Landfilli i Elbasanit, vetëm 3 kilometra nga qyteti është përfshirë nga flakët prej pasdites së të martës. Zjarri ka vazhduar për më shumë se 24 orë. Tymi helmues ka mbuluar Elbasanin, Cërrikun dhe zonat përreth.
Forcat zjarrfikëse u përballën me katër vatra zjarri njëherësh. Në terren mbërritën edhe zjarrfikës nga qytete të tjera, të cilët arritën të vendosin flakët nën kontroll.
Mëngjesin e kësaj të mërkure, situata është përmirësuar, flakët janë neutralizuar por plehrat vazhdojnë të nxjerrin tym pasi digjen në thellësi. Report tv sjell pamjet nga brenda landfillit, ku dhjetëra zjarrfikës punojnë në kushte të vështira për të shuar vatrat e mbetura.
“Zjarri është i vështirë për t’u vënë nën kontroll sepse vatra e zjarrit është në brendësi dhe përbërja e mbetjeve urbane dhe lëndëve është e ndryshme dhe shkaktojnë zjarr dhe gaze të ndryshme dhe acarojnë situatën. Kemi marrë masa me ujë me shkumë, mbulim me dhe e zhavor. Vatrat janë nën kontroll, nuk kemi zjarr aktiv, punohet me mbulim me dhe, ka vetëm tym, s’e shohim dot por ne do vijojmë mbulimin e do vazhdojmë edhe gjatë natës. Ndikimi i gazrave ndikon në acarimin e situatës”, tha Sinani.
Prej vitesh, situata në këtë landfill është problematike dhe plehrave shpesh u vihet flaka. Inceneratori i Elbasanit është jashtë funksionit, ndërsa rreth 50 mijë ton mbetje depozitohen çdo vit në këtë fushë, nga 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit.
Landfilli menaxhohet nga kompania publike “Eco-Elb”, e cila deri më tani nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar për ngjarjen. Nuk dihet nëse është zjarrvnëie e qëllimshme apo aksidentale për shkak të temperaturave dhe tejmbushjes.
Sakaq Policia e Elbasanit njoftoi se po kryhen hetime nga specialistët për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me Prokurorinë për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Inceneratori i Elbasanit është i vetmi impiant i përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik-privat, të hetuara për korrupsion dhe pastrim parash nga SPAK. Ish-ministri i mjedisit Lefter Koka dhe zyrtare të tjerë janë dënuar nga GJKKO për aferen e inceneratorëve.
Report TV sjell pamje të reja nga landfilli në Elbasan, ku edhe pas rënies së zjarrit që ndodhi pasditen e djeshme, mbetjet vazhdojnë të digjen.
Shtëllunga të mëdha tymi vazhdojnë të ngrihen dhe kanë mbuluar pjesë të qytetit, duke krijuar shqetësim për shëndetin e banorëve.
Nga ana tjetër, tymi pas djegies së mbetjeve shënon një shqetësim të madh edhe për mjedisin.
Kreu i nismës 'Shqipëria Bëhet' Adriatik Lapaj ka denoncuar nga Elbasani situatën pas zjarrit që ka rënë në landfillin e mbetjeve në këtë qytet.
Përmes një video në rrjetet sociale, ai thotë se janë paguar 26 milionë euro për ndotje dhe jo për mjedis të pastër.
Sipas tij, tymi që ngrihet nga fusha e mbetjeve po ndot mjedisin, por edhe produktet bujqësore.
‘Sot jemi në Elbasan dhe kjo këtu është pasaporta europiane e Shqipërisë sot inceneratori i Elbasanit për të cilin janë paguar 26 milionë euro, që do të duhej që të garantonte cilësinë e mjedisit në qarkun e Elbasanit, shkakton sot ndotje masive jo vetëm për qytetarët e Elbasanit por edhe zonat përreth sepse janë zona bujqësore dhe produktet që vijnë nga këto zona janë të spërkatura nga tymi në fushën e mbetjeve me paratë e korrupsionit’, tha ai.
