Shtëpia e deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, në rrugën “Arjan Sala” në Kamëz, u trondit në mesnatë nga shpërthimi i një sasie tritoli, vendosur pranë saj. Në momentin e shpërthimit, në banesë ndodhej vetëm deputeti Xhelal Mziu dhe bashkëshortja e tij. Fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar.
Deputeti i PD-së tha se nuk kishte konflikte me njeri dhe se armik kishte vetëm Edi Ramën, duke i dhënë mesazhit drejtim politik. Ndërkaq, nisur nga kjo ngjarje e rëndë, ra në sy edhe vila e deputetit të PD-së, Xhelal Mziu, ku vetëm rrethimi, palma dhe gjelbërimi dukej se kanë kushtuar dhjetëra mijëra euro.
Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë Kamëz për 3 mandate, e ka deklaruar pranë ILDKPKI vilën 2-katëshe në vlerën 5.7 milionë lekë, shumë e cila nuk mbulon as vlerën e dyerve. Deputeti Mziu deklaron se të ardhurat për ndërtimin e vilës burojnë nga puna si emigrant në Greqi para viteve 2000, rrogat dhe një kredi bankare.
Pamjet e vilës janë një indicie për SPAK për të nisur një hetim ndaj Xhelal Mziut për mashtrim me deklarimin e pasurisë dhe pastrim të mundshëm parash. Kujtojmë se Xhelal Mziu u arrestua në fund të vitit 2013 për afera me tenderat, por doli shumë shpejt nga burgu dhe arriti ta mbyllte dosjen me lehtësi.
Mziu është lakuar se është pronar i kamufluar i disa pallateve në Kamëz dhe i një hoteli në Golem, produkt i dyshuar i aferave korruptive kur drejtonte Bashkinë e Kamzës./Prapaskena
Komente
