënës më pak. Zyrtarisht, drejtoria mohon mbylljen e shkollave, por burime të tjera bëjnë me dije se rreth gjashtë shkolla janë mbyllur në gjithë qarkun.

Vështirësitë janë të dukshme jo vetëm në shkollat e fshatrave, por edhe në qytetin e Korçës, ku shkollat “Naim Frashëri”, “Ismail Qemali” dhe “Asdreni” kanë rënë ndjeshëm në numër dhe pritet të shndërrohen në shkolla vartëse.

Përballë mbylljeve dhe tkurrjes së numrave, sot u inaugurua shkolla 9-vjeçare në fshatin Gështenjas të Bashkisë së Pogradecit, e cila u hap me ambiente të reja për nxënësit e zonës.

Ndërkohë, disa shkolla në qark po zhvillojnë mësimin me turne, pasi shkolla “Kajo Karafili” dhe ajo e Qatromit ndodhen në proces rikonstruksioni.

Ora 11:27
Viti i ri shkollor në Qarkun Berat nis me 470 nxënës më pak! Mësim me turne në dy shkolla

Në Berat kanë hapur dyert 58 shkolla, publike dhe private, por shifrat tregojnë një rënie të dukshme të numrit të nxënësve krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare: Në shkollat publike, këtë vit do të ulen 4,980 nxënës, ndërsa vitin e kaluar ishin 5,450 nxënës, duke shënuar një rënie prej 470 nxënësish. Ne klase te pare jane rgjistuar 164 nxënës me pak se vitin e kaluar.

Edhe pse ka pasur këtë rënie, Zyra Arsimore Rajonale Berat nuk raporton mbyllje shkollash.

Mësimi me dy turne vijon për nxënësit e shkollave që janë në rindërtim, si “22 Tetori” dhe Shkolla e Mesme e Bashkuar Lapardha. Problematike mbetet mungesa e shkollës 9-vjeçare në fshatin Donofrosë, ku nxënësit do të zhvillojnë mësimin në një lokal të përkohshëm.

Në qytetin e Beratit, vogëlushët mbërritën në shkollë me buqeta lulesh, te cilet thane per mikrofonin tone se jane te emocionuar per kete rrugetim te bukur.

R.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të pasigurt ndiheni?