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Blendi Himçi, e ka quajtur një fenomen të përsëritur dhe të organizuar zjarrin që ka përfshirë fushën e mbetjeve në qytet.
Ai akuzon se zjarrvënia është e qëllimshme, ndërsa flet për korrupsion qeveritar dhe e lidh me zgjedhjet.
'Zjarri i rënë që prej ditës së djeshme në landfillin e Elbasanit është një tjetër provë se si vjedhja e ngritur në sistem po i kushton qytetarëve jo veten ne financa por edhe në shëndet dhe siguri jete. Në vend që mbetjet të digjeshin pak metra më tutje, në inceneratorin që ka kushtuar jo pak, por 26 milionë euro, dhe që qytetarët e paguajnë nga taksat e tyre pikërisht për këtë qëllim, zjarri, i cili duket se ka dalë jashtë kontrollit, përveçse akuzë për një qeveri të korruptuar që nuk ka lënë gjë pa bërë, tashmë po helmon gjithë Elbasanin.
Inceneratori i Elbasanit, që nga ndërtimi i tij në vitin 2017, nuk ka djegur asnjë ton plehra dhe nuk ka prodhuar asnjë kilovat energji. Por para po djeg pa fund. Vitin e kaluar, një kompani e afërt me Ramën fitoi tenderin e shpallur nga kompania shtetërore ‘Eco Alb’ për menaxhimin e mbetjeve në landfill, me vlerë rreth 400 mijë euro, duke u favorizuar jo pak nga Latja i Elbasanit.
Zjarri në landfillin e Elbasanit nxjerr në pah nevojën emergjente që Edi Rama kishte në këtë qytet për të vjedhur vota. E pra, duket qartë se Sara e Suel Çelës, Olsi i Vettingut, nuk do bëjnë gjë tjetër veçse do jenë garancia e vjedhjeve dhe mbulimi i skandaleve në qytetin e Elbasanit, ashtu siç është edhe tymi i landfillit që prej dy ditësh po helmon familjet e këtij qyteti', tha ai.
Zjarri në landfillin e Elbasanit
Policia e Elbasanit reagon për herë të parë për zjarrin e rënë dje (1 korrik) në landfillin e mbetjeve urbane në periferi.
Zyra Kundër Krimeve në Komisariat ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve, rrethanave dhe përgjegjësve nëse është zjarrvënie e qëllimshme. Hetimeve i është bashkuar edhe Prokuroria e Rrethit.
“Në lidhje me zjarrin e përhapur në vendgrumbullimin e mbetjeve, në Elbasan, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim përcaktimin e shkakut të zjarrit, sqarimin e rrethanave dhe individualizimin e përgjegjësive mbi këtë rast”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, shërbimet e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse, po punojnë për neutralizimin e zjarrit.
Operacioni për shuarjen e flakëve në landfillin e Elbasanit po vijon në ditën e dytë, teksa të paktën 20 mjete të ndryshme ndodhen në terren për shuarjen me ujë, shkumë dhe mbulimin me dhe, pasi vatra është në brendësi dhe e padepërtueshme, kurse gazet dhe era janë faktorë që riaktivizojnë vatrën.
Ndriçim Sinani, drejtori i Emergjencave të Elbasanit, dha një deklaratë sot për gazetarët, ku shpjegoi situatën, masat e marra, rreziqet dhe shkaqet e mundshme. Për shkakun ai tha se do priten hetimet, kurse shkalla e ndotjes përcaktohet nga Ministria e Mjedisit. Prioriteti kryesor mbetet shuarja e plotë e vatrës.
