TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi pasditen e të mërkurës stërvitjen e radhës në prag të ndeshjes së shumëpritur kundër Serbisë, e cila luhet më 11 tetor në Leskovac, duke nisur nga ora 20:45. Dueli vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026 dhe është si një 'finale' për të mbërritur vendin e dytë që të dërgon në play-off.
Nazmi Gripshi, lojtari i fundit i thirrur në ekip nga trajneri Sylvinho, u bashkua me grupin pas një udhëtimi prej më shumë se 4 mijë kilometrash nga Kazakistani i largët. Ndërkohë, siç e ka kthyer në traditë, trajneri Sylvinho të gatshëm kishte edhe dy futbollistë të tjerë nga Superligë, mbrojtësin e Vllaznisë, Elmando Gjini dhe atë të Partizanit, Albion Marku. Dyshja është në gatishmëri nëse detyra kombëtare i kërkon.
STËRVITJA
Trajneri Sylvinho i pati të gjithë lojtarët në dispozicion. Stërvitja zgjati rreth 1 orë e 30 minuta dhe nisi me punën në palestër, për të vijuar më pas në fushë, ku stafi teknik punoi mbi disa situata loje dhe aspektin taktik.
AGJENDA
Kombëtarja do të mbyllë sot përgatitjet në Tiranë për ndeshjen ndaj Serbisë. Ekipi do të udhëtojë të premten drejt Nishit, ku do të akomodohet dhe do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore përpara sfidës në Leskovac në stadiumin ku do të luhet ndeshja.
MASAT
Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.
6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit.
RENDITJA
Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.
Komente
