Ana Duka është një banore e fshatit Kopaçëz të Delvinës, që është prekur nga zjarret shkatërrimtare.
Disa orë pasi u detyruan të evakuoheshin nga shtëpia për shkak të rrezishmërisë, ajo dhe familja e saj janë rikthyer në banesën e tyre.
Në një intervistë nga oborri i shtëpisë së djegur, për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili, Ana Duka thotë se zjarri ka djegur çdo gjë.
Ajo shprehet se ka vajtur dëm mundi i një jete, ndërsa problemi emergjent i tyre është se ku do të kalojnë natën për shkak të dëmeve që ka pësuar banesa nga flakët. Sipas saj, është djegur çdo gjë, e ka shpëtuar vetëm oborri i shtëpisë.
“Këtu lart kam stallën që kemi lopën, atje vajtur burri e shuajti me kova. Ullinjtë prapë andej poshtë ku kemi nëpër fusha, dhe këtej lart që kemi, na janë djegur çdo gjë. Vetëm çatia na ka mbetur. Sot do flemë në qiell të hapur, nuk e dimë as vetë se ku do flemë, nuk kemi as ujë, as drita”.
Ana rrëfen edhe momentin se si mësuan kur zjarri avancoi drejt fshatit të tyre.
“Zjarri nisi nga Kalasa që dje, ne ikëm në punë. Kur na marrin pastaj na thonë hajdeni se u dogjën shtëpitë. Na janë djegur të gjitha, rrushi, çdo pemë, çdo gjë, vetëm oborri ka mbetur. Nuk na linte as polici që të vinim në shtëpi të shuanim ndonjë zjarr. Kemi mundin e jetës, kemi punuar një jetë këtu. Ku të vemi, jemi në qiell të hapur, kush do mendojë për neve. S’kemi as rroba, ja me këto që kishim veshur, erdhëm nga puna direkt. Ja u shikoni vetë, është djegur çdo gjë. Asnjë gjë s’ka mbetur”.
Lajmi kryesor:
Delvina digjet nga zjarret, evakuohen banorët e 3 fshatrave! Vengu: Situatë e përmirësuar gjatë mbrëmjes, 8 banesa të djegura! Në flakë edhe mali i Shpiragut (VIDEO)
S.B/V.GJ /ReportTv.al