“Aktualisht jemi duke punuar që prej orës 16:00 të ditës së djeshme, non stop, me mjete të rënda dhe të zjarrfikëseve, për shuarjen e vatrës së zjarrit, për mbulimin me dhe. Si dhe për mbylljen totale të fenomenit që ndodhi në landfill. Po punohet me mbi 20 mjete të rënda, zjarfikëse, fadroma, kamionë, traktorë me zinxhirë, si dhe zjarrfikëset nga i gjithë qarku Elbasan, zjarrfikëset e Ministrisë së Mbrojtjes, kamzës, Beratit. Zjarri është i vështirë për t’u vënë nën kontroll sepse vatra e zjarrit është në brendësi dhe përbërja e mbetjeve urbane dhe lëndëve është e ndryshme dhe shkaktojnë zjarr dhe gaze të ndryshme dhe acarojnë situatën. Kemi marrë masa me ujë me shkumë, mbulim me dhe e zhavor. Vatrat janë nën kontroll, nuk kemi zjarr aktiv, punohet me mbulim me dhe, ka vetëm tym, s’e shohim dot por ne do vijojmë mbulimin e do vazhdojmë edhe gjatë natës. Ndikimi i gazrave ndikon në acarimin e situatës”, tha Sinani.
Ai nuk dha shkaqe për ngjarjen, pasi i mbetet organeve kompetente ta zbulojnë, por shpjegoi se temperaturat e larta, era që fryn dhe gazrat e lëndëve të para në landfill, e acarojnë situatën dhe vështirësojnë aksionin.
“Është ende herët për shkaqet, organet kompetente po punojnë për situatën. Puna jonë është të zgjidhim sa më shpejt problemin, jo vetëm për Elbasanin, por edhe në të tjerat. Dje kishim 4 vatra zjarresh që u fikën në kohë rekord edhe me ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes. Aktualisht nuk kemi asnjë vatër, me përjashtim të landfillit ku po punojmë aktualisht. Ka një problem me zjarret në landfille sepse janë në brendësi dhe për shkak të gazeve acarohen, por edhe për shkak të erës që fryn riaktivizohet. Shkallën e ndotjes nuk mund ta them sepse atë e ka Ministria e Mjedisit që ka edhe aparaturat për matjen”, tha zyrtari vendor.
I pyetur për rreziqet e mundshme ndaj forcave në aksion, pasi dëgjohen edhe shpërthime, Sinani shpjegoi se nuk ka shpërthime municionesh, por vetëm të kavanozëve apo shisheve dhe nuk përbëjnë rrezik për forcat që ndodhen në distancë. Kurse për ndotjen dhe asfiksimin ishin marrë masat.
“Për ndotjen janë marrë masa, por shpërthimet në landfill janë të vogla, nuk ka rrezik për punonjësit, janë kryesisht kavanozë dhe shishe që shpërthejnë, por nuk ka municione. Temperaturat e larta kanë ndikuar në avancimin e zjarrit, por edhe cilësia e materialeve, lëndës së parë në landfill, që çlirojnë gazet, bëjnë të mundur riaktivizimin e zjarrit, edhe pse punohet pa ndërprerje. Vetëm mbulimi i plotë i landfillit bën eleminimin total të situatës”, përfundoi Sinani.
Report TV sjell pamjet nga landfilli në Elbasan, ku vazhdojnë të digjen mbetjet pas rënies së zjarrit pasditen e djeshme. Siç shihet edhe nga pamjet, shtëllunga e madhe e tymit ka mbuluar qytetin.
Prezente në vendngjarje janë zjarrfikëset ndërsa disa kamionë po transportojnë edhe zhavorr që po hidhet te mbetjet me qëllim izolimin e flakëve.
Kjo është hera e dytë që landfilli i Elbasanit përfshihet nga flakët këtë verë.
Zjarri në landfillin e Elbasanit duket se vijon, teksa retë e tymit kanë mbuluar pothuajse të gjithë zonën periferike, duke krijuar një situatë toksike edhe për shëndetin e qytetarëve.
Gazetari Ronaldo Gjoshi i Report Tv, sjell pamje nga situata më e fundit dhe zonat më problematike. Duket qartë se tymi ka mbuluar zonën e Jagodinës, Bujqësit, Muriqanit, ndërkohë që reja e madhe ka arritur deri në Cërrik.
Forcat zjarrfikëse, Mbrojtja Civile, Policia dhe autoritetet e linjës janë duke punuar prej ditës së djeshme që ta vendosin nën kontroll dhe shuajnë tërësisht vatrën, duke mos lejuar as përhapjen e saj.
Foto nga zjarri në Finiq
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, të cilat sipas Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile vetëm 2 vatra janë ende aktive.
Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Durrësit, Vlirës, Finiqit, Selenicës, Himarës, Delvinës, Skraparit, Shkodrës, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe, Tiranës, Kavajës, Korçës e Lezhës.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se aktualisht vatrat aktive janë në vendgrumbullimin e mbetjeve, në bashkinë Elbasan dhe në një sipërfaqe me shkurre dhe barishte, në fshatin Grazhdan, Finiq.
Aktualisht mbeten aktive vatrat:
Në vendgrumbullimin e mbetjeve, në bashkinë Elbasan. Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkive Elbasan, Cërrik, Peqin dhe Kamëz me 5 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë, dhe 4 mjete të rënda të bashkisë. Më pas në ndihmë të forcave në terren shkuan edhe 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë nga Forcat e Armatosura. Në orët e vona të mbrëmjes situata u rëndua dhe në vendngjarje shkuan edhe 6 mjete të rënda, 5 fadroma, 1 eksakvator të bashkisë Elbasan dhe 7 mjete të rënda të subjekteve private, të cilët kanë punuar gjatë gjithë natës, por pa mundur ta izolojnë zjarrin në landfill. Ditën e sotme në terren ndodhen 3 automjete zjarrfikëse me 15 efektivë të bashkisë Elbasan, 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë dhe 1 traktor me zinxhirë nga Forcat e Armatosura dhe po shkojnë edhe 3 automjete zjarrfikëse nga bashkitë e tjera.
Në një sipërfaqe me shkurre dhe barishte, në fshatin Grazhdan, njësia administrative Livadhja, bashkia Finiq, shkuan Shërbimi vendor i MZSH i bashkisë me 3 automjet zjarrfikës me 10 efektivë, forca vullnetare të zonës dhe forca nga bashkiake, të cilët u angazhuan në fikjen e zjarrit, terreni e vështirëson ndërhyrjen. Gjatë natës kanë qëndruar në monitorim 1 automjet zjarrfikës me 3 efektivë por si pasojë e përkeqësimit të situatës gjatë natës, në mbështetje shkuan edhe 4 automjet zjarrfikës me 12 efektive nga bashkitë Himarë, Sarandë, Delvinë dhe Konispol. Ditën e sotme vatra e zjarrit është zhvendosur edhe në fshatin Malçan në një zonë me pisha dhe në mbështetje të forcave zjarrfikëse, në terren kanë shkuar edhe 6 forca nga shërbimi pyjor dhe 12 vullnetarë.
Në të gjitha operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 255 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 2 helikopterë dhe 40 efektivë me 5 mjete zjarrfikëse dhe një traktor me zinxhirë, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes thekson se gjithashtu se për shkak të temperaturave të larta zonat më të rrezikuara për tu përfshirë nga zjarret janë Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier.
"Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “I MODERUAR”. Ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijne deri në 40 gradë Celsius.
I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme.
Ftojmë qytetarët që, në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre, të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri. Të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, djegia e mbetjeve apo hedhja e objekteve të ndezshme në natyrë.
Çdo rast zjarri duhet të njoftohet menjëherë pranë strukturave vendore", përfundon njoftimi.
Një zjarr ka rënë pasditen e djeshme në një pyll me pisha ndërmjet fshatrave Malçan - Grazhdan dhe Zminec në bashkinë Finiq.
Shkak i vatrës që është aktiv edhe sot (2 korrik) dyshohet të jetë bërë rënia e një pishe mbi telat e linjës së energjisë elektrike.
Forcat zjarrfikëse kanë punuar për izolimin e zjarrit për të mos u afruar pranë fshatrave.
Ndërkohë për fikjen e zjarrit është kërkuar ndërhyrje nga ajri për shkak të terrenit të vështirë malor.
Komente

Dihet kush i ve zjarret,ata qe u vinin shtyllave te tensionit te larte jane . E duan vendin tone te djegur qe te vine ne pushtete.
Përgjigju